Jahmir Hyka është zyrtarisht një lojtar i FC Lyzern. Sipas “Schweizer Fernsehen” (Televizionit zviceran), ish-lojtari i ardhur nga Tirana nënshkroi një kontratë deri në fund të qershorit 2012, por me opsionin e përtëritjes edhe për një vit tjetër. Mediat zvicerane raportuan gjerësisht për transferimin e mesfushorit sulmues shqiptar, duke i mëshuar faktit se Hyka ka luajtur te Mainz (Gjermani) dhe në Athinë te Olimpiakos dhe Panionos. Hyka është lojtar i Kombëtares shqiptare (21 ndeshje/1 gol) dhe që në moshën 16 vjeç ai debutoi me Dinamon e Tiranës në Kategorinë Superiore. Sezonin e kaluar, mesfushori 1.68 metra i lartë luajti me rekordmenin shqiptar përsa u përket titujve, Tiranën. Kjo e fundit e bleu kartonin e këtij lojtari nga Panioniosi për shifrën e 50 mijë eurove. Hyka dëshironte me çdo kusht që të ikte nga Greqia, ku pat shkuar vetëm në merkaton e verës së kaluar, pasi nuk po luante fare më ketë ekip. Në janar ai erdhi te Tirana dhe presidenti Halili bleu edhe kartonin e lojtarit. Por, pas gjetjes së akordit me zviceranët, Hyka u detyrua që të blinte vetë kartonin e tij nga Tirana.











