Zhduket prej 2 javësh, ndërpriten kërkimet

Feb 13, 2012 | 12:34

LEZHE- Kanë kaluar dy javë nga zhdukja e peshkatarit Asllan Hasaj, nga fshati Tale i Lezhës dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Policia ka ndërprerë kërkimet në detin Adriatik, pas më shumë se një jave. Burime nga Policia bënë të ditur se nuk kanë mundur të gjejnë peshkatarin, por as varkën e tij, e cila dyshohet të jetë përmbysur bashkë me babain e dy fëmijëve. Sipas Policisë së Lezhës, momentalisht janë ndërprerë të gjitha kërkimet për gjetjen e tij, pasi për shkak edhe të kohës ka qenë e pamundur që polumbarët e RENEA-s të vazhdonin më tej. Ndërsa është kontrolluar i gjithë bregdeti i Tales nga polumbarët, nuk është gjetur asgjë. Po kështu edhe familja e peshkatarit ka vijuar kërkimet për gjetjen e tij. Sipas vëllait të tij, Besnikut, Asllan Hasaj më 28 janar të këtij viti kishte dalë për peshkim, por më pas nuk është kthyer në banesë. Bashkëshortja e tij i ka pohuar policisë se i shoqi i kishte thënë herë pas here se varka me të cilën peshkonte ishte e amortizuar dhe fuste ujë. Familja Hasaj bën apel për ndihmë, në mënyrë që të paktën të mund të gjejnë trupin e tij. Ata shprehen se nuk kanë më shpresa se ai mund të jetë gjallë, por së paku të gjendet trupi.                                                               r.n

© Panorama.al

Te lidhura