“Zgjodhën të tjerë aktorë politikë”- Si e penguan Profesor Repishtin që të ishte në udhëheqësinë e vendit pas 90-ës

Dec 2, 2024 | 10:30
SHPËRNDAJE

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/ Profesor Sami Repishti, një nga figurat më të ndritura të mendimit dhe angazhimit kombëtar shqiptar, nuk është më në mes nesh.

samirepishti02

Shkodra, Malësia, Kosova, Çamëria dhe Shqipnia mbarë nuk do të kenë më drejtimin, kujdesin, mbrojtjen dhe fjalën e përditshme të Profesor Sami Repishtit, Rilindasit dhe Desidentit të fundit, Atij që jetoi, na dëshmoi dhe na transmetoi deri para pak ditëve, me korrektësinë dhe madhështinë e një statisti të papërsëritshëm, në kohën tonë, trashëgiminë ma të mirë të katër epokave, përjetimin e kualifikuar të katër brezave të shqiptarëve: të Indipendencës, Mbrojtjes Nacionale, Shtetformimit; të Rezistencës Antifashiste; të Desidencës së mirëfilltë dhe të vetëdijshme kundër shpërdorimit të andrrës për liri të rinisë nga diktatura komuniste; Rrugën e Duhur drejt Demokratizimit dhe Europianizmit të Shqipnisë në Tranzicion.

U largua nga ne, në agun e përvjetorit të 112 të shpalljes së pavarësisë dhe të formimit të shtetit nacional, pas një shekulli jete me nder, urtësi, thjeshtësi, mençuri, iluminim rrezatues, humanizëm dhe vepra të shkëlqyera misionare, që do të mbesin modele referuese për brezat e ardhshëm të vendit tonë, për rrugën nga do të duhet të drejtohet identiteti dhe bashkimi nacional; paqja, liria dhe kushtetuta e shtetit tonë; rruga demokratizuese, dekomunistizuese dhe europianizuese; pastrimi i shtetit nga korrupsioni; de-gangsterizimi i hapësirës publike dhe proceseve zgjedhore; rivendosja e drejtimit shtetëror mbi strukturat profesionale dhe intelektuale.

Djali i Shkodrës, i lindun në kohën e ripërtëritjes së qytetit dhe ribamjes së Shqipnisë, ai studenti universitar i Firencës, pjesë e grupit të djelmnisë shkodrane, që mbështeste popullsinë e krahinave të mjerueme nga lufta, antifashisti patriot, desidenti, i burgosuri politik i diktaturës, veprimtari për lirinë dhe të drejtat e njeriut, mbrojtësi i shqiptarëve të trojeve, të Gegnisë dhe Toskërisë njëlloj, kolosi i letrave, akademiku, kolumnisti i shkëlqyeshëm i shtypit shqiptar dhe ndërkombëtar, diplomati, fjala e të cilit kishte grat në kanceleritë përëndimore, nuk do të jetë ma në mes nesh. Por Ai na ka lanë si testament udhërrëfyes, veprën e tij, që si pak kush nga Eterit ë Kombit, pat gjithë kohën e nevojshme me na e detajue me shkrim dhe fjalë, për të gjitha udhët tona të kryqëzueme, të ngaterrueme dhe të shtrembërueme prej rrahagjoksish “krenarë”, që ndërrohen në mënyrë ciklike në këtë vend, që sillet rreth vetes, pa nxjerrë dot jashtë të keqën që e ka kapërthye. Ndërhyrjet e tij të përditshme publike në dobi të shtetit dhe qytetarëve përbënin dhe përbëjnë një thesar të modeleve të drejtimit politik dhe strategjik për çdokend që merr përsipër t’i japë shpresë atdheut dhe brezit të ri në rrugën demokratizuese dhe europianizuese.

Profesor Samiu ishte shpresa jonë në vendin e lirisë, ishte Ati ku shumë bashkatdhetarë gjenin mbrojtje dhe merrnin kurajo. Në rrugën tonë të trazuar të këtyre 34 viteve ecjeje drejt udhëve të panjohura dhe të paqarta të ofruara nga elitat e improvizuara vendase, fjala e tij ishte mjaftueshëm korrektive, orientuese dhe drejtuese. Mirëpo mes fjalës së tij si përfaqësues i interesave publike dhe kombëtare dhe prirjeve, dëshirave dhe mendjeve të vendimarrësve politikë vendas, ekzistonte një hendek i madh.

Kur në dhjetorin e vitit 1990 rrugët drejt lirisë u hapën dhe vendit i duhej të rigjente udhëheqësinë e urtë para-diktatoriale, për të kryer me saktësi dhe pa gabime, shndërrimin nga mizerja në qytetnim, në rrënjët tona, duke ndjekur konventat themeluese të Eterve, ne pritëm, ne kishim shpresë, ne andërruem, që rruga për udhëheqësinë e shtetit prej Profesor Repishtit, prej Desidencës së Shkolluar që ia kishte dalë të mbijetonte pas ferrit gjysëmshekullor për t’i shërbyer nacionit, do të hapej. Po, për fatin e keq të shqiptarëve, kjo rimarrje, ky mision historik, nuk u lejua të kryhej siç do të duhej dhe siç do ta kishin mundësuar vendet e qytetëruara. Kontrollorët e rënies së vetvetes kishin zgjedhur një tjetër skemë, të tjerë aktorë politikë, për të ruajtur pozitat financiare e ekonomike. Ishte fati i keq i shqiptarëve, që elita e emigruar e nacionit, e mbetur gjallë nga kalvari i vuajtjeve, u shmang nga udhëheqësia praktike e shtetit, e dekomunistizimit të mirëfillte, demokratizimit, europianizimit dhe shekullarizimit. Pas këtij pengimi të qëllimshëm, rezultati dihej: është kjo tatëpjeta me katër cikle qeverisjesh diletante e shtetit të dështuar, që kur i teket programatorëve, e kolapsojnë, për të shuar fajësitë.

Profesor Repishti u largua në ditët që kishim sërish nevojë për Atë, për shkak tatëpjetës ku ec vendi ynë, nga mosdëgjesa, diletantizimi dhe keqbërja; në ditët kur Shkodra e Tij dhe Jona, kishte ma shumë se kurrë nevojë me e ndigjue zanin e Nderit të Qytetit të vet, të Parit të Parësisë së saj, të Vërtetit, të Mirit, Garantit, të fundit të një Brezi të të Paprekshmëve të Urtë, që u lindën në këtë polis, që sot lëngon.

Është një ditë dhimbjeje e madhe për të gjithë, posaçërisht për familjen e Tij, miqtë dhe të afërmit, për të gjithë popullin shqiptar. Por të gjithë do të duhet të jemi krenarë për Liderin tonë Atnor. Ai nuk na lëshoi asnjë moment të jetës së Tij: prindërit tanë në ditët e mundimshme të dhunës diktatoriale; brezin tonë në ditët e shpresës, kur të konvertuarit ndërruan lëkurën dhe morën me dredhi flamurin e lirisë; fëmijët tanë, të cilët ende shpresojnë që Shqipëria do të ribahet një ditë vend i lirë, demokratik dhe i shekullarizuar; Kosovën, për të cilën ai bëri çdo gja në dorën dhe mendjen e tij të ndritur, që ajo të rilindte drejtë, siç do të duhej të rilindte Dardania. Dhe Ai ia mbërriti ditës që ta shohë të bëhet një Shtet Serioz Euro-Atlantik. Ai na ndoqi ne me besnikëri të pashoqe dhe shembullore deri në pragun e përvjetorit të themelvënies dhe la mjaftueshëm urdhnime aksiomatike për ardhmëninë tonë. Ai nuk bëri gjë tjetër, veçse ndoqi shembullin e mëdhenjve tanë të pacënueshëm, që nga Shkodra që i lindi dhe i rriti, u ngritën për t’u vendosur në piedestalin e Atdheut, duke i shërbyer atij me ndërshmëri, konsenkuencë, pa paragjykime dhe dallime.

Në një kohë kur vendi ynë përballet me sfida të mëdha politike, ekonomike dhe sociale, trashëgimia intelektuale dhe politike e Prof. Sami Repishtit duhet të shërbejë si një burim frymëzimi për të kapërcyer vështirësitë dhe për të ndjekur rrugën drejt një Shqipnie të lirë, demokratike dhe të zhvilluar perëndimore. Në këtë ditë dhimbjeje të thellë, kujtojmë me krenari jetën dhe veprën e një njeriu të madh që i shërbeu kombit deri në frymën e Tij të fundit.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura