
Një zjarr ka përfshirë një zonë në kodrat e Dhërmiut në jug të vendit, ndërsa ka lënë pa energji elektrike të gjithë zonë bregdetare. Si pasojë e zjarrit, i cili vijon të jetë aktiv me intensitet të lartë CEZ shpërndarje njoftoi edhe ndërprerjen e energjisë për Dhërmiun dhe Palasën. CEZ tha se është shkëputur linja e cila furnizon Dhërmiun dhe Palasën për shkaqe sigurie.
Zjarri në kodrat e Dhërmiut është aktivizuar ditën e sotme. Sipas ministrisë së Brendshme, Forca të PMNZH-së Vlorë, kanë shkuar në ndihmë të forcave lokale dhe po punojnë për vënien e plotë nën kontroll dhe fikjen e zjarrit.
Lidhur me situatën e zjarreve në vend, ministria e Brendshme më herët gjatë ditës njoftoi se në të gjithë vendin janë aktive 15 vatra zjarri, për të cilat punohet me intensitet për t;i izoluar.
Qarku Dibër: Gjatë ditës së sotme vazhdojnë të jenë 6 vatra aktive zjarri. Në ekonominë pyjore Lura 1, në vendin e quajtur “Zhavori”, në Parkun Kombëtar Lura 2, në vendin e quajtur “Fusha e Pelave”, në Pllaut-Qafë Murrë, në pjesën veriore të kësaj ekonomie, në Zall-Gjoçaj, në vendin e quajtur Kodra e Tollës, në rrethin e Matit, në Malin e Bejinit dhe në Shupenzë. Zjarret janë nën kontrroll dhe vijon puna për fikjen e tyre.
Qarku Kukës: Ka 2 vatra zjarri në në fshatin Zapod, komuna Zapod si dhe vatra e zjarrit në Qafë Kom, të cilat janë të izoluara dhe nën kontroll. Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar puna për fikjen e plotë nga forcat e policisë pyjore, forcat zjarrfikëse dhe komuniteti.
Qarku Lezhë: Ka 1 vatër aktive zjarri, në komunën Kthjelle.
Qarku Shkodër: Ka 5 vatra aktive zjarri në rrethin e Pukës. Në pyllin mbi fshatin Gojan-Gjegjan, 2 vatra në Iballë dhe 2 vatra në Qerret. Ndërsa vatra e zjarrit pranë Thethit u shua plotësisht.
Qarku Vlorë: Gjatë ditës së sotme u shfaq një vatër zjarri në fshatin Dhërmi. Forca të PMNZH-së Vlorë, kanë shkuar në ndihmë të forcave lokale dhe po punojnë për vënien e plotë nën kontroll dhe fikjen e zjarrit.
Qarku Elbasan: Nuk ka vatra zjarri aktive. Vatra që u shfaq në mëngjesin e sotëm në komunën Përparimaj u shua nga ndërhyrja e menjëhershme e forcave të PMNZH-së
© Panorama.al











