Flamurtari zhgënjen totalisht që në ndeshjen e parë kundër Jablonecit, duke shuar shpresat për një kualifikim të mundshëm në turin e tretë të Ligës së Europës. Skuadra çeke fitoi 2-0 dje në Vlorë, teksa hipotekoi kualifikimin, në një kohë që sfida e kthimit tashmë kthehet në një formalitet për Jablonecin. Pritej që kuqezinjtë e Maganit të bënin hapin e madh, duke pasur parasysh faktin se ishin një skuadër më e konsoliduar se ekipet e tjera shqiptare në Kupat e Europës. Në fakt, në krahasim me ndeshjen e korçarëve kundër Apoelit, dje vlonjatët patën raste për të kaluar në avantazh, por nuk arritën t’i shfrytëzonin, duke vazhduar rëndom ecurinë e skuadrave shqiptare në Europë. Mbrojtja vlonjate dukej e shthurur totalisht dhe golat e çekëve kanë qenë fotokopje të njëri-tjetrit. Sulmuesi i Jablonecit, David Lafata, në të dyja rastet u la krejtësisht i lirë nga mbrojtësit kuqezi. Dy golat e çekëve u shënuan në momentin më të mirë të vlonjatëve. Miqtë shënuan me anë të Lafatës, që deri në minutën e 70-të kishte humbur disa raste për gol. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin, i ndihmuar edhe nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes kuqezi. 20 minutat e fundit flasin për Jablonecin, që humbet shumë raste për gol, por gjithsesi arrin të dyfishojë rezultatin, sërish me anë të Lafatës.
Flamurtari-Jablonec 0-2
Shënues: Lafata 70′, 76′
Gjyqtarë: Sergei Karasev, I.Barishnikov, V.Semenov (Rusi)
Kartonë të verdhë: Xhafaj/ Luçka, Elias
Flamurtari: Moçka (Spaho 82′), Sakaj, Brahja, Veliu, Ahmataj, Arbri, Kuqi, Lena, Begaj (Progni 56′), Shehaj (Idrizaj 76′), Xhafaj. Trajner: G.Magani
Jablonec: Split, Elias, Pitak, Jablonski, Kopiç (Voshalik 72′), Luçka, Kovarik (Novak 63′), Benes, Jarolim, Pavlik, Lafata (Treshnak 85′). Trajner: Frantishek Komnacki
Gjika, takim me trajnerin
Kreu i klubit vlonjat, Shpëtim Gjika, është larguar nga stadiumi pas pësimit të golit të dytë. Duke parë situatën jo të mirë që ekzistonte në shkallët e tribunës, si pasojë edhe e zhgënjimit të tifozëve nga rezultati, kryebashkiaku vlonjat preferoi të mos e ndiqte pjesën e mbetur të ndeshjes. Pas përfundimit të saj, Gjika ka zhvilluar një takim kokë më kokë me trajnerin Gugash Magani. Për 10 minuta ata kanë folur në lidhje me sfidën, teksa tekniku i ka bërë një përmbledhje të shkaqeve që sollën këtë disfatë.
© Panorama.al











