Dy banka të nivelit të dytë në Tiranë, denoncuan zhdukjen në mënyrë të paqartë të rreth 3 milionë lekëve të reja nga llogaritë e klientëve të tyre. Zbulimi është bërë nga vetë bankat, të cilat gjatë verifikimit të llogarive të klientëve, kanë konstatuar 4 transaksione të kryera nëpërmjet bankomateve, pa dijeninë e pronarëve të llogarive. Pas konsultimit me klientët, në llogaritë e të cilëve mungonin paratë, bankat kanë vendosur t’i drejtohen policisë, me dyshimin se paratë mund të jenë vjedhur nga heckersat. Kallëzimi është kryer dy ditë më parë në zyrën e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe rastet po hetohen në bashkëpunim me prokurorët e Task-Force të Prokurorisë. Burime nga policia thanë se dyshohet që paratë të jenë tërhequr nga bankomatet e filialeve të dy bankave të nivelit të dytë në kryeqytet, me anë të kartave të klonuara. Deri tani ende nuk ka asnjë person të dyshuar, por burimet sqaruan se mënyra se si mund të jenë vjedhur paratë nga llogaritë bankare, është e ngjashme me atë që kanë përdorur pesë “turistët” bullgarë, që u arrestuan më 2 gusht, nga Policia e Shtetit. E vetmja provë, që policia ka arritur të sigurojë gjatë ecurisë së hetimeve, pas kallëzimeve të dy bankave, ka qenë një kartë që dyshohet të jetë e klonuar, e cila është gjetur në bankomatin e një prej bankave. Sipas burimeve nga policia, karta, që përveç shiritit magnetik nuk kishte asgjë tjetër të ngjashme me kartat e kreditit apo debitit, është gjetur nga personeli i bankës, në kohën që kryhej pastrimi i bankomatit. Ekspertët treguan se karta të tilla në shumë raste ngecin brenda në bankomat, për shkak të përmasave të ndryshme nga kartat e rregullta. Hetimi tashmë është përqendruar në verifikimin e kamerave të sigurisë pranë vendeve nga ku dyshohet se janë kryer transaksionet me karta të klonuara, për të parë nëse, nëpërmjet imazheve të regjistruara, mund të arrihet identifikimi i të dyshuarve. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se vjedhjet janë kryer nëpërmjet përdorimit të aparaturës “Skimer”, që vendoset si pjesë e bankomatit dhe mundëson kopjimin e të dhënave të kartave të debitit dhe kreditit. Aktualisht kanë nisur hetimet, me vënien në përdorim të metodave speciale, për identifikimin dhe kapjen e autorëve. e.d
4 transaksione
janë kryer në bankomatet e bankave të nivelit të dytë në kryeqytet, nëpërmjet të cilave janë vjedhur paratë e klientëve dhe, në një prej rasteve, tërheqja dështoi pasi karta ngeci në bankomat.











