Këtë titull e kam marrë nga një batutë në filmin “Shtigje lufte”, që është thënë në momentin që personazhi kryesor shkon te çeta partizane me ndihma për të ardhurit nga qyteti, por miku i tij ia kthen se “ishte me shumë vonesë, delegatët ikën”. Kjo është panorama më reale që i shkon përshtat asaj që po bën, ose më mirë akoma, kërkon të bëjë, Fatos Nano me PS-në. Kur tashmë i ka harxhuar të gjitha piruetat e tij për President, ka dhënë me dhjetëra deklarata kontradiktore, ka folur mbi palët, pro palëve dhe ka kërcënuar hapur të gjitha palët, ka premtuar me dhjetëra herë se do nisë një lëvizje të re në PS, Fatos Nano vetëm një gjë nuk ka kuptuar: tashmë edhe të dojë ai, edhe era është kundër tij dhe Partisë aktuale Socialiste nuk i hyn më gjemb në këmbë nga kësisoj lëvizjesh.
Ajo nuk është më një parti e tulatur mes të shkuarës së Nanos dhe të tashmes së Edi Ramës. Ajo nuk është më një parti e dyzuar për të thënë ose jo fjalën ndryshe, ajo nuk është më një parti që për të shkuarën flet me krenari. Ajo tani është parti e Edi Ramës dhe çdo lëvizje nga jashtë e brenda do të shndërrohet shumë shpejt në një flakë kashte që më parë nis të shuhet, sesa të digjet.
Fatos Nano edhe në aspektin aritmetik harron një gjë të rëndësishme. Koha rrjedh si uji i lumit dhe ajo është gjykatësi më i madh. Pas shumë pak muajsh, Partia Socialiste hyn në vitin e tetë nën drejtimin e Edi Ramës. Por, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, edhe Fatos Nano po tetë vjet e drejtoi realisht vetë Partinë Socialiste. Ai doli nga burgu në vitin 1997 dhe dha dorëheqjen përfundimtare nga ajo parti në vitin 2005. Pra, fiks tetë vjet. Gjatë kohës në burg vërtet Nano ishte kryetar, po a mund të themi se në ato kushte atë parti e drejtonte realisht Nano? Kështu, në aspektin vetëm kohor, nëse sot shkruajmë historinë e PS-së, si Rama e Nano kanë kohë pothuajse të barabartë të drejtimit të PS. Me ndryshimin që Edi Rama është shumë i ri dhe është ai që e zotëron këtë parti, dhe jo vetëm mund ta kalojë Fatos Nanon për të drejtuar PS-në, por një ditë nuk është çudi që Edi Rama të quhet lideri historik i Partisë Socialiste. Dhe jo vetëm kaq: të gjitha strukturat në këtë parti, seksionet, drejtuesit lokalë dhe qendrorë, të zgjedhur në pushtet lokal, janë dhe kanë bekimin e Edi Ramës.
Por Fatos Nano nuk e ka bërë, dhe për këtë duhet të sqarojë njëherë atë që edhe pse kanë kaluar kaq kohë, vazhdojnë ta mbështesin. Nuk e bëri në atë kongres të vitit 2005 kur shumica e sallës në Teatrin e Operës dhe Baletit më shumë i kishin sytë nga dera se po vinte Nano, sesa nga podiumi ku Edi Rama po zgjidhej kryetar. Më kot delegatët pëshpëritnin “erdhi tani” e “erdhi pastaj”. Fatos Nano nuk erdhi, dhe ky ishte zhgënjimi i parë.
Fatos Nano nuk e bëri këtë as në vitin 2007, kur Partia Socialiste po bënte një opozitë elegante, moderne, pa sharje, akuza e denigrim të kundërshtarit, me tezën e çuditshme se “ne funksionojmë ndryshe”. E kërkuan idealistët e PS-së të niste lëvizjen, por jeta e Vjenës dukej se ishte shumë më e ëmbël se një tur në bazën e PS-së. Ky ishte zhgënjimi i dytë.
Nuk e bëri as më 15 mars të vitit 2006, kur pas shpërthimit të Gërdecit Edi Rama i rrahu shpatullat Berishës dhe në vend që opozita të shndërronte në kauzë dhe kazus gjëmën që ndodhi dhe të rrëzonte Berishën, i bëri karshillëk edhe LSI-së në bulevard, që edhe në të vetmin manifestim-protestë të mos kishte parulla kundër qeverisë. Ky ishte zhgënjimi i dytë.
Nuk e bëri as kur një lëvizje me emrin “Për Mendimin Ndryshe” lindi krejt natyrshëm në PS, por që kësaj lëvizjeje i mungonte lideri i formatit të Nanos. Nano ndoshta u lumturua me daljen e “pesë heronjtë e vigut socialist”, por në asnjë rast ai nuk iu bashkëngjit kësaj dhe e la në dorë të lirë, aq sa sot kjo lëvizje u katandis në formën e saj më të keqe, saqë sot mund të themi se Berisha ka të drejtë të thotë se ajo lëvizje u krijua për të përjashtuar Kastriot Islamin. Ky ishte zhgënjimi i tretë.
Fatos Nano nuk e bëri as kur idealisti dhe i ndershmi Petro Koçi themeloi Partinë e Vërtetë Socialiste. Por Nano, në vend të premtimit që Petro ta niste njëherë se ai do t’i vinte pas, i hipi avionit dhe frymën e mbajti në brigjet e “Danubit blu” në Vjenë. Petro idealisti, si gjithnjë, mbeti me gisht në gojë. Një herë nga Edi Rama që e përjashtoi, dhe një herë nga paraardhësi i tij Fatos Nano, që edhe ai e përjashtoi nga një lëvizje që pritej shumë. Ky ishte zhgënjimi i katërt.
Fatos Nano nuk e bëri as para 21 janarit, kur kjo forcë politike, që nuk kishte thyer një xham që nga koha e themelimit, po bënte greva urie, po bllokonte rrugë, po digjte goma makinash. Thjesht po kopjonte PD-në në opozitë që çfarë nuk kishte bërë. Ky ishte zhgënjimi i pestë.
Fatos Nano nuk e bëri as kur më 21 janar u vranë katër fatkeq në bulevard dhe përpos përgjegjësisë së qeverisë për viktimat, edhe PS nuk ishte pa gjë. Një forcë politike që drejton një demonstratë, kur i vriten demonstruesit, ka përgjegjësi që ç’ke me të. Ky ishte zhgënjimi i gjashtë.
Fatos Nano nuk e bëri as me humbjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2011, rasti dhe arsyeja më ideale për një lëvizje. Një rast që duhet t’i shtojmë edhe atë që në këtë parti fryma mbytëse kishte mbytur edhe zërat e korifenjve të saj që çuditërisht lëngojnë aty nën diktatin e rioshëve dhe rishtarëve socialistë, që edhe deklaratat në foltoren e PS-së ua shkruan Rama dhe fjalimet në Kuvend ua shkruan në mos Rama, ndonjë ndihmës i tij. Por Fatos Nano edhe këtë nuk e bëri. Ky ishte zhgënjimi i tetë.
Dhe çfarë? Fatos Nano kërkon ta bëjë tani? Edhe më entuziasti në kësi punësh e imagjinon Fatos Nanon më shumë në sportelet e Rinasit duke bërë check –in-in për në Vjenë, sesa në bazën e PS-së. Fatos Nano përfundimisht e humbi tashmë PS-së, ajo është parti e Edi Ramës. Ai mund ta kërcënojë, ta akuzojë, ta denigrojë me çdo lloj epiteti e duke gjetur edhe fjalë të reja si humbarak. Kjo nuk ka rëndësi. Tani edhe nëse seriozisht e nis këtë lëvizje që po e premton, përgjigjja është si te filmi “Shtigje lufte”: “Hë, hë, me vonesë, delegatët ikën”.
© Panorama.al












