Zv.kryeministri Haxhinasto, incident me policinë në autostradë

Jul 27, 2012 | 12:36
Edmond Haxhinasto

TIRANE – Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, u përfshi në një incident mbrëmjen e së mërkurës me policinë rrugore në autostradën Tiranë-Durrës. Incidenti ndodhi kur automjeti zyrtar tip “Volkswagen Passat”, në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, po kthehej nga Durrësi drejt kryeqytetit. Makina drejtohej nga shoferi i Haxhinastos, ndërsa aty ndodhej edhe vetë zv.kryeministri. Burime të rezervuara nga Policia thanë dje se debati mes shoferit dhe Haxhinastos me efektivat e Policisë Rrugore ka nisur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara me të cilat po lëvizte automjeti zyrtar. Makina e Policisë e ndoqi makinën e ministrit të Ekonomisë deri pak kilometra afër Tiranës, derisa të dyja automjetet ndaluan dhe filloi debati. Sipas burimeve, efektivat e Policisë nuk kanë shquar qartë që mjeti ishte me targë zyrtare, dhe për këtë arsye kanë kërkuar që të ndalojë, madje duke lajmëruar edhe prezencë të patrullave të Njësisë së Kontrollit të Autostradave. Në vendin e incidentit kanë shkuar edhe efektiva të Gardës së Republikës, të cilët janë shoqërues të zv.kryeministrit Haxhinasto, gjithashtu edhe kreu i Njësisë së Kontrollit të Autostradave, Krenar Ahmeti. Debati ka zgjatur deri me mbërritjen e Ahmetit dhe efektivëve të Gardës, të cilët më pas kanë shoqëruar në destinacion automjetin ku udhëtonte zv.kryeministri Edmond Haxhinasto. Ndërsa efektivët që ndodheshin në automjetin e Policisë kanë sqaruar se incidenti ndodhi për shkak se ata nuk arritën të shihnin qartë që targa e automjetit “Volkswagen” përfundonte me germën “Z”. Burimet thanë se incidenti zgjati vetëm disa minuta, deri në sqarimin e situatës.

© Panorama.al

Te lidhura