Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të mendojë për mundësinë e dialogut me serbët e veriut. Ai ka theksuar se BE-ja do të jetë krah i qeverisë që të mundësohet një nismë e tillë për t’i bindur serbët atje ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
Sa i përket zgjedhjeve serbe, Zhbogar tha se ndihet i lumtur që ato i mundësoi OSBE-ja, mirëpo përshëndeti edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe të popullit që ishin të qetë gjatë kësaj kohe. Edhe Bashkimi Evropian ka uruar Serbinë për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare dhe presidenciale.
Zhbogar ka vizituar shkollën “Hasan Prishtina” në kryeqytet në kuadër të “Javës së Evropës”, që po organizohet në Kosovë. Me këtë rast ai tha se është ndier i befasuar nga njohuritë e nxënësve që kanë për Bashkimin Evropian dhe njohjen e gjuhës angleze nga ta, që sipas tij, kjo është e ardhmja e sigurt e Kosovës drejt aspiratave të saj.











