Zjarri në malin e Taraboshit, pranga 58-vjeçarit

Aug 22, 2011 | 10:39

SHKODER/ELBASAN – Zjarri masiv i së shtunës mbrëma në malin e Taraboshit ka një autor. Sipas policisë, Hil Gjoni, 58 vjeç, është arrestuar me akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Nga hetimet e kryera mbi ngjarjen që rrezikoi përhapjen e flakëve deri në hyrje të qytetit ka rezultuar se shkak është bërë një zjarr i ndezur nga Gjoni pasditen e 20 gushtit. Rreth orës 16:45, ky shtetas dyshohet se gjatë punës në objektin e tij, që kishte nisur të ndërtonte në zonën e malit Tarabosh, Shkodër, ka pastruar territorin nga disa shkurre e ferra, të cilave më pas u ka vënë zjarrin. Për pasojë, ky zjarr është përhapur në pyllin e pishave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqen pyjore të malit e kullotave të Taraboshit, në disa fshatra të braktisura të komunës Ana Malit, si dhe në stacionin e TV Rozafës, në majën e malit të Taraboshit. Bilanci i flakëve ka qenë i rëndë: 50 hektarë shkurre dhe pemë pyjore të djegura dhe 16 shtëpi të braktisura. Gjatë gjithë natës është punuar nga forca të shumta policie, nga ushtria, FNSH, banorë të zonës, repartet e zjarrfikësve të Shkodrës, Lezhës, Pukës dhe Malësisë së Madhe që të bëhej e mundur shuarja e zjarrit. Situata ka qenë e rëndë dhe në Elbasan, ku më shumë se 4 vatra zjarri kanë rënë vetëm gjatë fundjavës, duke shkrumbuar, mes të tjerash, dhe kurorën e ullishtës mbi qytet. Vetëm dje, sipas burimeve nga reparti zjarrfikës, është shënuar një zjarr pranë antenave telefonike në qytetin e Gramshit. Në të njëjtën kohë zjarri ka përfshirë një masiv pyjor në fshatin Kudërqan, komuna Sult në Gramsh, ku është djegur një sipërfaqe prej 4 dynymë me pyje, pisha. Ndërsa flakët kanë përfshirë edhe disa shkurre në zona rurale të qytetit, ku edhe në këtë rast efektivat e zjarrfikëses kanë punuar për shuarjen e flakëve. Grupet hetimore të dërguara në vendin e ngjarjes, në përbërje edhe me ekspertët përkatës, po punojnë për të përcaktuar saktë shkaqet e rënies së zjarreve.           r.d/m.s

© Panorama.al

Te lidhura