
KORÇE/ Armand Abdullai ishte kthyer nga Greqia, policia përqendron hetimin te borxhlinjtë.
Familjarët: Pesë ditë me telefon të fikur, ndoshta e kanë vrarë.
Zhdukja në mënyrë krejt të papritur e misterioze e një emigranti të kthyer pak kohë më parë nga Greqia, ka vënë në alarm familjarët e tij në qytetin e Korçës.
Armand Abdullai mësohet se është larguar nga banesa pesë ditë më parë, dhe që prej atij momenti, të afërmit nuk kanë asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Sipas dëshmive të familjarëve, dhënë në polici, 30-vjeçari, pas kthimit nga shteti grek ku kishte qëndruar për disa vite, kishte filluar t’i jepte me fajde paratë e fituara nga puna në emigracion. Kjo e dhënë e të afërmve të të riut ka vënë në lëvizje policinë, pasi ka dyshime të forta se zhdukja e tij mund të ketë lidhje pikërisht me këtë fakt. Nëna e tij, Sulltana Abdullaj, theksoi se ka dyshime se dikush mund ta ketë sulmuar të birin. Sipas saj, djali nuk është kthyer në banesë që prej datës 1 maj dhe se asnjë nga familjarët nuk ka mundur të lidhet me të përmes telefonit. Ajo deklaroi se shuma e dhënë me fajde kap vlerën 1.4 milionë lekë, fakt i cili i ka sjellë asaj edhe shqetësimin për jetën e djalit. Përshkrimi i familjarëve dhe të afërmve për 30-vjeçarin tregon se ai ishte i qetë dhe pa konflikte me të tjerët. Të vetmin dyshim të tyre ata e lidhin me lekët që ai jepte me interesa të caktuara te persona të ndryshëm.
Znj. Abdullai, kur është larguar djali juaj nga banesa?

Djali im, Armandi, është larguar që prej datës 1 maj, në mbrëmje. E mori xhaxhai në telefon dhe doli. Nuk na tha se ku do shkonte dhe nuk u kthye më në banesë. E pritëm gjithë natën dhe u shqetësuam, nisëm të pyesnim dhe të afërmit, por nuk mundëm të gjenim asnjë gjë. Filluam të shqetësoheshim, duke parandierë se mos ndoshta mund t’i ketë ndodhur diçka, pasi ai nuk është larguar më parë nga banesa dhe nuk do të vonohej aq ditë, së paku pa na lajmëruar.
A keni provuar të lidheni me telefon?
Po, vazhdimisht i kemi rënë telefonit të tij, por na del i fikur. Çdo 10 minuta e merrja në telefon. Edhe natën kur doli, deri në orën 00:00 i kam rënë pafund telefonit, por nuk u përgjigj. E mora prapë në mëngjes, por zilja nuk binte. Pikërisht ky fakt na bëri të shqetësoheshim akoma dhe më shumë. Nuk dimë çfarë mund t’i ketë ndodhur. Djalin e kam të mirë nga çdo anë, nuk përzihej me askënd… Ditën e dytë pasi ishte zhdukur dikush ka përdorur numrin e tij për të marrë një të njohurën e Armandit, por menjëherë pas kësaj, telefoni është fikur serish dhe nuk është hapur më.
Ju çfarë keni deklaruar në polici, keni ndonjë dyshim?
Kemi deklaruar faktin që ai pasi u kthye nga emigrimi, nisi të jepte para me fajde. Tërhoqi kursimet që kishim në bankë dhe nisi t’u jepte personave të ndryshëm shuma lekësh, kundrejt një interesi të caktuar. Mbase dikush që nuk ka mundur t’i kthejë lekët, për të shpëtuar, i ka bërë keq. Ata mund ta kenë vrarë…
Ju jeni në dijeni se kujt i ka dhënë lekët së fundmi ai?
Po, rreth 12 milionë lekë të vjetër ia ka marrë një fqinji jonë. Sapo i ka dhënë këstin e parë, rreth 3 milionë lekë, ai ia ka dhënë dikujt tjetër këtë shumë lekësh, por ne nuk e dimë se kujt.
Nis hetimi, pyeten borxhlinjtë
Zhdukja e 30-vjeçarit Armand Abdullai është denoncuar edhe në Policinë e Korçës. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar, por ende nuk kanë të dhëna për vendndodhjen e të riut. Pas denoncimit të kryer nga familjarët e tij, policia është përqendruar në disa pista hetimi, por dyshimet më të forta kanë të bëjnë me paratë që i jepte në formën e fajdeve. Aktualisht janë marrë në pyetje personat, që sipas familjarëve të 30-vjeçarit iu ka dhënë para.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











