Zoti Rama, mirë se të kthehesh në pushtet!

Jul 15, 2011 | 10:47

ROLAND QAFOKU

Pas 20 prillit të vitit 1998, Edi Rama për herë të parë po e shikon veten në opozitë. Në një opozitë prej vërteti, ama. Ka humbur kolltukun e ministrit të Kulturës, ka humbur kolltukun e kryetarit të Bashkisë, dhe që nga momenti kur Kolegji Zgjedhor tha se Basha ishte fitues, lartësia e detyrës së kryetarit të PS-së i duket e vogël, e vockël fare kur deri tani ishte mësuar se sido që të ishin punët, ai qëndronte atje lart, në pushtet. Aq sa Ismail Kadare, në poemën e fundit me titull “Tirana në dimër”, i kushton këto vargje shumë domethënëse:
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq,
të dehur qejfit krejt nga marrja e hakut.
I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq
shfaqet mes brymës kryebashkiaku.

Mund të thotë kush se të qenit kryetar i Bashkisë nuk ishte pushtet dhe se Rama nuk diti ta përdorte jashtë dhe brenda PS-së? Jo se jo. Opozita reale prej vërteti për Edi Ramën nis tani. Kjo që e pret, kjo po që është opozitë. I takoi të jetë 47 vjeç, pa e menduar se kur ishte 34 do ta niste politikën me pushtet dhe këto vite mjalti do të vazhdonin për 13 vjet. Çështja tashmë nuk shtrohet për diskutim, siç bëmë prej më shumë se dy muajsh nëse e ka fituar Bashkinë për herë të katërt, apo jo. Madje as çështja e të qenit të tij apo jo realisht në krye të PS-së nuk shtrohet më si vite më parë. Çështja është se çfarë do të bëjë Rama tani e tutje? Ç’do bëjë me partinë e tij, të cilën e mori, siç u shkon për shtat ta thonë disa, si një dhjetë mijë lekëshe të gjetur në rrugë dhe tashmë e ka të hipotekuar. Personalisht mendoj dhe jam kundër atyre që bërtasin se Rama duhet të largohet, të ikë si një humbës apo ultimatume që nuk kanë lidhje as me demokracinë, e as me atë që quhet zotësi. Janë të njëjtët njerëz që kishin mundësi të garonin me Ramën, të viheshin në garë me të dhe fitonin.
Mes shumë figurave të rëndësishme në PS, Rama ka meritën që synoi dhe ideoi qartë i pari dhe në mos i vetmi të ishte kryetar i saj. Kryetar në një moment që jo thjesht anija socialiste lundronte në det të hapur dhe po mbytej, por kapiteni i saj legjendar Nano e braktisi dhe një Zot e di se ç’do të bëhej. Por, brenda kësaj është edhe një meritë tjetër absolute e Ramës, që nuk është pak dhe tregon shumë: Nga momenti që ai është bërë kryetar i PS-së, nuk ka asnjë parti të re të dalë nga PS. A është pak kjo? Qarkullon si legjendë në qarqet politike që një ministër i PD-së mësohet të ketë thënë: I keq apo i mirë, Rama ka një vlerë, që nuk e la PS të ndahet. Nëse një ditë ikën Berisha, jam i sigurt që nga PD do të lindin katër parti.
Por, në Partinë Socialiste Rama aktualisht është i vetmi që nuk ka kohë për të humbur. Ka një detyrë madhore përpara, si zgjedhjet e 2013-s dhe si forcë opozitare i duhet të formatojë një projekt dhe program që të dalë doemos fitues. Një fitues me të cilin nuk fiton vetëm ai, vetëm PS, por nëse zbatohen rregullat e lojës së politikës moderne, fiton Shqipëria. Por si do të arrijë Rama të jetë fitues në këtë situatë të re? Në këtë situatë ku jo thjesht nuk është më kryetari i Bashkisë, që sido që të ishin punët, vetëm me ushtrinë e 4 mijë të punësuarve aty mund të bënte çudira politike. Jo thjesht se kishte në dorë të lëvizte ingranazhet më të mëdha, më të rëndësishme të qendrës së Shqipërisë. Doemos, për të arritur këtë duhet të bëjë disa gjëra që nuk i ka bërë më parë. Disa gabime më mirë, që nëse i ndryshon, atë e ndihmojnë shumë. T’i marrim me radhë:
Duhet të jetë njeri i mirë.
E para është që në këtë situatë, Rama duhet të bëhet një Ramë i mirë. Larg të qenit prepotent, arrogant apo diktues i vendimeve dhe ideve të tij, të cilat mund të ishin shumë normale në Bashki, Rama duhet të ndryshojë kursin dhe mënyrën e të sjellit në PS. Të gjithë e dimë që Rama s’para ka qejf të jetë shumë i sjellshëm me të gjithë. S’para ka qejf të përsërisë shumë herë fjalët mirëmëngjes, mirëdita, mirëserdhe, mirupafshim. Kritikët e tij, që nga marrja e detyrës e cilësonin si defektin numër një të kryetarit që “vetë vendos e vetë vulos”. Por tani duhet ta harrojë këtë nëse dëshiron të arrijë një qëllim. Të parëndësishëm apo të rëndësishëm, të njohur dhe të panjohur, të arsimuar apo jo, të ndotur apo jo. Ky takëm njerëzish janë dhe do të jenë ushtria e votave të Ramës dhe, si e tillë, duhet t’i respektojë.
Duhet të bëjë bashkimin e madh.
Bashkim pa bashkuesin nuk ka. Por, ec e kuptoje Edi Ramën, që brenda vitit 2011, të vetmin bashkim ka atë me Anastas Angjelin. Si mund të vijë në pushtet pa një radhë socialistësh të vjetër e të rinj që nuk e heq zhargonin xhaketa të vjetra? Në fakt, një pjesë e tyre mund të jenë prerje të vjetra, por, ama, janë firmato PS. Ata vlejnë më shumë se shumë e shumë imitime që në tregun politik nuk kanë bërë asgjë, që hiqen për shumë dhe rezultojnë të mos jenë asgjë. Si do të vijë në pushtet Rama nëse nuk pranon dhe t’i thotë hapur vlerat e kryetarit të PS-së? E do apo nuk e do Edi Rama, ai është pjesë e PS-së, e historisë së saj, dhe çfarë argumenti ka Rama kur në 20-vjetorin e PS-së, të vetmin kujtim kishte fjalimin e Dritëro Agollit? Askush nuk i vë në diskutim vlerat e Agollit, por themeluesi dhe kryetari i parë i PS-së ishte Fatos Nano dhe Rama nuk mund të bëjë të njëjtën gjë që bëri me historinë. A mund të ishte normale që nëse në vend të Ramës të kishim një kryetar tjetër të PS dhe ai me krenarinë e detyrës të mos i zinte në gojë fare vitet që Rama ishte kryetar?
PS + LSI = Pushtet
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe aleanca e munguar e PS-së me LSI-në. Edhe njeriu me intelektin më të vogël bën një llogari të thjeshtë. Nëse PS dhe LSI bëjnë koalicion, e majta vjen në pushtet. Rama thotë se për hir të kësaj e asaj nuk bën koalicion. Atëherë, rri në opozitë, zoti Rama. Por, mos thuaj pastaj që votat m’i vodhi Berisha. Jo, zoti Rama, ju nuk doni që e majta të vijë në pushtet.
Duhet të rregullojë raportin me median
Ka një pikë të dobët dhe të fortë Rama në këto 13 vjet që ishte në pushtet. Kjo ishte media. Nuk ka shqiptar që nuk mendon se Rama ka qenë dhe mbetet mjeshtër i raportit për interes të vet me median. Simpatizantët e Nikolo Makiavelit do të të vlerësonin, dhe të jesh simpatizant i një prej teoricienëve dhe këshilltarëve të udhëheqësve, nuk është gjithnjë negativitet. Por Rama, në periudhën 2-vjeçare të opozitës, duhet të rregullojë pa mëdyshje marrëdhëniet me televizionet e gazetat. Ai nuk duhet t’i quajë më gazetarët pjesë të ushtrisë dhe për të e rëndësishme është pronari. Ai nuk duhet të bëjë më selektime për deputetë që duhet të shkojnë apo jo në aksh emision dhe aksh televizion. Ai nuk duhet të harxhojë më kohë për keq për t’u marrë me gazetarë dhe drejtues në institucione mediatike. Ai duhet t’i shndërrojë gazetarët në partnerë realë natyralë dhe aleatë në një betejë që u intereson të gjithëve.
Jo armik i ndërkombëtarëve
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, Rama duhet të rregullojë urgjent raportet me ndërkombëtarët. Politika shqiptare është aq fraxhile, e vogël dhe pa këllqe që të arrijë të kundërshtojë përfaqësuesit e kancelarive ndërkombëtare. E pra, duhet të themi se Rama ka bërë të fortin me ta dhe kohët e fundit, në forma të ndryshme, e ka bërë rregullisht. Po e mendon se në luftë me ndërkombëtarët Rama mund të vijë në pushtet? Kurrën e kurrës. Fraza gjatë një deklarate ditën e mërkurë, se ndërkombëtarët nuk duhet të bëhen palë me hajdutët, është një këshillë që asnjë ndërkombëtar nuk ia ka kërkuar dhe më shumë se kaq, është një këshillë e keqe, e rëndë dhe aspak shpresëdhënëse për PS-në. Pikë për pikë, Rama kopjon këtu Berishën, jo Berishën e kalkulimeve dhe akrobacive fantastike politike, por Berishën e ditëve më të këqija, që edhe vetë e ka pranuar.
* * *
Pra, në mënyrë që opozita të funksionojë shumë mirë, që Rama të drejtojë shumë mirë, që PS të jetë vërtet një parti moderne, Rama duhet të ndryshojë kurs. Kurs që nis duke menduar ditën e parë kur u fut në zyrën e ministrit të Kulturës dhe që nga ai moment shijoi 13 vite në pushtet. Një pushtet që mund të vijë vetëm nëse ndjek rregullat e arta e të pashkruara të politikës. Zoti Rama, mirë se të kthehesh në pushtet!

 

ROLAND QAFOKU

© Panorama.al

Te lidhura