Zhdukja e emigrantit të fajdeve, 12 persona në polici

May 7, 2012 | 14:39
Armand Abdullai (në mes), emigranti i zhdukur prej 5 ditësh në Korçë.

KORÇE – Rreth 12 persona janë shoqëruar në Komisariatin e Korçës për të rënë në gjurmët e 30-vjeçarit Armand Abdullai, i zhdukur 6 ditë më parë në mënyrë misterioze. Sipas Policisë, asnjëri prej të shoqëruarve nuk dyshohet të jetë i përfshirë në zhdukjen e 30-vjeçarit, i cili jepte para me fajde, por ata janë marrë në pyetje për të zbuluar detaje që do t’i çonin blutë e Korçës në gjurmët e të riut. I zhdukur prej 1 maji,t policia vijon të mos ketë ende asnjë të dhënë apo pistë konkrete hetimi në lidhje me largimin e tij dhe mungesën e kontaktit me familjarët. Burime të Policisë thanë se asnjë pistë e re hetimi nuk është ngritur pas marrjes në pyetje të 12 personave, por nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë kaluar kufirin përmes vijës së gjelbër në drejtim të shtetit helen. Verifikimet e kryera kanë vërtetuar se ai nuk ka kaluar kufirin në mënyrë legale, pasi të gjitha dokumentet dhe mjetet e identifikimit personal ndodhen në banesën ku jetonte me prindërit, sakaq edhe verifikimet në sistem kanë konfirmuar se ai nuk ka kaluar kufirin përgjatë muajit të fundit. Zhdukja në rrethana ende të paqarta e fajdexhiut vazhdon të ketë pistë kryesore atë të personave të cilët mund të kenë pasur konflikte me Armando Abdullain për shkak të shumave të ndryshme të lekëve që ai mund t’u ketë dhënë hua në këmbim të interesave. Prej 5 muajsh, 30-vjeçari ishte kthyer nga emigrimi dhe kishte nisur të përdorte të gjitha kursimet në formë fajdesh me persona të ndryshëm të cilët kishin nevojë. Rasti i fundit, i cili është deklaruar nga familjarët, lidhet me një fqinjin e tyre të cilit ai i kishte dhënë një vlerë të konsiderueshme lekësh, por sapo ka marrë këstin e parë nga ky i fundit, 30-vjeçari ia ka dhënë shumën prej 300 mijë lekësh të rinj dikujt tjetër, i cili ende nuk është identifikuar as nga policia.                     dh.d

© Panorama.al

Te lidhura