TIRANE- Vështirësohet situata e krijuar nga zjarri, aktiv që një ditë më parë në Krrabë.
Duke folur për News 24, kreu i zjarrfikësve për qarkun e Tiranës, Haki Hoxha pohoi se situata është e vështirë për shkak të sipërfaqes së madhe të përfshirë nga zjarri.
Hoxha tha se zjarri tashmë ka kaluar në të dy anët e rrugës nacionale duke vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve për shkak të reve të dendura të tymit.
Sipas tij, në përpjekje për të shuar zjarrin janë 3 zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga Policia e Shtetit si dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Deri në këto momente nuk paraqitet ndonjë rrezik për banesat, pasi zjarri mbetet ende në largësi deri në 200 metra nga zona e banuar.
Ndërkaq, mësohet se shtetasit, Panajot Lika dhe Krenar Beqari janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme.
Situatë e vështirë nga zjarret është lajmëruar edhe në pyjet e zonës së Pukës, ku sipërfaqe të mëdha janë përfshirë nga zjarret. Sipas raportimeve mësohet se zjarret kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa kërkohet ndihmë nga ajri.
Një ditë më parë, ministria e Brendshme raportoi se në të gjithë vendin regjistrohen 33 vatra zjarri.
© Panorama.al











