Zjarr mbeturinave, Vlora dhe zona e plazhit në tym

Jul 5, 2011 | 12:12
Tymi i shkaktuar nga djegia e mbeturinave në Vlorë

Në kulmin e sezonit turistik, qyteti i Vlorës ndodhet nën smogun e tymit të shkaktuar nga djegia e mbeturinave brenda zonës së banuar.Gjatë këtyre ditëve, reja e tymit ka ndotur mjedisin jo vetëm në brendësi të qytetit, por edhe në zonën turistike të plazhit të vjetër, plazhin e Triportit, madje shtëllungat kanë arritur edhe më tej, në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit. Këto mbeturina mblidhen nga firma e pastrimit dhe depozitohen pranë Fushës së Aviacionit. Persona të papërgjegjshëm i djegin ato gjatë natës, por dhe në orët e ditës, duke shkaktuar kështu ndotje të konsiderueshme të ajrit. Gjendja e krijuar ka sjellë edhe reagimin e pushuesve të shumtë. Ata pohojnë se ndihen të shqetësuar nga tejndotja e shkaktuar nga tymi, ndërsa kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve vendore për zgjidhjen e kësaj problematike. “Tymi ka depërtuar në të gjithë qytetin, por, siç e shihni, edhe zona e plazhit, madje edhe deri në Sazan e Karaburuni ka smog. Nuk është normale të ndodhë kjo për një qytet që pretendon të jetë mbretëresha e turizmit. Këtë vit Vlora është e tejndotur. Jo vetëm nga tymi, i cili është evident në të gjithë hapësirën, por edhe nga mbeturina, inerte etj”, u shpreh një pushuese, e cila kishte planifikuar të kalonte pushimet 15-ditore në bregdetin e Vlorës.  Sasia e madhe e smogut dhe tymit ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrjen e banorëve që kanë shtëpitë në zonën ku grumbullohen mbetjet urbane të Vlorës që nga viti 1960. “Nga grumbullimi dhe djegia e mbeturinave janë shkaktuar sëmundje të ndryshme te banorët dhe sidomos te fëmijët, të cilët kalojnë një pjesë të madhe të ditës pranë këtyre mbeturinave. Shumë prej tyre janë shtruar disa herë në spital, probleme me frymëmarrjen kanë edhe të moshuarit”, u shpreh një tjetër banore e zonës, e cila pohoi se janë të detyruar të mos hapin asnjëherë dritaret jo vetëm nga tymi i shkaktuar, por edhe era e keqe e plehrave. Banorët kanë kërkuar vazhdimisht të mos hidhen më mbeturinat në këtë zonë të banuar. Madje ata kanë protestuar disa herë, derisa një vit më parë, në këshillin e qarkut të Vlorës me përfaqësues të Prefekturës e Bashkisë të komunës Qendër etj, u diskutua për marrjen e masave, nga ku u vendos që mbetjet urbane të mos hidhen më te Fusha e Aviacionit. Për këtë qëllim, u parashikua një projekt për hedhjen e mbetjeve në zonën e Bestrovës, larg zonës së banuar. Sipas projektit, do të ngrihej një impiant modern për depozitimin dhe më pas përpunimin e të gjitha mbeturinave që do të grumbullohen, si të zonës së qytetit ashtu dhe të zonave të fshatrave përreth. Për realizimin e projektit qeveria shqiptare do të financojë 7.8 milionë dollarë, si dhe një fond të konsiderueshëm, BB-ja. Por banorët e kësaj zone e kanë kundërshtuar këtë projekt. Ata kanë protestuar disa herë duke theksuar se nuk do të lejonin ngritjen e një impianti të tillë në zonën e tyre. Më pas u caktua një vend në zonën e Çesishtës, por ende nuk është bërë asgjë konkrete. Zvarritja për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm duket se do të ketë pasoja në vazhdimin e ndotjes së qytetit të Vlorës, si dhe do të sjellë problematika për sa i përket sezonit turistik.

MJEDISI

Drejtori i Zyrës Rajonale të Mjedisit, Geron Gunbardhi, u shpreh dje për këtë situatë të krijuar se Zyra e Mjedisit ka ndjekur dhe po ndjek në vazhdimësi shqetësimin e hedhjes dhe djegien e mbeturinave të qytetit në zonën e Fushës së Aviacionit. “I kemi lënë një afat për zgjidhje Bashkisë dhe firmës së pastrimit. Pas skadencës së afatit, vendosëm gjoba me nga 1 milion lekë secila. Tashmë, shkresat i kanë kaluar Përmbarimit për vjeljen e gjobës”, u shpreh Gunbardhi.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura