
Ukrainë-Francë do mbahet mend për dy gjëra: rrebeshin që pas pesë minutash lojë e detyroi arbitrin Kuipers të pezullonte ndeshjen dhe ta riniste pas afro 1 ore. Do të mbahet mend gjithashtu edhe për rikthimin e Francës te fitorja në ndeshjet në grupe të një Europiani, që nën drejtimin e Blankut kërkon të fshijë paraqitjen e tmerrshme në Botërorin e vitit 2010. Në pjesën e parë ka një ekuilibër thelbësor, edhe pse ishte Franca që pati rastet më të pastra. Në minutën e 26-të bëhet e rrezikshme Franca: gabim i Nazarenkos të cilit ia vjedh topin Riberi. Futbollisti i Bajernit pason në zonë, por Menezi gjuan mbi traversë, edhe pse kishte mundësi ta çonte topin në rrjetë. Në minutën e 34-t reagojnë vendësit pas një kundërsulmi dhe i shërbejnë Shevës një top që pasi e stopon me kokë, e gjuan me të djathtën, por e bllokon portieri Loris. Në minutën e 53-të të ndeshjes, Menez ia del të shënojë. Kundërsulm i Riberisë, aksioni spostohet në të djathtë, nga ku Menez merr një top brenda zonës dhe pas një gjuajtjeje tokazi mposht portierin. Kalojnë vetëm tri minuta dhe Ukraina gjendet në disavantazh 2-0. Pasim perfekt i Benzemasë për Kabajenë që depërton në zonë dhe gjuan në trekëndësh.
Skeda e ndeshjes
Ukrainë – Francë 0-2
Golat: Menez 53’, Kabaje 56’
Ukraina (4-4-2): Pjatov; Gusev, Khaçeridi, Mikhalik, Selin; Jarmolenko (71’ Alijev), Nazarenko (60’ Milevskii), Timoshuk, Konopljanka; Shevçenko, Voronin (46’ Deviç). Trajner: Oleg BllohinFranca (4-3-3): Loris; Debush, Rami, Mekses, Klishi; Kabaje (71’ M’Vila), A.Diarra, Nasri; Menez (73’ Martin), Benzema (76’ Zhirud), Riberi. Trajner: Loran Blank
Arbitër: Bjorn Kuipers (Holandë)
Të verdhë: Selin 55’, Timoshuk 87’ / Menez 40’, Debushi 79’, Mekses 81’
Spektatorë: 42.162ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes: Edhe pse ata që shënuan janë Menez dhe Kabaje, iniciatori i golave të tyre ishte Karim Benzema, i cili edhe një herë tjetër u sakrifikua për të mirën e skuadrës së tij duke ofruar dy asiste.
Më i dobëti: Nëse në ndeshjen e parë ishte frymëzim për golat e Shevçenkos dhe e mbështeti atë në manovrën sulmuese, këtë herë ai ishte inekzistent në fushë dhe la fare vetëm kapitenin e tij përpara.
Moviola: Në minutën e 16-të, Menez sheh t’i anulohet një gol në një pozicion të qartë jashtë loje. Menez ishte lojtari i parë që ndëshkohet me të verdhë (minuta e 40) pasi pengoi një kundërsulm të shpejtë të Shevçenkos, por mbase gabimi i vetëm i arbitrit është mungesa e ndëshkimit me të kuq të Menezit vetëm një minutë më vonë. Ylli i ri i PSG-së ndërhyn keq ndaj një kundërshtari.
Manipulumi
UEFA ka planifikuar që në ekranet televizive të mos pasqyrohet e gjithë e vërteta e ngjarjeve në stadium nëpërmjet kamerave. Politikat e tyre kanë bërë që edhe disa foto të manipulohen. Një rast i tillë ka ndodhur edhe me fotot e publikuara në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Holandës, ku trajneri gjerman Lëv i heq topin prej duarve një djaloshi ukrainas. Mirëpo, ky episod ka ndodhur para ndeshjes. “Skena mes Lëvit dhe tifozit ka ndodhur para ndeshjes”, – thotë UEFA.
Kameramani
Ngarkesa e lartë e operatorëve në dy vendet organizatore ka dhënë shenjat e para. Gjatë konferencës për shtyp të ekipit kombëtar gjerman, në momentin që sulmuesi Mario Gomez po u jepte përgjigje pyetjeve të gazetarëve, njërit prej kameramanëve në sallë i ka rënë të fikët. Sipas mediave, ai ka qenë britanik dhe si rrjedhojë të huajt e kanë shndërruar në figurë “tmerri” sulmuesin gjerman.











