Në tendencat e këtij sezoni, femrat duket se do ta kenë “diellin” në shpirtin e tyre, ndërkohë që do t’u gëzohen rrezeve natyrale verore. Moda e efekteve të dallueshme, e kontrasteve të forta, e prerjeve që nxjerrin në pah linjat trupore dhe aksesorëve të çuditshëm, do të jenë fjala e fundit e modës për sezonin pranverë-verë 2011. Stilistja Zana Kondi propozon një “katalog” idesh dhe gjetjesh interesante, për të qenë vërtet “in” me trendet më të reja.
Kontrasti Kameleon!
Ngjyrat e forta dhe të ndezura në këmbim të një luku të ndryshueshëm. Por, në dallim nga vitet e kaluara, këtë verë kontrastet nuk do të jenë mes ngjyrave acide(gri, bezhë) dhe ato neutrale, por nuancave krejtësisht të forta. “Një kombinim i ngjyrave të ndezura siç janë e kuqja e theksuar, jeshilja, e verdha, roza dhe nuancat gurkali, janë realisht në modë këtë verë. Një miksim i tyre do të prodhojë një imazh të dallueshëm dhe të theksuar, që do të thithë lehtësisht vëmendjen e dëshiruar”, pohon stilistja. Por, nuk do të mungojnë preferencat për nuanca njëngjyrëshe, si e bardha, grija, tonalitetet e kafenjta, por pa ngarkesa në dizenjo apo aksesorë.
Silueta, edhe jo perfekte!
Këtë verë hiqni dorë nga komplekset për linjat trupore! Nëse nuk i gëzoheni imazhit që ju shfaq pasqyra, të paktën kënaqësia e një veshjeje të spikatur do t’ju bëj të ndiheni mirë me veten. Stilistja Zina Kondi thekson se këtë sezon veror ka vend për të gjitha tipat e linjave trupore. Prerjet e veshjeve nuk duhen të jenë tipike të ngushta për të theksuar linjat, për sa kohë që edhe vet stilistët botërorë po i largohen idesë së modeleve 40-kilogramëshe. Pantallonat e gjera, fustanet maksi të derdhura e tepër komode do t’ju mbështjellin me freski, në një kohë për kur temperaturat jashtë do të bëjnë “kërdinë”.
Fustanet floreale minimaliste!
Më shumë se prania e luleve të printuara jo në të gjithë dizenjon e veshjes, por të pranishme në një pjesë të krahut apo te fundi i veshjes, sivjet moda e efekteve do të jetë zëri i tendencave në fustanet femërore. Copat e derdhura, dizenjo me fushë të njëtrajtshme, por me praninë e stilit minimalist në aspektin floral, janë sërish një gjetje e stilistëve. Zina Kondi cilëson se tashmë moda ka ezauruar shumëçka nga ngjyrat, prerjet, dizenjot e aksesorët, ndaj këtë sezon veror të gjithë stilistët janë kapur fort pas efekteve vizuale me praninë e aksesorëve metalikë a plastikë në të, e qëndisjeve me dorë dhe luleve në miniaturë, dhe jo në të gjithë fushën e fustanit.
Loja kromatike me rrobat e banjës!
Të shenjëstrosh modën, jo gjithnjë është e lehtë. Sidomos në sezonin e verës dhe të plazhit, ku zgjedhja e rrobave të banjës kthehet në një “must” për çdo femër. Loja kromatike vizuale, shoh apo nuk shoh, do të ndihmojë për të pikasur pikërisht modelin e duhur dhe atë të dëshiruarin. Në formë bikini, shpesh të punuara me dorë, me dizenjo të thjeshta, por të feksura në praninë e efekteve metalike ose plastike në të. Të kursyera jo vetëm në copa, por edhe në dizenjo, rrobat e banjës së kësaj vere do të prezantohen në stilin minimalist. Ju mbetet thjesht të shijoni pa kursim rrezet e diellit përvëlues të verës!
Platforma prej gome!
“Këtë sezon vere komoditeti në ecje është A-ja e alfabetit në tendencat e stilistëve. Ndaj, sugjerohet që sandalet të jenë të sheshta, prej materiali gome dhe me ndonjë dizenjo mbresëlënëse, tip aksesori ose lule në të. Të frymëzuara nga “Mjellma e Zezë”, këpucët e sheshta alla balerinë ofrohen në një gamë pafund ngjyrash dhe stilesh. Ngjyrat e forta, si roza, gurkali dhe e kuqja do të jenë “in” me tendencat për sandalet e sezonit, ndërsa prakticiteti vjen mbi gjithçka”, thotë Kondi.
Aksesorët asimetrik!
Janë artizanale, shumë prej tyre përpunim me dorë i lëndës së drurit me filigram dhe elementë të veçantë. Rikthehen guaskat e detit që filetohen me ar dhe argjend, në formë varësesh interesante ose byzylykë.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











