Zjarret përpijnë qindra hektarë në Gjirokastër e Sarandë

Aug 11, 2011 | 13:00

GJIROKASTER/ SARANDE – Zjarret që kanë nisur që prej 10-ditëshit të parë të korrikut kanë vazhduar pothuajse pa ndërprerë në Gjirokastër e Sarandë. Gjatë dy ditëve të fundit ato janë përhapur duke përfshirë sipërfaqe të mëdha kullotash dhe pyjesh. Flakët e pranishme në tri vatra të mëdha në komunën Antigone, në komunën Odrie dhe në malin e Sopotit, po i shtojnë përmasat e katastrofës ekologjike të shkaktuar nga zjarret në qarkun e Gjirokastrës. Sipas specialistit të emergjencave civile në administratën e Këshillit të Qarkut Gjirokastër, Jorgo Nikolla, gjatë një muaji janë evidentuar 33 vatra zjarri, të cilat për momentin llogariten se kanë shkrumbuar 700 ha kullota e shkurre dhe 100 ha pyje. Ndërkohë që situata ka dalë jashtë kontrollit dhe zjarret vazhdojnë të shkrumbojnë dhjetëra ha pyje dhe kullota në komunën e Odrijes, në Sopot dhe Antigone të Gjirokastrës. Zjarret e ditëve të fundit, duke qenë shumë intensive, kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme territori krahasuar me një vit më parë. “Zjarret më të konsiderueshme janë shënuar në zonën e Dropullit dhe në faqen e malit të Lunxhërisë, por nuk përjashtohen këtu edhe vatrat e rëna në afërsi të masiveve pyjore në rrethin e Tepelenës dhe në Përmet”, u shpreh Nikolla. Tri vatra të reja kanë marrë terren dje pasdite në zonën bregdetare dhe në fshatrat Tremul dhe Rumanxa. Përveçse në kullota, dëme janë shënuar edhe në ekonominë familjare, pasi 200 rrënjë ullinj janë shkrumbuar. Forcat zjarrfikëse shkuan në vendngjarje dhe arritën të shpëtojnë territore të tjera nga flakët. Sipas shefit të PMNZSH-së së Sarandës, fshatrat Tremul, Rumanxa dhe Borsh kanë qenë arenë e zjarreve të rëna në orët e pasdites. Shkrumbimi i 200 rrënjëve ullinj konsiderohet një dëm mjaft i madh, megjithatë, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse arriti vetëm të shmangte depërtimin e flakëve në zonat e banuara. Edhe në fshatin Dhivër janë përhapur vatrat e zjarrit, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të zjarrfikëseve.                 p.n/ sh.d

© Panorama.al

Te lidhura