“Zhduken” simbolet në Aeroportin e Prishtinës

Jul 30, 2012 | 13:43

Mediat në Kosovë kanë alarmuar institucionet mbi zhdukjen e  simboleve kombëtare nga Aeroporti i Prishtinës, që prej marrjes së tij nën menaxhim nga një kompani turke. Suvenirët me simbole të Kosovës janë hequr nga dyqanet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, prej ditës kur e ka marrë atë nën menaxhim kompania “Unifree”. Zëdhënësi i ANP-së nuk ka pranuar ta komentojë këtë çështje me mediat kosovare. Pak muaj më parë, në hapësirën “duty free” në Aeroportin e Prishtinës ka pasur me shumicë simbole të Kosovës, si suvenirët “Hyjnesha në Fron”, skulptura të Nënë Terezës, presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova dhe të heroit Adem Jashari, emri i të cilit i është vendosur edhe aeroportit. Po ashtu flamuri kombëtar shqiptar dhe ai i Kosovës gjendeshin lehtë në këtë ambient, sipas “Koha ditore”. Ndërkohë që simbolet janë “zhdukur”, edhe shitësit që i tregtonin ato i kanë larguar nga puna. Ministrja Vlora Çitaku, e cila nuk kishte dijeni për këto “eliminime”, tha se “situata duhet të ndryshojë menjëherë”.

© Panorama.al

Te lidhura