Zjarret, Pyjorja: Nuk kemi fonde për vrojtues

Jun 17, 2011 | 9:08

SHKODER – Shkurtimi i fondeve nga Ministria e Mjedisit për të ndërhyrë në raste zjarresh dhe për mbajtur në eficiencë vrojtuesit e pyjeve e ka bërë të pamundur menaxhimin e rënieve të zjarreve gjatë këtyre viteve. Ky ka qenë shqetësimi i ngritur nga drejtuesit e ndërmarrjeve pyjore të Shkodrës dhe të Pukës gjatë një takim pune me prefektin e qarkut, i cili kishte si qëllim shqyrtimin e rasteve të vitit të kaluar dhe marrjen e masave për këtë vit ndaj mbrojtjes nga zjarret. “Gjatë vitit të kaluar, në rrethin e Shkodrës janë shënuar 13 raste të rënies së zjarrit në pyje dhe 4 raste në zonë kullotash. E thënë ndryshe, sipërfaqet e djegura në pyje janë 35.9 hektarë pyje dhe 7.5 hektarë kullota”, u shpreh Agim Dardha, drejtori i Ndërmarrjes Pyjore në Shkodër. Nisur nga sipërfaqja, niveli i dëmit ekonomik, sipas Dardhës, ka qenë i ulët, në nivelin e 650 mijë lekëve. Në fjalën e tij, drejtori i Pyjores evidentoi edhe problemin kryesor që kjo drejtori ka për këtë vit: shkurtimin e fondeve nga Ministria e Mjedisit, duke sjellë si rezultat edhe mungesën e vrojtuesve pyjorë. “Prania e këtyre vrojtuesve do të bënte që zjarri të kapej në kohë dhe po kështu në kohë të bëhet edhe ndërhyrja për shuarjen e zjarrit”, pohoi Dardha. Mungesën e fondeve e preku dhe drejtori i Shërbimit Pyjor në rrethin e Pukës, Gjin Filipi. Gjatë stinës së verës zjarret mbeten një nga problemet më të mëdha në qarkun e Shkodrës, ku përveç zjarrvënies së qëllimshme, problem mbetet edhe hapja e kullotave. Për rastet e identifikimit të zjarrvënies së qëllimshme, policia do të vërë para përgjegjësisë ligjore autorët, ndërsa në rastet e hapjes së kullotave, shefi i Repartit të Zjarrfikësve të qarkut Shkodër, Ilir Kopliku, u ka bërë thirrje fermerëve që të njoftojnë zjarrfikësit me qëllim që ata të jenë të pranishëm gjatë këtij procesi që zjarri të mos marrë në mënyrë të pakontrollueshme.               r.d

© Panorama.al

Te lidhura