Zhduket Enxhi Kamenica, shtyhet gjyqi me Leonard Bombajn

Feb 25, 2012 | 15:35

Bombaj: Nuk heq dorë nga çështja.  Enxhi rrezikon burgun.

Seanca e parë e gjyqit të Leonard Bombajt ndaj Enxhi Kamenicës, që ishte parashikuar të zhvillohej dje në Gjykatën e Shkallës së Parë, është shtyrë për datën 9 mars, në orën 09:30. Arsyeja, pasi Enxhi Kamenica, e akuzuar për “shpifje”, nuk është paraqitur në seancën e parë. Paditësi akuzon Enxhi Kamenicën për shpifje në deklaratat e saj në emisionin “Zonë e lirë”, akuza që iu bënë në muajin tetor, ku ajo e ftuar në këtë emision të Arian Çanit, përdori termin “pedofil”, duke iu referuar Leonard Bombajt. Pikërisht etiketimet “pedofil” dhe “përdhunues” ndaj regjisorit nga ana e modeles Kamenica, kanë qenë arsyeja që Bombaj e ka paditur 23- vjeçaren për veprat penale të “fyerjes” dhe “shpifjes”, të bëra botërisht, pas çështjes penale që ai pati me një minorene, e cila e akuzoi artistin për përdhunim. Për dëmin e pësuar nga deklaratat e vajzës, që u bë e njohur në televizion nga pjesëmarrja e saj në programin “Big Brother Albania”, Bombaj kërkon dëmshpërblim në para në shumën 10 milionë lekë. Në kërkesën e tij në Gjykatë, regjisori pretendon se i është cenuar rëndë nderi, personaliteti, dinjiteti i tij dhe i familjes së tij. Leonardi qysh në tetor ka paraqitur kërkesën në Prokurori, që kur ajo ka dalë dhe ka deklaruar në televizion kallëzimin që Prokuroria ia ka kaluar Gjykatës për ndjekje. Dje ishte parashikuar të mbahej seanca e parë dhe rezultoi që Kamenica nuk u paraqit, ndërkohë që ekzistojnë shumë adresa, por askund nuk është gjetur. I pyetur nga gazeta ”Panorama” në lidhje me çështjen “Bombaj”, pohoi se: “Sa vjeç ka ajo, aq vite do ta pres dhe do t’i shkoj deri në fund çështjes. Le të krijojmë një etikë publike që liria nuk është e pakufizuar, dhe liria e shprehjes nuk duhet të jetë absolute, por ne shqiptarët kapërcejmë çdo kufi”, tha ai.

Nardi: Enxhi s’kishte asnjë lidhje me këtë histori
Ndërkohë që Gjykata nuk ka mundur të gjejë vendndodhjen e vajzës së paditur nga Bombaj me akuzën e “shpifjes”, Leonardi ka dhënë për herë të parë një sqarim për gazetën “Panorama” në lidhje me modelen. “Personalisht nuk kam pasur asnjë njohje me vajzën, edhe pse ajo ishte pjesë e televizionit. Nuk e kam takuar ndonjëherë, dhe mendoj që ajo hyri në konfliktin tim të mëparshëm pa asnjë lidhje”. Gjyqtarja e çështjes, Adriana Bera, e shtyu gjyqin për në datë 9 mars, ndërkohë që mosparaqitja e saj është konsideruar nga ai thjesht një karshillëk nga ana e saj, si një person që vrapon por fshihet. Nardi më tej pohoi se: “Rreth tetë muaj kjo falje në heshtje nga ana ime është përkthyer gabim nga pala kundërshtare, duke sulmuar emrin tim, siç bëri dhe Enxhi. Pas një periudhe që jam përballur me një gjuhë të paskrupullt e larg çdo morali, një lumë fyerjesh dhe shpifjesh, unë nuk tërhiqem. Kam vendosur që çdo shpifjeje, një për një dhe pa përjashtim, unë do t’i shkoj deri në fund”. Ndërkohë që në lidhje me komentet që ajo mund të jetë personazh në ditar, Nardi tha se është thjesht një imagjinanë e saj. “Sa për dijeni, mund të them se që kur media filloi të lidhë personazhet e librit tim “Në emër të atit, t’birit dhe shpirtit të zbathur” me personat konkretë, ranë shitjet. Unë thjesht jam marrë me personazhe të llojit të tyre dhe jo ata vetë”. Ndërkohë që sipas neneve të ligjit në fuqi, Enxhi rrezikon të dënohet me burg, dhe të shlyejë një gjobë për akuzën e “shpifjes” në publik.  Në padinë e tij, regjisori Bombaj radhiste arsyet se përse i ishte drejtuar gjykatës ta detyronte Enxhi Kamenicën ta dëmshpërblente. Sipas Bombajt, Enxhi Kamenica ka cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë familjen e tij, mbi të gjitha djalin e mitur, i cili e vuante psikologjikisht atë që ishte thënë prej saj në televizion.

Më 14 mars, “Sirea film” rikthehet me show-n e parë pas konfliktit
Emri ti tij nuk shkruhet në asnjë poster, por pas dy javësh në Teatrin e Metropolit, qendra “Sirea film” që drejtohet nga Leonard Bombaj, do japë show-n e parë skenik më 14 mars, me destinacion dhe synim ekranin. Synimi i Bomabjt është të mos jetë i pari, por synon që t’i mësojë nxënësit e tij të ecin me këmbët e tyre, duke filluar nga regjia dhe skenari, Elona Hyseni, e deri tek gjithë protagonistët. Kjo do të jetë premiera e parë që nga mbyllja e shkollës pas konfliktit në verën e vitit 2010, pas një shkëputjeje pas plot 1 viti e gjysmë. Kësaj here adoleshentët e “Sirea Film” për herë të parë bëjnë parodi me moshën e tyre, në një shfaqje plot batuta në Teatrin e Metropolit, nën kujdesin e Suela Konjarit.

© Panorama.al

Te lidhura