Zvicra u mohon biletat tifozëve shqiptarë

Aug 23, 2012 | 14:11

Interesim i jashtëzakonshëm për sfidën Zvicër-Shqipëri. Ndeshja e 11 shtatorit, e planifikuar të luhet në Lucern të Zvicrës, duket se ka nisur të nxehet akoma pa filluar mirë. Dyndje tifozësh shqiptarë para sporteleve të stadiumit, apo edhe nëpër internet për të kërkuar një biletë, janë shumë të mëdha. Federata Zvicerane e Futbollit ka ndarë rreth 800 bileta për tifozët shqiptarë, që është afërsisht 5% e kapacitetit total të stadiumit, aq sa edhe parashihet me rregullore të FIFA-s për ekipin mysafir. Një tifoz shqiptar, A.H., i cili jeton në Zvicër, i ka thënë “asport.info” se biletat e tjera të vëna në treg shiten vetëm për shtetasit zviceranë, duke treguar se është dashur që ai ta dokumentojë me pasaportë shtetësinë zvicerane për ta blerë biletën. “Federata e Zvicrës po njësoj ka vepruar edhe kur ka luajtur me Turqinë, i ka shitur biletat vetëm me pasaportë”, – ka thënë tifozi, i cili ndihet shumë i pakënaqur me trajtimin. Kjo mund të shihet si një “frikë” e Federatës Zvicerane që stadiumi i Lucernit të mos mbushet me tifozë shqiptarë. Ndryshe, grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares “Tifozat Kuq e Zi” kanë thënë se kanë në dispozicion vetëm 800 bileta e që është shumëfish më pak sesa kërkesa. Njëri nga organizatorët thotë se ka fluks jashtëzakonisht të madh për të marrë një biletë, meqë tani botërisht dihet se Federata Zvicerane e Futbollit i shet biletat vetëm për shtetasit zviceranë, jo për të tjerët. “Ne jemi të shtrënguar që biletat t’i ndajmë vetëm për një pjesë të anëtarëve, pasi na janë vënë shumë pak bileta në dispozicion, madje edhe ato që na janë dhënë, janë me çmime të kripura, rreh 45 CHF për një biletë”, – ka përfunduar ai. Ndeshja Zvicër-Shqipëri zhvillohet më 11 shtator 2012 në stadiumin e Lucernit, i cili ka një kapacitet prej rreth 17.000 vendesh.

© Panorama.al

Te lidhura