Zhduket nga FB-ja “biznesmeni”

Jul 19, 2011 | 10:45

Policia ka dështuar në tentativën e saj për të infiltruar persona të tjerë në profilin e “biznesmenit lushnjar”, në rrjetin social “Facebook”.Loke Sinaj e ka hequr profilin e tij nga “Facebooku”, duke bërë që hetimet të kalojnë në një fazë mjaft të vështirë. Kjo, për shkak se policia nuk disponon mjete të tilla speciale sa të “përgjojë” edhe chatet në internet. Ashtu sikurse është vërtetuar, emri i personit enigmatik në linjën e internetit është i rremë. Policia u përqendrua fillimisht në kërkimin e tij, bazuar edhe në dëshminë e familjarëve të vetë 25-vjeçares së masakruar, të cilët deklaruan se vajza e tyre ishte njohur me një shtetas në FB, me emrin Loke Sinaj. Ai ishte prezantuar te viktima si një njeri serioz dhe biznesmen në Lushnjë. Burime të policisë bënë të ditur se hetimet janë përqendruar te zbardhja e tabulateve telefonikë të 25-vjeçares, pasi familjarët e saj kanë dëshmuar se ajo e kishte takuar edhe në Fier personin misterioz. Gjithashtu, grupi i hetimit është në pritje të përgjigjes nga ekspertiza që po kryhet në laboratorin e Kriminalistikës, të sendeve të gjetura në vendin e masakrimit. Policia e Lezhës bëri të ditur se do të marrë në pyetje edhe ish-bashkëshortin e 25-vjeçares Anisa Opingari. Blutë janë lidhur me shtetasin Sokol Gozhina (Kalemi) nëpërmjet telefonit dhe i kanë kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen. Mësohet se ai është treguar i gatshëm duke mohuar që nëpërmjet linjës telefonike implikimin e tij në këtë krim makabër.  Trupi i masakruar me 20 thika i Anisa Opingarit është gjetur pak metra larg rrugës kryesore, në mes të tri hoteleve në Shëngjin. Ajo ndodhej në një vend të pyllëzuar, me rroba banje, çka hodhi dyshime se viktima mund të kishte shkuar për plazh në Shëngjin bashkë me të dashurin e saj misterioz. Disa pushues sinjalizuan policinë, pasi gjetën kufomën e dekompozuar. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe çanta e saj, si dhe karta e identitetit, çka ndihmoi së paku në identifikimin e menjëhershëm të saj.

Hetimi në katër qytete

Hetimi për masakrimin e 25- vjeçares Anisa Opingari është përqëndruar në Lezhë, por ndërkaq po bashkëpunojnë edhe policia e Fierit, Beratit dhe e Lushnjës. Kjo për shkak se 25- vjeçarja u gjet e masakruar në Lezhë, por ajo jetonte në Fier. ish- bashkëshorti i saj është nga Berati, ndërsa i dashuri i saj misterioz dyshohet se është nga Lushnja. Të paktën ky ishte dyshimi dhe pista në të cilën u përqëndrua fillimisht policia, por nuk përjashtohet dyshimi se ashtu sikurse ka dhënë identitet të rremë, “biznesmeni”, të ketë dhënë edhe qytetin e origjinës së tij të rremë. Burime të policisë bënë të ditur se ai mund të jetë edhe nga ndonjë rreth tjetër, përfshirë edhe zonën e Shëngjinit.

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura