
Ndërpriten kërkimet deri sot në mëngjes, shumë ftohtë, nuk ka ndriçim dhe makineritë nuk mund të hyjnë.
E vetmja e mbijetuar një pesëvjeçare, nuk mban mend çfarë ndodhi.
I ftohti në Kosovë rrëmbeu njëherësh një familje të tërë. Deri tani janë gjetur trupa vetëm të nëntë prej tyre, ndërsa trupi i një 18-20 vjeçari nga kjo familje, Seldin Reka, nuk është gjendur ende, por ka pak shpresa për ta gjetur atë të gjallë në kërkimet që rinisin sot, në orën shtatë të mëngjesit. E hëna do të jetë ditë zie për të gjithë Kosovën, për të shprehur hidhërimin për shuarjen e familjes Reka në Restelicë, nga orteku i së shtunës. Pesëmbëdhjetë shtëpi u zunë nga ky ortek dhjetë metra i lartë, 500 metra i gjerë, por vetëm dy prej tyre ishin të banuara në kohën e ngjarjes dhe ato i përkisnin familjes Reka, me 11 anëtarë. E mbijetuara e vetme e kësaj tragjedie është vajza pesëvjeçare e kësaj familjeje, Amsera Reka, e cila ishte strukur për më shumë se 12 orë në rrënojat e shtëpisë derisa u shpëtua nga ekipet e FSK-së për ndërhyrjen e shpejtë. Por ajo nuk kujton asgjë nga ngjarja, megjithëse mjekët e cilësuan me shëndet të mirë. Numri i të vdekurve në Restelicë, komuna e Dragashit, nëntë veta, u konfirmua nga komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati. Viktimat e ortekut pritet të varrosen sot në Varrezat e

Restelicës, e po punohet për hapjen e rrugës deri në varreza. Mes të vdekurve, kishte edhe fëmijë, ndër të cilët edhe një dyvjeçar. Skuadrat e shpëtimit nga FSK-ja kanë gërmuar me duar dhe lopata për të nxjerrë viktimat nga dëbora. Moti i ftohtë dhe mungesa e makinerive, të cilat nuk mund të hynin në rrugët e bllokuara të fshatit, i ka vështirësuar shumë kërkimet dhe anëtarët e FSK-së kanë gërmuar me duar për të hapur tunele deri në rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga orteku. Nënkoloneli Shemsi Syla, zëdhënës i FSK-së, tha se skuadrat e shpëtimit gjatë pasdites kanë shkuar në Prishtinë. “Janë të lodhur, të ftohur, e të djersitur. Operacioni vazhdon në mëngjes”, ka thënë ai. Kryeministri Hashim Thaçi kanë vizituar dje Restelicën, ku ndodhej edhe ministri i FSK-së, Fehmi Mujota. Thaçi siguroi banorët se i gjithë shteti është me ta. Ndërsa Mujota kërkoi që ata të shmangnin rrugët malore, kryesisht ato të skive, si Brezovica dhe Rugova. Shumë fshatra në pjesën perëndimore të Kosovës janë të izoluara nga dëbora. Ekziston rreziku i ortekëve të tjerë jo vetëm në Restelicë, por edhe në fshatra të tjera malore në pjesën perëndimore të Kosovës, e cila është më e goditura nga acari.
Fshati Restelicë është një fshat në kufi me Shqipërinë, me rreth 6 mijë banorë. Shumica e tyre jetojnë prej kohësh në Itali, por pjesa tjetër e banorëve po evakuohen, deri kur moti të përmirësohet e të shmangen tragjedi të tilla.
Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar në spitalin rajonal të Prizrenit të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, Asmira Reka. Jahjaga falënderoi mjekët dhe personelin e spitalit për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë. Presidentja e cilësoi humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve atë që pësoi familja Reka nga orteku, e mbijetuara e vetme e së cilës është vajza e vogël. Jahjaga u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike të solidarizohen e t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit. Presidentja ndau 10000 euro nga fondi i Zyrës së saj për të ndihmuar familjet e goditura nga tragjedia në Restelicë.
Qeveria, kryetari i Kuvendit e opozita ngushëllojnë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një deklarate për mediat ka shprehur dhimbjen për humbjen e jetës së anëtarëve të familjes Reka, në fshatin Restelicë të Dragashit. Edhe qeveria e Kosovës i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave nga orteku i borës në fshatin Restelicë, ndërsa ka premtuar ndihmë për banorët. Keqardhje e ngushëllime u shpreh edhe nga partitë opozitare, AAK, LDK e Vetëvendosje.
Haxhinasto
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Edmond Haxhinasto, ka ngushëlluar homologun e tij në Kosovë, Enver Hoxhaj, për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga orteku në fshatin Restelicë. Haxhinasto i telefonoi të dielën homologut të tij kosovar. Ai shprehu bindjen se në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha, qeveria dhe populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për të ndihmuar familjet e viktimave, si dhe gjithë banorët e prekur nga moti i acartë. Haxhinasto shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm.
© Panorama.alMë shumë se 500 viktima në Europë
Më shumë se 500 persona kanë humbur jetën në të gjithë Europën për shkak të dëborës dhe të ftohtit të hidhur gjatë dy javëve të fundit. Nëntë persona kanë humbur jetën në Kosovë, kur orteku ra në fshatin Restelicë. Tetë persona kanë humbur jetën në Shqipëri, por në vende të tjera bilanci i viktimave ka qenë edhe më tragjik. Në Poloni, ministri i Brendshëm konfirmoi se vetëm gjatë 24 orëve të fundit 20 persona kanë humbur jetën nga moti i ftohtë dhe kjo e çon numrin e të vdekurve prej temperaturave të ulëta në këtë vend në 100 persona. Temperaturat e ulëta kanë prekur pjesë të shumta të Europës, duke shkuar në disa vende afër minus 40 gradë Celsius e shënuar kështu shkurtin më të ftohtë që është parë në dekadat e fundit. Meteorologët njoftojnë se temperaturat do të jenë të tilla deri në fund të muajit. Në Serbi është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme dhe deri tani kanë vdekur rreth 19 persona. Qindra të tjerë kanë humbur jetën nga i ftohti në Rumani, Bullgari, Hungari, Itali, Ukrainë etj.











