Partia Socialiste u tërhoq dje nga kërkesa për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi, duke u përqendruar vetëm në njërën nga dy paditë që kishte dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor. Tashmë beteja e saj ligjore do të lidhet me kërkesën e saj që Kolegji Zgjedhor ta detyrojë KQZ-në të shqyrtonte pavlefshmërinë e rezultatit të shpallur prej tij, që i jep fitoren me 93 vota në avancë kandidatit Lulzim Basha.
Sipas socialistëve, ndërmarrja e këtij hapi nuk cenon qëllimin e tyre për të shpallur të pavlefshëm rezultatin, por u bë për taktikë që të shmanget bashkimi i të dyja kërkesave në një, siç do të kërkonte PD në Kolegj. Që kjo është taktikë, duket. Por jo e gjitha është taktikë. Nëpërmjet taktikës, pra shtyrjes së gjyqit për nesër që të shqyrtohet kërkesa e saj e datës 2 korrik për vendimin e KQZ-së, PS kërkon që të sigurojë një formulë tjetër të trupit gjykues. Pra ajo shpreson fort tek influencat e veta mbi anëtarë të ndryshëm të KQZ-së dhe nëpërmjet rivotimit brenda Kolegjit të përfitojë një trup gjykues që përafron më shumë, sipas perceptimit të saj, me qëndrimet e Partisë Socialiste. Pra PS shpreson të marrë pjesën e tortës nga presioni i përqendruar që ajo ka bërë ndaj Kolegjit pothuajse çdo ditë nëpërmjet gjithë zyrtarëve të saj e më së shumti nëpërmjet kryetarit të PS-së, Edi Rama. Po ashtu, sipas kësaj pritshmërie, i bie që ndonjë anëtar i Kolegjit Zgjedhor të jetë, ndërkaq, edhe asi nën mëngë i PS-së për seancën që mendohet të jetë edhe e fundit e procesit zgjedhor për Tiranën.
Ndërkaq, si pjesë e taktikës së PS-së është edhe zvarritja e procesit për të shfrytëzuar gjithë mundësinë që të jep Kodi Zgjedhor për ankimim. Nëpërmjet procesit të zgjatur dhe këmbënguljes synohet që të rritet perceptimi për padrejtësitë që i bëhen PS-së në proces, si dhe të ndërtojë imazhin e të persekutuarit prej Kolegjit apo KQZ-së. Ideja e këmbënguljes për ta zgjatur procesin me çdo kusht është edhe ideja për të fituar me çdo kusht. Fitorja me çdo kusht nuk është tipar i zgjedhjeve në demokraci, por në autokraci.
Ajo që nuk është taktikë vjen për shkak se tërheqja e PS-së nga kërkesa për pavlefshmëri i heq asaj thelbin e këmbënguljes së PS-së se votat u manipuluan në procesin e verifikimit apo se kishte cenim të integritetit të fletëve të votimit.
Tërheqja e saj prej kësaj kërkese e nxjerr zbuluar bashkë me dokumentacionin e pafund që ka dorëzuar te diplomatët dhe te Kolegji. Ai dokumentacion, i cili nuk hyri në punë asnjë çast, tashmë është zvogëluar vetëm në propagandë. Dhjetëra ekipe që kanë konsumuar orë e orë të tëra për të gjetur gjilpëra në kashtë, që kanë thërritur ‘i gjetëm gjilpërat’ dhe që Rama ka thënë se i ka parë ato, bile edhe i ka prekur, tashmë nuk kanë vlerë. Nuk besohet shumë të thuhet se vlera ra në tregun e taktikës. Nëse provat e pretenduara do të kishin vlerë, taktikat, cilado qofshin, do të ishin të varfra përpara tyre.
Më tej, kjo tërheqje shërben për të verifikuar besimin e shumë ekspertëve se këmbëngulja e Ramës për pavlefshmëri nuk ishte procedurale dhe se kishin kaluar të gjitha afatet brenda të cilave ajo konsiderohej një kërkesë ligjore. PS nuk u përball me kauzën e saj. Për me keq, e zëvendësoi kauzën me taktikën dhe ia la në dorë flamurin e saj më valëvitës, Partisë së Pensionistëve. Rama duhet të shpjegojë se pse e bëri një tërheqje të tillë, pasi vetëm për taktikë është e pabesueshme. Zyrtarë të lartë të kësaj partie thanë se PS nuk ka hequr dorë prej pavlefshmërisë, por është vetëm një vonesë në kohë, pasi do t’i rikthehet kësaj kërkese pas vendimit tjetër që do të marrë KQZ-ja nëse Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS-së, që shqyrtohet sot. Duke i besuar rrugës që ka menduar Rama, pra edhe rikthimit, fuqia e kauzës së tij për pavlefshmëri dhe një betejë të re për Tiranën, është dobësuar prej rrugës që ka bërë dhe i ka rënë morali prej tërheqjes nga beteja e parë.
Po sikur Kolegji të japë sot një vendim kundër kërkesës së PS-së? Çfarë është edhe e pritshme. Atëherë procesi pothuajse ka marrë fund, duke pritur edhe shqyrtimin e një ankese tjetër të premten nga Partia e Pensionistëve. Por, ka marrë fund me PS-në. Kjo parti humb betejën ligjore jo me kauzën e saj në dorë, pavlefshmërinë, por me një kërkesë procedurale.
© Panorama.al












