Shoqëria shqiptare ka një inerci problematike për këtë hall të madh të zjarrvënieve të qëllimshme në pyje: pyjet i trajtojmë si zona të askujt, dhe dëmtuesit e tyre i justifikojmë me argumente të varfërisë apo margjinalizimit. Ka ardhur koha të shkundemi nga kjo inerci vetëshkatërruese dhe të reagojmë fort të gjithë, jo thjesht strukturat shtetërore apo jo thjesht ambientalistët apo shoqëria civile në tërësi, por e gjithë shoqëria e shëndoshë shqiptare.
Zjarret që po i vëmë me duart tona po bëjnë punën e tyre, duke djegur edhe ato pyje që nuk i kemi prerë a djegur dot në këta 70 vjet komunizëm dhe demokraci. Kush pretendon se ky fenomen i masakrës ndaj pyjeve ka nisur në këta 20 vjet, kam bindjen se gabon. Banorët e Mallakastrës dëshmojnë se në vitet ’50 dhe ’60 pyjet e dendura të atyre kodrave u prenë sistematikisht deri në lisin e fundit, për të siguruar Vlorën dhe Fierin me dru zjarri. E, të njëjtën gjë si për Mallakastrën, dëshmojnë shqiptarët edhe për Martaneshin, Mokrën, Pukën, Kukësin, Tropojën etj. etj. për të gjithë Shqipërinë. Kjo praktikë na solli në derexhenë që kur e shihnim Shqipërinë nga ajri, kufiri i saj me fjala vjen Maqedoninë dukej si ajo vija që bënte dikur berberi me makinë rroje në kokat tona: këtej nga Shqipëria toka e rrojtur, ndërsa andej matanë pyjet gëlonin siç i kish bërë perëndia. E, i premë pyjet se ashtu na urdhëronte lugati, pastaj tokën e bënim tarraca për patate,… e pastaj e merrte lumi nga erozioni. Ndërsa çdo muaj dhjetor lugati bënte aksionin e pyllëzimit dhe mbillte me fidanë ato zona që s’i bënte dot tarraca për tokë buke. Natyrisht që nuk pritej dru pa lejen e tij, por ama leja e tij ishte për 1000 motosharra njëherësh. Ndërsa në fillim të viteve ’90 pyjet vazhduan të priteshin, kësaj here pa lejen e lugatit, por ama nën frymëzimin dhe mësimet e tij. Ish-sharrëxhinjtë e stacioneve të sharrave iu vërsulën pyjeve, se atë zanat dinin. Shteti fakir post-diktatorial s’kish ngé dhe fuqi të merrej me ta, dhe ndaj i la të shisnin pyjet për bukë. E kështu që, më tej, ndërkohë që ne sharronim pemët në vitet ’90 dhe 2000, një tjetër realitet na u përplas surratit: zjarret masive. Në botë filluan të ndiheshin pasojat e qarta të ndryshimeve klimatike, dhe zjarret ishin refreni mbarëbotëror i stinës së verës. Çdo verë pyjet e Mesdheut shkrumboheshin në zjarr. Dhe prandaj ne “ngushëlloheshim” me faktin se “zjarret po djegin edhe Greqinë, kështu që s’kemi ç’të bëjmë, do fiken vetë”. Mirëpo zjarret bëheshin çdo vit e më të forta e më të shpeshta, për të kulmuar në vitet 2000 me verat më të nxehta të shekullit njëra pas tjetrës, dhe tashmë ishte lajm atëherë kur nuk kishte zjarre në verë. Kështu që kjo situatë zjarresh u solli në mend makutërve një mënyrë të re për të përfituar: zjarrvënien e qëllimshme. Piromanët e Greqisë e të Italisë po shërbenin si shembull se si mund të vije zjarre në pyje dhe t’ia mbathje duke e soditur zjarrin si vepër arti. Te ne nuk ishin kaq “artdashës”, por ishin esnafë: një pyll i djegur mbulon prerjet e paligjshme të vitit, dhe më tej mund të bëhej tokë bujqësore apo terren ndërtimi me një vendim me firmë e vulë, ndërkohë që i shet edhe për qymyr druri. Kështu që “o burra” të djegim aty ku duam të mbulojmë horrllëqet, apo ku duam hapësirë të lirë. Policia këto krime për një kohë të gjatë i trajtoi si kundërvajtje dhe vazhdimisht i nënvleftësoi, gjë që duhet të ndryshojë urgjent dhe krye e fund. Ndërsa gjykatat dhe Prokuroria nga ana e tyre këto krime i trajtonin dhe vazhdojnë t’i trajtojnë me tallje, me mendjen që “gjynah i varfri, ç’kusur ka të bëjë 5 vjet burg për dy cungje a për dy fije bar që dogji”. Ndaj piromanët ose maniakët e zjarreve dalin pa lagur, d.m.th pa djegur, në Shqipëri. Dhe shoqëria jonë është përfshirë dhe po mbetet në këtë inerci sjelljeje…
Kjo është tashmë situata në Shqipëri me këtë kërcënim natyror, ku kemi 3 armiq që duhet të na shkundin, ndryshimet klimatike, zjarrvënësit dhe inercinë e sistemit… Kapaku i tyre është edukimi, por kjo është histori më vete.
Me ndryshimet klimatike, të vetmen alternativë tashmë kemi vetëm që të adaptohemi, pra që ta bindim veten njëherë e mirë se nuk shpëtojmë dot nga rreziku i zjarreve natyrore, por vetëm duhet të përgatitemi që t’i minimizojmë ato dhe pasojat e tyre. Sepse zjarret, dhe jo vetëm ato, tashmë janë një realitet që do të na shoqërojnë përgjithmonë. Për t’u adaptuar me to, neve do të na duhet të forcojmë sistemin paralajmërues “early ëarning”, i cili të na tregojë në kohë reale rritjen e rrezikshme të pashmangshme të temperaturave në brendësi të pyjeve, me njerëz të punësuar gjithë vitit e që shtohen ndjeshëm gjatë verës, do të na duhet të ndërhyjmë vazhdimisht nga ajri me ujë jo vetëm atëherë kur zjarret bien, por edhe për parandalim kur temperaturat në brendësi të pyjeve ngrihen, veçanërisht në zona me risk të lartë, si në zonat me formacione gëlqerore me ekspozim jugor të shpatit etj.
Ndërsa për sistemin do të ndihmonte nëse rishiten përgjegjësitë për pyjet komunalë, nëse trajnohen ushtarakët tanë që të mos kenë nevojë të udhëhiqen, por të udhëheqin vetë grupe lokale apo vullnetarësh për shuarjen e zjarreve, nëse aftësohet urgjent flota ajrore për ndërhyrje non stop me ujë etj.
Por, për të ardhur te kusuri më i madh i shoqërisë sonë, zjarrvënësit me dashje, ky hall duhet parë me seriozitet maksimal për shkak të tendencës në rritje të dy faktorëve të rëndësishëm presioni: së pari, ashpërsimi i ndryshimeve klimatike dhe rrjedhimisht i rritjes së temperaturave në lëndën e thatë në pyje gjatë verës, gjë që çon në faktin që edhe një shkëndijë sado e vogël zjarri ka potencialin të shndërrohet në katastrofë, ndërkohë që me siguri të plotë do të shohim se kjo do të jetë tendenca e viteve në vazhdim, dhe së dyti, rritja e vazhdueshme e kërkesës për tokë bujqësore dhe për truall ndërtimi, dhe rrjedhimisht rritja e presionit mbi zonat e klasifikuara si pyje dhe kullota.
Për të neutralizuar këtë gangrenë, do të duhej të ashpërsohej a detajohej edhe më tej Kodi Penal për zjarrvëniet e qëllimshme apo edhe të paqëllimshme, duke kombinuar dënimet maksimale me burgim me gjobat e larta mbi parimin “ndotësi paguan”, të monitoroheshin veçanërisht procedurat gjyqësore të mosdënimeve apo dënimeve të ulëta për këtë krim, të ndalohej ndoshta totalisht eksporti i qymyrit të drurit nga Shqipëria, siç propozonte këto ditë në një forum një koleg ambientalist, si dhe të ndalohej absolutisht me ligj konvertimi i sipërfaqeve të djegura pyjore ose kullosore në truall apo sipërfaqe bujqësore.
E gjithë shoqëria, të gjithë ne pa përjashtim, duhet të kuptojmë që nuk bëhet më fjalë për akte të vogla të cilat ne i kemi toleruar deri tani, por bëhet fjalë për akte madhore: djegien e qëllimshme të pasurisë së kombit dhe minim të qëllimshëm të zhvillimit kombëtar. Tashmë, në këtë stad pjekurie të zhvillimit tonë shoqëror, nuk ka arsye ekonomike a sociale për të cilat ne të tolerojmë prerjet e paligjshme apo aq më pak djegiet e qëllimshme. Shoqëria shqiptare duhet të përkrahë fort instrumentet e veta shtypëse ligjore, duke dhënë dënime ekzemplare për zjarrvënësit, për të prerë që në rrënjë këtë bar të keq që po mbin në traditën tonë. Shoqëria shqiptare duhet të dalë nga inercia, duke aktivizuar menjëherë vlerat e veta konservatore dhe instrumentet e veta imunitare për t’u mbrojtur nga fara e keqe e atyre që i kërcënojnë me zjarr vetë të ardhmen e saj.
*Kryetar i ANEP – Shoqata për Politika të Reja të Mjedisit
© Panorama.al












