
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, duke folur për situatën e zjarreve në vend, ka kërkuar nga kreu i opozitës bashkëpunim, solidaritet dhe dënimin e zjarrëvënesve, ndërsa i ka cilesuar deklaratat e tij, si kobndjellëse dhe për përfitime politike mbi fatkeqësitë.
“Situata e zjarreve është problematike në disa zona, nuk është alarmante në gjithë territorin, por në Bozdovec, malet e Lurës dhe Pukës, pjesa tjetër janë dominuar nga ekipet shpëtuese. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, banorët, emergjencat, forcat e policisë dhe ushtrisë. E dëgjova kryetarin, si kam dëgjuar të gjithë deputetët që ai ka nxjerrë për të ndjellë kob e zi. Zoti Rama të ndërrojë strategji, se nuk mundet që një forcë që pretendon pushtet të ndërtojë politikën mbi fatkeqësinë që pllakos në zona të caktuara”- tha ai.
Sipas Nokës, para se Rama të fërkojë duart me zjarret që ndodhin duhet të dënojë zjarrëvëniet, e t’i bëjë thirrje shoqërisë që të bëjnë maksimumin për të kontribuar në ndihmë të situatës.
Noka ka reaguar edhe per shifrat e krimit dhe aksidenteve te bera publike pak dite me pare nga deputeti i PS-se, Sajmir Tahiri, duke i cilesuar ato deklarata politike.
Sipas tij,MB i ka marrë të gjitha masat, nderkohe qe arrestimet arrijne shifra rekord.
“Mbi 98% e rasteve të ndodhura janë cuar para drejtësisë. 100% e vjedhjeve që kanë ndodhur në këtë periudhë janë zbuluar, autorët janë cuar para drejtësisë. PS para se të gëzojë me fatkeqësinë, t’i bashkangjitet maxhorances për shtrëngimin e darës së ligjit mbi krimin dhe kriminelët”- tha ai.
© Panorama.al











