
Avokatët kundër dëshmisë së ish-zyrtarit të Bashkisë.
Ish-kreu i Policisë Bashkiake, dëshmi kontradiktore në Gjykatë për ngjarjen.
Zyhdi Dajti, ish-kreu i Policisë Bashkiake të kryeqytetit, një nga personat “kyç” në ngjarjen e 21 janarit, rrëfeu dje në Gjykatën e Tiranës përpjekjet e tij për të qetësuar turmën e tërbuar para portës së Kryeministrisë.
Ai pranoi se ka pasur rol në demonstratën e 21 janarit 2011, ashtu siç është filmuar edhe nga kamerat e mediave teksa qëndronte para portës së Kryeministrisë. I thirrur si dëshmitar i Prokurorisë në procesin në ngarkim të ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, oficerit Agim Llupo e shoferit Margarit Kume, Dajti u shpreh se kishte ndihmuar policinë në zmbrapsjen e turmës.
DESHMIA NE GJYKATE
Prokurori: Rrëfeni rrethanat në të cilat u gjendët më 21 janar 2011. Çfarë ndodhi? Çfarë patë?
Dajti: Isha drejtor i Policisë Bashkiake dhe me përvojë shumëvjeçare me forcat e Gardës. Pas sinjalizimeve për demonstratë të dhunshme morëm masat për të mbrojtur pronën e qytetarëve në pjesën e Tajvanit, Bllokut dhe pjesë të tjera që ishin shumë të rëndësishme me aktivitete private. Unë kam qenë komandant i forcave speciale të Gardës për 25 vjet dhe për të siguruar mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë. Mora shkas dhe nga viti 1998, ku shumë subjekte u plaçkitën dhe u dogjën, pasi unë u lirova nga Garda në vitin 2006 për mosplotësim të gradës dhe dola në asistencë. Duke parë në këtë këndvështrim dhe për detyrën e drejtorit të Policisë Bashkiake Tiranë, mendova t’u vija në ndihmë subjekteve, që të mos cenoheshin nga qytetarët. Kur filloi tubimi, që qytetarët po vinin nga drejtimi i ministrive, unë isha te “Vëllezërit Frashëri” duke mbajtur kontakt me vartësit. Me të dëgjuar krismat dhe makinat ujëhedhëse, unë u afrova të shihja. Duke parë rëndësinë e subjektit dhe proporcionalizmin e ushtarëve të Gardës, konstatova se po gjuhej me fishekë luftarakë. Arsyeja ishte rënia e degëve të pemëve në tokë. U afrova te porta. Mora kontakt me drejtorin e Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, zv.drejtorin Gjergji Jorgo dhe Muhamet Rrumbullakun, që më kërkuan të bashkëpunoja me të gjitha mënyrat për të penguar lëvizjen e qytetarëve në drejtim të objektit. Në këtë moment tërhiqja çdo njeri që të krijonim një mundësi t’u bënim thirrje qytetarëve që të largoheshin nga kangjellat. Së bashku edhe me deputetet Besnik Bare dhe Artur Çuka, që bashkëvepruan edhe me policinë.
Duke parë mënyrën e bashkëveprimit te këta deputetë, u munduam që t’i largojmë të gjithë qytetarët nga gardhi ku unë vetëm kam qëndruar mes policisë së rendit. Duke parë që porta ishte e hapur, kalova në hyrje. Aty vazhdova duke kapur qytetarët për t’i larguar nga porta. Duke i kthyer kurrizin objektit të rëndësisë së veçantë dhe me ç’mundesha t’i largoja personat nga hyrja kryesore. Momenti që unë kam vlerësuar si vërtet kritik ishte kur gjuhej me armë nga të gjitha anët. Largova një djalë rreth 16-17 vjeç duke u kthyer 360 gradë, e nxora para vetes. Kur e largova, në një distancë rreth tre metra në të djathtën time, pashë një qytetar të shtrirë. Iu afrova dhe pashë që personi bëri një lëvizje të dorës së majtë, pastaj ktheu kokën në të djathtë. Mendova se u rrëzua dhe i shkova në ndihmë. Kërkova ndihmë nga disa njerëz aty pranë sepse kuptova që ai kishte vdekur. Erdhën disa persona, e morën dhe e çuan në spital.
Prokurori: Gjatë kohës që ju po kryenit këto veprime, e keni vënë re se si ishte porta?
Dajti: Porta ishte e hapur kur unë po flisja me eprorët e Policisë së Shtetit. Po u bëja thirrje qytetarëve të mos gjuanin me gurë. Unë u largova njëherë nga tymi.
Prokurori: Ka pasur gardistë?
Dajti: Brenda portës kishte vetëm gardistë.
Prokurori: Po jashtë?
Dajti: Jashtë porte jo.
Prokurori: Çfarë bënin protestuesit në ato momente?
Dajti: Protestuesit gjuanin me gurë, shanin, bërtisnin. Unë i largova 5 metra larg nga dera.
Prokurori: Përveç personave që ishin aktivë, persona të tjerë kishte aty?
Dajti: Shumë.
Prokurori: Kur konstatuat ju që nisën qitjet?
Dajti: Orën s’e kujtoj. Kur jam afruar te hyrja kam konstatuar se po qëllohej.
Prokurori: E keni parë drejtimin e qitjes?
Dajti: Drejtimin nuk e kam parë, pasi isha me kurriz herë-herë. Kishte drejtime të ndryshme, në drejtim vertikal, nga lart poshtë.
Prokurori: Si ishin vendosur gardistët?
Dajti: Duke pasur përvojë për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë dhe për situatën, unë dhe kolegët e mi e kemi ruajtur atë objekt. Unë bëja organizim tjetër. Për mendimin tim, nuk kishte organizim. Ishin një grup te shkallët, te hyrja e Kryeministrisë nga ana e Piramidës. Një pjesë tjetër ishin afër rrethimit të gardhit. Lëvizjet e tyre nuk i kam parë.
Prokurori: Sa veta ishin te shkallët?
Dajti: Kanë qenë mbi 10-15 veta.
Prokurori: Ke parë të kenë kryer qitje këta persona?
Dajti: Unë nuk mund ta përcaktoj kush ishte. Me armë gjuhej, por pozicionet s’i kam parë. Armët ishin të drejtuara nga turma, nga bulevardi. Kam parë që qëllohej me armë luftarake. Pozicioni i tyre ka qenë nga dera nga Piramida deri te qoshja.
Gjykata: Sa veta ishin ata që qëllonin?
Dajti: Rreth 5-6 veta.
Gjykata: Në ç’mënyrë po qëllonin?
Dajti: Në mënyra të ndryshme.
Prokurori: Thatë që keni parë personin që vdiq pranë portës. Keni parë ndonjë mjet aty pranë?
Dajti: Jo, nuk kam parë.
Prokurori: Po gjatë zhvillimit të protestës?
Dajti: Jo, pastaj lëviza.
Prokurori: Brenda rrethimit, konstatuat ndonjë pengesë tjetër?
Dajti: Te porta kryesore nuk kishte gjë, ndërsa në pjesët e tjera, veç kangjellave kishte edhe tela me gjemba.
Av. Gjokutaj: Pozicioni juaj në Gardë?
Dajti: Nga 1987-a deri në 2006-n kam qenë komandant i Komandës Operacionale, që më pas u quajt Forcat Speciale.
Av. Gjokutaj: Kush e organizoi protestën?
Dajti: Nuk kisha dijeni.
Av. Gjokutaj: Në dijeninë tuaj, që do të kishte demonstratë e mësuat dhe orën?
Dajti: Po.
Av. Gjokutaj: Ju morët pjesë në protestë, apo jo?
Dajti: Vazhdova funksionin.
Av. Gjokutaj: Sa kohë qëndruat të protestë?
Dajti: Në momentin që më thirrën drejtuesit e Policisë së Tiranës s’e kujtoj orën.
Av. Gjokutaj: Me çfarë cilësie morët kontakt me ta?
Dajti: Kemi pasur gjithnjë bashkëpunim në lidhje me mbarëvajtjen e tubimeve apo protestave.
Av. Gjokutaj: Si të thirrën, si të lajmëruan?
Dajti: Live, ballë për ballë, pasi telefonat nuk punonin. Kishin dalë nga zhurmuesit jashtë kontrollit.
Av. Gjokutaj: Po pse u afruat aty?
Dajti: U afrova si qytetar, se dëgjova krisma.
Av. Gjokutaj: Kishit armë me vete atë ditë?
Dajti: Jo, nuk kam pasur.
Av. Gjokutaj: Thatë që drejtuesit e Policisë ju kërkuan ndihmë. E ofruat ju?
Dajti: Po.
Av. Gjokutaj: Sa kohë e ndihmuat policinë?
Dajti: Derisa mbaroi aktiviteti.
Av. Gjokutaj: Ku ka qenë policia pas orës 16:00?
Dajti: Në vendin e saj. Po unë kam qenë shumë i tensionuar.
Av. Gjokutaj: Keni parë ju njeri të hyjë brenda rrethimit?
Dajti: Në momentin e parë që qytetarët u afruan te dera, unë shkova aty. Nuk kam parë demonstrues brenda rrethimit.
Av. Gjokutaj: Cilët ishin deputetët?
Dajti: Arben Çuko, Besnik Bare dhe Sajmir Tahiri.
Av. Gjokutaj: U fut ndonjë deputet brenda rrethimit.
Dajti: Nuk kam konstatuar.
Av. Gjokutaj: Mendoni se i keni zmbrapsur njerëzit?
Dajti: Mendoj se e kam zbatuar detyrën si qytetar.
Av. Gjokutaj: A kanë kryer detyrë tjetër punonjësit e Policisë Bashkiake?
Dajti: Po, i kam lëvizur të plagosurit me makinat e Policisë Bashkiake.
Av. Gjokutaj: Jeni takuar atë ditë me kryetarin e Partisë Socialiste. (Ndërhyn trupi gjykues, nuk lejon përgjigjen.)
Av. Çerepi: Thatë që kishte vdekur. Si e konstatuat?
Dajti: E pashë që i doli shkumë nga goja, vuri dorën në zemër dhe iku për lesh.
Av. Çerepi: Ishte i vdekur, apo në gjendje kritike?
Dajti: Mund të kishte një shpresë të fundit.
Av. Çerepi: Thatë që kishit organizuar strukturat. Ç’komunikim keni pasur.
Dajti: Atë ditë nuk patëm komunikim, vetëm me fishkëllima. Me mjete unë komunikova para dhe pas. Merrnim ambulancën në telefon, ajo nuk vinte. Komunikonim zinxhir, unë i thosha njërit, ai tjetrit e me radhë.
Av. Çerepi: Pse iu kërkuat protestuesve të largoheshin nga kangjellat?
Dajti: Për t’i larguar nga objekti dhe të mos qëllonin policinë.
Av. Çerepi: Mendoni se demonstruesit u rrezikuan?
Dajti: Po, mendoj se rrezikoheshin nga gjuajtjet me armë.
Av. Çerepi: Kishte gazra dhe tym në atë kohë në bulevard? Të ka dhënë efekt?
Dajti: Po, kishte gaz lotsjellës. Me ka dhënë efekt. Kam parë edhe njerëz të tjerë duke u kollitur, duke qarë e duke u shtrirë përtokë.
Av. Çerepi: E identifikoni të pandehurin? (Tregon me gisht Llupon.)
Dajti: E kam stërvitur. Atë ditë nuk e kam njohur, pasi kam qenë me kurriz.
Prokurori: Nga grupi me 5-6 persona që qëllonin a keni njohur kush janë?
Dajti: Për momentin jo. Vetëm zëvendësin tim kam njohur, Agim Llupon. Dyshova në moment dhe më pas e verifikova nga pamjet filmike në televizion. Ai ishte te frëngjia te cepi i godinës. E dallova ditën e ngjarjes nga tiparet e fytyrës. Dyshova në atë moment.
Prokurori: Si u bindët?
Dajti: U binda nga media më pas.
Av. Çerepi: Në ç’kënd po qëllonte ai në cep?
Dajti: Në drejtim të pishave, në kënd 30-40 gradë.
“Më 21 janar më goditën me plumb 1 cm nën zemër”

Rrëfimi i dëshmitarit Erald Bisha në Gjykatë: Nuk mora pjesë në protestë
Më 21 janar 2011 ai ka marrë një plumb në gjoks, vetëm një centimetër poshtë zemrës. Erald Bisha, dëshmitar i Prokurorisë, tregoi dje në Gjykatën e Tiranës se si ishte plagosur pasi kishin nisur krismat brenda rrethimit të Kryeministrisë gjatë demonstratës së opozitës.
DËSHMIA
Prokurori: Na tregoni rrethana në të cilat jeni ndodhur më 21 janar? Jeni lënduar apo jo? Çfarë keni parë?
Bisha: Më 21 janar, rreth orës 16:00, kam përshkuar rrugën e Kuvendit për të ikur në shtëpinë time te “Mihal Grameno”. U futa në bulevard para Kullave Binjake dhe më pas kalova në pjesën e sipërme, te trotuari i Piramidës, afër stendës së gazetarëve, te pisha e dytë. Isha duke vëzhguar. Isha i vetëm. S’ka pasur persona të tjerë që njihja aty vërdallë. Kaluan rreth 10-15 minuta dhe nisën të shtënat. Fillimisht ishin tek e tek dhe pastaj me breshëri. U kërrusëm instinktivisht. Ndjeva një goditje në gjoks. I tronditur u ktheva në mes të bulevardit, për t’u kthyer në drejtim të Bllokut. Te Kullat ishte një ambulancë. Kërkova ndihmë aty, pasi kisha hemorragji dhe nuk po kisha më fuqi të ecja. Aty nuk më thanë se ç’kisha. Pastaj më dërguan në Spitalin Ushtarak dhe atje u futa direkt në sallën e operacionit. Ndenja një natë aty. Ditën tjetër shkova në një klinikë private. Nga skanimet rezultoi se plumbi kishte kaluar 1 centimetër poshtë zemrës. Plaga ishte tejshkuese me hyrje në pjesën ballore dhe dalje në pjesën e shpatullave. Kam vazhduar kurimet përreth një muaj.
Prokurori: Risqaroni itinerarin e lëvizjes suaj atë ditë?
Bisha: U futa në bulevard nga rruga e Kuvendit, në pjesën te trotuari para Kullave.
Prokurori: Çfarë patë dhe konstatuat aty?
Bisha: Kishte grumbuj njerëzish. Po ndodhnin veprime të dhunshme nga të dyja palët. Nga turma qëllohem me gurë dhe policia qëllonte. Pashë që përlesheshin. Hipa te trotuari para Piramidës si zonë më e qetë.
Prokurori: Në këtë moment porta e Kryeministrisë ishte e hapur apo e mbyllur?
Bisha: Në këtë kohë ishte e mbyllur.
Prokurori: Kur i dëgjuat krismat?
Bisha: Krismat kanë ardhur nga Kryeministria.
Prokurori: E vlerësoni drejtimin dhe këndin e qitjeve?
Bisha: Pashë që u këputën degët e pishës para nesh. Aty unë u godita pastaj.
Prokurori: Patë njeri konkretisht që qëllonte?
Bisha: Aty ku isha unë nuk mund të shihej gjë.
Prokurori: Shikonit lëvizje të personave brenda rrethimit të Kryeministrisë?
Bisha: Pashë vetëm një që ishte te dritarja, te cepi i godinës, që rrinte i pozicionuar. Ishte një si gjysmëllogore aty. Ai rrinte konstant i pozicionuar.
Prokurori: E patë të qëllonte?
Bisha: Nuk mund të them. Unë e pashë që qëndronte i pozicionuar.
Prokurori: Personat që ishin aty pranë teje kishin gjësend të paligjshëm në duar?
Bisha: Jo.
Prokurori: Po ju vetë?
Bisha: S’kam pasur asgjë.
“S’i njohu armët”
Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Ndrea Prendi, avokati Genc Gjokutaj, kërkoi dje kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë së dëshmitarit Dajti me deklarimin e dhënë prej tij në Prokurori në shkurt të vitit 2011. Sipas avokatit, në seancë Dajti e përcaktoi si MP5 llojin e armëve, ndërsa në deklarim ka thënë “armët nuk mund t’i përcaktoj dhe as i kam njohur personat që kanë qëlluar. Mund të them që kanë qenë me uniformë”. Po ashtu, avokati kundërshtoi edhe orarin kur Dajti kishte shkuar në bulevard. Në Prokurori prej tij ishte thënë se rreth orës 14:00 ishte kontaktuar nga drejtuesit e Policisë së kryeqytetit.“Na shënjestroi”
Trupi gjykues pranoi dje kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë së Erald Bashës nga ana e përfaqësuesve të akuzës në proces. Për të bërë kundërshtimin, prokurorët paraqitën në seancë procesverbalin e mbajtur gjatë pyetjes në Prokurori të dëshmitarit më 15 mars 2011. “Kam parë një ushtar të Gardës që shënjestroi drejt nesh. Në fillim qëlloi tek e tek dhe pastaj me breshëri”, kishte thënë dëshmitari në Prokurori. Dje në seancë, dëshmitari tha se personi në cepin e godinës qëndronte i pozicionuar, por pa mundur të
dallonte nëse ai kishte shtënë apo jo.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











