Zhdukja e Eglant Koçit, i arrestuari ishte kamarier në lokalin e personit që dyshohet se e ka rrëmbyer! FOTO e momentit të fundit ku është parë me motor

Jun 9, 2026 | 14:39

Panorama Online ka siguruar foton e momentit të fundit ku është parë Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Fotoja ku ai shihet në motor mban datën 4 qershor, ditë edhe kur është familja ka humbur kontaktet me të.

englant koci

Në pranga është vënë Enea Zyferi ndërsa në kërkim është shpallur Armand Shakaj pasi dyshohen si të përfshirë në marrjen peng të tij.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se 25-vjeçari Zyferi punonte si kamarier në lokalin e 41-vjeçarit Shakajt, dhe dyshohet ta ketë ndihmuar atë dhe të ketë qenë prezent kur 34-vjeçari është marrë peng.

Policia ka gjetur motorin e 34-vjeçarit të zhdukur, si dhe ka ushtruar kontrolle në ambientin ku është futur ai, ambient nga i cili më pas ka dalë 41-vjeçari i dyshuar dhe mund ta ketë marrë me vete me automjet. Ky automjet është gjetur dhe është sekuestruar si provë materiale nga policia.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.

Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.

Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.

 

© Panorama.al

Te lidhura