Greqia në buzë të greminës, pritet aprovimi i masave jopopullore të kursimit.
Zjarre, shishe molotovi, sulme në banka, pllaka që fluturonin drejt policëve, gaz lotsjellës, dhunë, kaos e të plagosur. Kjo ishte panorama e kryeqytetit grek dje ndërsa politikanët i sfiduan mijëra protestues, duke votuar pas mesnatës masat tejet të ashpra e të dhimbshme të kursimit, të disatat brenda dyvjeçarit të krizës, me perspektivën për t’i mbështetur ato. Gjithçka për të fituar një tjetër hua, me shpresën për të shpëtuar vendin nga falimentimi, i cili nëse ndodh, do ta çojë Greqinë drejt një kaosi të paimagjinueshëm dhe skenarë të frikshëm dhune. Deputetët duhej të mbështetnin kursimet me vlerën 3.3 miliardë euro, për të fituar sërish besimin nga BE-ja dhe FMN-ja, se Greqia do të jetë e aftë t’i paguajë borxhet e saj. “Lufta” bëhet për të qëndruar ende në eurozonë. Liderët e eurogrupit kanë deklaruar se durimi i tyre po shkonte drejt fundit dhe Greqia duhej të vendoste të vazhdonte apo të ndërpriste marrjen e huas, dhe dhanë sinjale të qarta se besimi i tyre kishte humbur, pasi “Greqia nuk mund të vazhdojë vetëm me premtime”, ata kërkonin zbatim real të kursimeve të ashpra. Dy partitë kryesore në Greqi kanë paralajmëruar skenarë apolitikë për vendin nëse nuk mbështeteshin kursimet prej 3.3 miliardë eurosh. Në rrugët e Athinës dhe qyteteve të tjera të mëdha prej dy ditësh kanë nisur betejat e dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ku mbi gjashtë mijë forca janë vendosur në Athinë, kryesisht në zonën rreth Parlamentit. Sheshi Syntagma ka marrë pamjen e një fushëbeteje. Kazanëve të plehrave u është vënë flaka dhe tymi asfiksues me re të kimikateve toksike ka mbushur ajrin. Shpërthimet mund të dëgjoheshin edhe brenda Parlamentit, të cilat shërbyen si referim për flijimet e deputetëve që nuk i mbështesin masat e kursimit, për të treguar se sa shumë jopopullore janë ato. Mbrëmjen e së shtunës iu vu flaka disa ndërtesave, përfshirë një kinema, një bankë dhe shumë dyqaneve dhe televizioni grek raportoi se dhjetëra qytetarë e të paktën 40 policë ishin të lënduar. Ndërkohë, në Parlament diskutimet vazhdonin. Votimi mbi paketën e masave nga deputetët në Parlament pritej të niste rreth mesnatës dhe të përfundonte rreth orës 2:00 të mëngjesit. Ligji i masave të reja të kursimit miratohet nëse merr një shumicën relative votash, jo më pak se 120.
Mbështetja Me gjithë gjashtë dorëheqjet e ditëve të fundit nga kabineti qeveritar, dy partitë kryesore, socialistja PASOK dhe konservatorja “Demokracia e Re” mund ta sigurojnë shumicën që u duhet për të miratuar masat, me gjithë rebelët brenda deputetëve të tyre. Por, brenda dhomës së debatit të nxehtë, ministri i Financave, Evangelos Venizelos, paralajmëroi qartë: “Po nuk kaluan masat, falimentojmë”
Papademos
Kryeministri grek, Lukas Papademos
Kryeministri grek, Lukas Papademos, iu drejtua kombit para votimit në Parlament të masave të reja të kursimit, duke paralajmëruar për një kolaps të plotë të nivelit të jetesës në vend, nëse reformat e ashpra të vendosura nga kreditorët si kusht për të marrë huan e re prej 130 miliardë eurosh nuk do të miratohen e zbatohen. Papademos pranoi se situata në vend ishte kritike. “Kostoja sociale e këtyre masave të reja shtrënguese është e vogël në krahasim me katastrofën ekonomike dhe sociale që do të pasonte Greqia në rast se nuk zbatojmë masat e kërkuara”, tha Papademos, duke shtuar se po nuk u mor kredia, kursimet e qytetarëve do të humbasin, nuk do të mund të paguhen më pensionet e pagat, dhe importet do të paralizoheshin, përfshirë edhe ilaçet.