SHKODER – “Njësitë vendore në zonën e Shkodrës ende nuk e dinë se duhet të parashikojnë në buxhetin e tyre një fond të veçantë për të përballuar zjarret në stinën e nxehtë. Kjo ka bërë që zjarrfikësit të vihen në vështirësi në raste të situatave të tilla dhe ta kenë të pamundur që me fondet e tyre të përballojnë operacione që zgjasin deri në 7 ditë”. Një fakt i tillë është pohuar nga Agim Dardha, shefi i Shërbimit Pyjor në Shkodër. Sipas Dardhës, zjarrfikësit apo shërbimet pyjore janë të gatshëm të japin ndihmën e parë për shuarjen e zjarreve, por në rastet kur shuarja e zjarreve zgjat me ditë të tëra, kostoja financiare është tepër e madhe. Njësitë vendore janë cilësuar si indiferente ndaj një problemi të tillë, i cili me sa duket me ardhjen e stinës së nxehtë të verës bëhet edhe më i madh. Drejtuesit e zjarrfikësve në Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë kanë kërkuar më shumë mbështetje, pasi ata e kanë të pamundur të mbajnë në kontroll sipërfaqe të tëra, ndërsa duhen sasi të mëdha karburanti apo dhe punëtorë. Në rrethin Shkodër rreth 15 milionë lekë është dëmi i shkaktuar nga zjarret e rëna gjatë 2011-ës, janë rreth 1183 ha që u dogjën në 30 rastet e shfaqura. Ndërsa Puka ka pasur 35 raste rënie zjarri dhe dëmi ka qenë rreth 8 milionë lekë. “Ne e kemi të pamundur të mbulojmë tërë sipërfaqen pyjore që kemi në administrim. Duhet të shtohet numri i vrojtuesve, në të kundërt zjarret janë të pashmangshme”, ka pohuar Qamil Brahimi. Në Pukë, komunat Qafë-Mali, Gjegjan dhe Iballë kanë qenë më problematiket gjatë vitit të shkuar. Gjatë viteve të fundit është bërë reduktim i numrit të punonjësve, por kjo ka sjellë probleme në menaxhimin e mirë të situatës në zonat pyjore. Nga ana e tyre kryetarët e komunave janë munduar që të justifikohen, duke pohuar se nuk e kanë ditur se duhet një fond i tillë. r.d











