Zjarr i qëllimshëm në Karaburun

Sep 3, 2012 | 12:20

Pamje nga pyjet e djegura në Lurë

VLORE/ Digjet druri i rrallë. Specialistët: Prodhon qymyr me cilësi e të kushtueshëm.

Dyshohet për drurin e valanidhit, mbrohet me ligj.

Vatrat e zjarrit nuk kanë kursyer as gadishullin e Karaburunit, ku deri tani janë shkrumbuar 10 ha, kryesisht me drurin e rrallë, prerja e të cilit mbrohet me ligj, valanidhi. Zjarri dyshohet se është vënë qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar nga prodhues apo trafikantë të qymyrit. Për shkak të terrenit, zjarrfikëset ende nuk kanë mundur të futen në vend, ndërsa veç drurit të rrallë të valanidhit, po digjen edhe pisha e dru rrapi. Vatrat e zjarrit dyshohet se janë aktivizuar gjatë natës, por ato janë diktuar vetëm mëngjesin e djeshëm nga rojet e Ndërmarrjes Pyjore. Ata kanë njoftuar repartin e zjarrfikës për të vendosur situatën nën kontroll. Por, megjithëse zjarrfikëset janë nisur drejt vendit të sinjalizuar, nuk kanë mundur të ndërhyjnë për fikjen e flakëve për shkak të terrenit.
Punonjësit zjarrfikës kanë ndërhyrë me mjete rrethanore, por nuk kanë mundur të vënë nën kontroll flakët e zjarrit, që vazhdojnë të djegin ende sipërfaqe të tëra pylli. Sipas specialistëve të Ndërmarrjes Pyjore, deri tani janë djegur rreth 10 hektarë pyje me dru të valanidhit, që gjendet me pakicë, rrape dhe pisha. Zjarrfikëset mund të ndërhyjnë vetëm kur flakët të afrohen pranë rrugës që të çon te antenat televizive të vëna në Karaburun. Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht në zonën ku ka dru valanidhi, pasi ky lloj druri përdoret për të prodhuar qymyr të një cilësie të lartë dhe mjaft të kushtueshëm. Druri i valanidhit shfrytëzohet vetëm me leje të ministrisë përkatëse, ashtu sikurse edhe druri i ilqeve, prerja e të cilave konsiderohet e jashtëligjshme.
Prej disa ditësh, në qarkun e Vlorës janë aktivizuar disa vatra zjarri, disa prej të cilave edhe në afërsi të bregut, duke vënë në panik edhe pushuesit e turistët e shumtë që zgjodhën plazhet e Jugut për këtë vit. Qindra hektarë pyje, ullishte dhe vreshta janë shkrumbuar, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme.

Vatrat e zjarrit gjatë ditës së diel
Qarku Dibër:
5 vatra zjarri, në “Liqenin e Bruçit”, në Parkun Kombëtar Lurë,
në komunën Selishtë, Kacni, Derjan dhe Macukull
Qarku Korçë: 1 vatër zjarri aktive, në Parkun Kombëtar të Bozdovecit
Qarku Kukës: 2 vatra zjarri aktive, në komunën Tërthore dhe Margegaj
Qarku Tiranë: 1 vatër zjarri aktive në malin e Dajtit
Qarku Shkodër: 8 vatra zjarri, 2 në rrethin Shkodër, 3 në Malësi të Madhe
dhe 3 në Pukë
Qarku Lezhë: 3 vatra zjarri, në komunat e Kaçinarit, Fanit dhe Oroshit
Qarku Vlorë: 1 vatër aktive zjarri, ajo në Karaburun
Qarku Berat: 1 vatër zjarri në rrethin e Skraparit

Dajt, një helikopter slloven për zjarrin mbi Tiranë

Helikopteri slloven në ndihmë për shuarjen e flakëve

TIRANE – Dajti vazhdon të jetë i pushtuar nga flakët e zjarrit. Situata është cilësuar problematike edhe ditën e djeshme, ndonëse mbi 150 forca të Ushtrisë kanë punuar dhe kanë vënë nën kontroll zonën pranë antenave televizive. Ndërsa pjesa tjetër, po prej 150 forcash u përqendrua në zonën jugore të Parkut të Dajtit për të izoluar përhapjen e flakëve më tej. Për të ndihmuar forcat në terren, sot pritet që të nisë operacioni nga ajri në malin e Dajtit. Për këtë është kërkuar ndihma nga Sllovenia, e cila do të vërë në dispozicion një helikopter të tipit “Cugar”. Me operacionin nga ajri mendohet të lokalizohen flakët, që prej ditësh qëndrojnë të rrezikshme mbi kryeqytet. Ndërkaq janë shuhuar plotësisht zjarret e rëna në zonën e Linzës dhe në Sauk. Në rastin e Linzës nuk dihen ende autorët dhe shkaqet e flakëve që përfshinë shkurret e larta, ndërsa Policia ka vënë në pranga një 68-vjeçar për zjarrin e rënë në Sauk. Zjarri i cilësuar i qëllimshëm, ktheu në hi mesditën e djeshme ullishtat dhe disa pemë frutore në zonën e Saukut të Vjetër. Autor i zjarrvënies rezultoi të ishte pronari i sipërfaqes me ullinj dhe pemë të tjera që u përfshinë nga flakët. Burime zyrtare nga Polici e Tiranës thanë dje se rreth orës 13:30, shërbimet e Komisariatit Nr.1 kryen arrestimin e Islam Xhabrahimit. Policia tha se ky shtetas, rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, ka ndezur një zjarr në tokën e tij, me qëllim djegien e shkurreve të panevojshme që kishin mbirë aty. Por për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë në flakë edhe ullishtat dhe pemët e tjera frutore që ndodheshin përreth kodrës.                                             e.d

Parku i Bozdovecit
Pasditen e djeshme, në zonën e Parkut Kombëtar të Bozdovecit ka nisur operacionin nga ajri një avion turk i tipit “Cander”. Ai do të rinisë fluturimet dhe ditën e sotme në zonën që thuajse është djegur në masën 90 për qind të tij. Parku ka disa ditë në flakë dhe për shkak të terrenit nuk është arritur të izolohet me rrugë tokësore.

Olli: S’është koha për t’u fryrë zjarreve politike
TIRANE – “Nuk është koha për t’u fryrë zjarreve të përfitimit politik, por është koha për të shprehur solidaritet me çdo banor të këtyre zonave dhe vlerësim për të gjithë ata punonjës të shtetit, të cilët sakrifikojnë gjithçka, vënë jetën në rrezik për të shpëtuar pyjet, ullishtat, shtëpitë dhe jetën e çdo qytetari të këtij vendi”. Ministria e Brendshme reagoi dje nëpërmjet zëdhënësit të saj, Leonard Olli, ndaj deklaratave të opozitës për situatën e zjarreve. “Prej më shumë se dy muajsh, Shqipëria po përballet çdo ditë me vatrat e zjarrit, të cilat, në shumicën dërrmuese janë vepër e individëve të papërgjegjshëm. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha strukturat e shtetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në gatishmëri maksimale për të shpëtuar pasurinë kombëtare, pasuritë e çdo qytetari dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që asnjë jetë njerëzore të vihet në rrezik. Ndërsa të gjithë prisnin që opozita dhe kreu i saj të dënonin me forcë zjarrvëniet e qëllimshme, me keqardhje të gjithë konstatuan sërish një gjuhë fyese e shpërfillëse ndaj gjithë atyre që prej javësh të tëra përballen me zjarret, që prej muajsh janë privuar nga familjet e tyre, por qëndrojnë në vijë të parë për fikjen e zjarreve”, deklaroi Olli. “Ministria e Brendshme i bën apel kreut të opozitës që të bëjë apel për ndëshkime më të ashpra ndaj gjithë atyre që shkatërrojnë pasuritë kombëtare dhe të individit”.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura