Tashmë është gjithçka zyrtare: Zlatan Ibrahimoviç është një futbollist i PSG-së. Mino Raiola, menaxheri i sulmuesit të Milanit, ka mbyllur dje gjithçka me drejtorin teknik, Leonardo, i cili ka konfirmuar vetë për gazetarët transalpinë edhe shifrat e këtij akordi: 13 milionë euro në sezon për tri vitet e ardhshme. Sapo ka marrë konfirmimin e Raiolës, Ibra është nisur drejt Parisit. 30-vjeçari do të kryejë sot vizitat mjekësore, ndërsa konferenca e tij për shtyp është parashikuar për në orën 16:00, në sallën e shtypit të stadiumit “Parc des Princes”. “Presim me pa durim Ibrahimoviçin. Ai do shkruajë historinë e klubit tonë”, reagoi Leonardo.











