Me kërkesën e 3323 themeluesve, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të formës së prerë Nr. 1950 dhe Nr. akti 8626, më 17 Mars 2012, regjistroi si person juridik, në regjistrin e partive politike, partinë “Lidhja për Drejtësi e Progres” me inicialet LDP.
Përse u themelua “Lidhja për Drejtësi e Progres”
Në njëqindvjetorin e Pavarësisë, Shqipëria përjetoi bojkotin ciklik të institucioneve dhe politika e konsensusit dhe kompromisit si art i qeverisjes është zëvendësuar nga politikat bllokuese. Mungesa e dialogut politik konstruktiv dhe retorika mediatike e nxitjes së konfliktit në seancat parlamentare e kanë shndërruar Kuvendin në një institucion pa autoritet, i cili nuk ushtron funksionin e kontrollit kushtetues ndaj pushtetit ekzekutiv. Deputetët mjetin më efikas të komunikimit kanë akuzën, madje ata akuzojnë edhe njeri-tjetrin si hajdutë dhe si agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit, por që të dyja grupet parlamentare nuk e miratojnë ligjin për hapjen e dosjeve të politikanëve dhe as e kanë vullnetin për të hequr imunitetin kushtetues, me ndryshimin e normës kushtetuese. Partitë që humbasin zgjedhjet, po ringjallin “zakonin shqiptar” të largimit nga institucionet politike, si në 1924, dhe me demonstrata e revolta militantësh të organizuara nga ato, i turren Kryeministrisë, me të cilën simbolizohet pushteti. Në 1998, PD e “pushtoi kalanë–Kryeministri”, ndërsa socialistët nuk e morën dot “kalanë” në 2011-n! Protestat në vendet demokratike i organizojnë sindikatat e grupet e interesit, kurse në Shqipëri partitë organizojnë greva e demonstrata, si instrumente për dobësimin dhe pastaj marrjen e pushtetit. Mendësia e partisë-shtet po shndërrohet në sindromë politike, e cila i ka shokuar institucionet e BE-së, dhe me humor e konsiderojnë sukses të madh takimin e Ramës me Berishën ose rikthimin e opozitës në Parlament! Adhurimi i rolit udhëheqës të partisë dhe i kryetarëve po injektohet edhe te të rinjtë, të cilëve për interesa pushteti u premtohet bashkimi kombëtar si vepër partie! Shqiptarët duhet të jenë aq inteligjentë, sa të kuptojnë se çështja kombëtare nuk mund të jetë vepër e një apo disa partive dhe as mund të realizohet me parti e kryetar që shpërndajnë fletushka për greva e demonstrata, që bëjnë thirrje për mosbindje civile, që nuk respektojnë Kushtetutën ose veprojnë në kundërshtim me të dhe që kërkojnë shndërrimin e institucioneve politike të shtetit në “leva partie”! Kjo e vërtetë surrealiste, sa komike dhe tragjike, na largon, në vend që të na afrojë me kulturën perëndimore dhe realizimin e ëndrrës së bashkimit të trojeve të ndara padrejtësisht në 1913-n. Ne duhet të pranojmë pa dhimbje se nuk kemi qenë të zotë ta realizojmë bashkimin kombëtar dhe as mund ta plotësojmë këtë aspiratë pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar vendimmarrës, të cilët sot rekomandojnë plotësimin e standardeve për integrimin në BE! Në shoqëritë perëndimore propagandohen globalizmi e multikulturalizmi me standardet e të drejtave të njeriut, ndërsa partitë në Shqipëri, për interesa pushteti, artikulojnë teza populiste, që acarojnë marrëdhëniet në rajonin problematik. “Protagonistët” shpesh i referohen Kushtetutës, por që shkëpusin prej saj formulimin se “Drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit “.
Partitokracia po ringjallet si një fantazmë e po fiton terren, aq sa po krijohet mendimi se vetëm ligjërimi kushtetues ka mbetur për të shpallur Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, si forcat e vetme udhëheqëse të shtetit dhe shoqërisë në Shqipëri!
Në 100 vjet shtet, shqiptarët për arsye të trashëgimisë ideologjike, kanë përjetuar situata, sa të lumtura edhe tragjike, por asnjëherë nuk kanë mundur të ndërtojnë shtetin e së drejtës.
Të lumtur përjetuan shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali dhe me dhimbje mosnjohjen nga fuqitë europiane! U gëzuan për krijimin e Principatës Autonome e të Trashëgueshme të Princ Vidit dhe u brengosën nga përdhosja që i bëri anarkizmi vrastar i “kryengritjes” së Shqipërisë së Mesme! Përjetuan madhështinë e Kongresit të Lushnjës, kur elita politike shqiptare krijoi për herë të parë, pa ndërhyrjen e faktorëve të huaj, institucionet politike të shtetit dhe abrogoi “de facto” aktet ndërkombëtare të Konferencës së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913, por arritjet i varrosi lufta e pandershme politike për pushtet, midis grupeve rivale të drejtuara nga Noli e Zogu. Formimi i Republikës së Shqipërisë në 1925 dhe monarkia e Mbretit Zog në 1928-n i dhanë shtetit shqiptar formën e qeverisjes dhe legjislacionin perëndimor, por mendësia lindore e drejtimit dhe etja për pushtet e shndërruan pluralizmin politik në një “fiction” dhe liritë e të drejtat e njeriut si të panevojshme, përpara rritjes ekonomike e ndryshimit të mënyrës së jetesës, që pa dyshim ishin të nevojshme, por jo të vetmet vlera perëndimore. Shqiptarët kanë njohur shtetin e diktaturës së proletariatit që Enver Hoxha e shpallte si “shkalla më e lartë e demokracisë”, që e zhvilloi arsimin, shëndetësinë, kulturën e sportet, por solli izolimin e ndarjen për së gjalli me vëllezërit në trojet natyrale shqiptare, varfërinë ekstreme të popullit dhe luftën e tmerrshme të klasave, burgjet dhe internimet, ideologjizimin e politizimin e mendjeve njerëzore dhe izolimin e tejskajshëm nga qytetërimi perëndimor. Shqiptarët përjetuan shembjen e diktaturës dhe krijimin e pluralizmit politik me ekonominë e tregut, që ka sjellë ndryshime dhe e ka rritur nivelin e jetesës, por vazhdon të jetojë mendësia e partisë-shtet, e cila pengon realizimin e drejtësisë si paanshmëri dhe zhvillimin e vendit. Lufta e klasave nuk shfaqet në formën e vetë klasike, por si luftë për pushtet midis “të majtëve” dhe “të djathtëve” dhe zëvendësimin e nepotizmit tradicional të “gjakut” e “fisit” me “nepotizmin e interesave”, i cili, sipas opinionit publik, shfaqet në formën e “lobeve politike” dhe “monopoleve ekonomike”, që për pushtet blejnë votën e qytetarit dhe kandidimin e deputetit, emërimin ose transferimin e gjyqtarit, emërimin e ambasadorit dhe fituesin e tenderit që duhet të financojë partinë në zgjedhje, me qëllim që askush të mos të konkurrojë krijuesit dhe mbrojtësit e këtij modeli qeverisjeje. Prandaj nuk besohet më te vlerat e parimet e demokracisë funksionale, por vetëm te sasia e eurove dhe dollarëve që ofrohen për shërbimet partiake dhe klienteliste. Shqiptarët po e humbasin besimin, si te alternativa qeverisëse dhe te alternativa korrigjuese opozitare dhe po kërkojnë alternativa të reja politike konkurruese. Për ta ndryshuar këtë realitet të papranueshëm për inteligjencien e shqiptarëve, intelektualë e politikanë, pedagogë e studentë, punëdhënës e punëmarrës, të vetëpunësuar e njerëz të thjeshtë, emigrantë dhe të papunë, themeluan partinë “Lidhja për Drejtësi e Progres”, si lidhje politike e njerëzve të lirë, të çliruar nga ideologjitë e vjetra politike dhe komplekset e së shkuarës, me mendje të hapur dhe vizionin e një partie moderne, me frymë kombëtare dhe frymëzim e orientim perëndimor.
Misioni dhe qëllimi i LDP-së
Misioni politik buron nga përgjegjësitë civilizuese dhe detyrimet juridike kushtetuese për krijimin e vullnetit dhe edukatës politike të shtetasve shqiptarë.
Qëllimi i krijimit të partisë është pjesëmarrja në konkurrimin politik demokratik për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së vendit, në nivelin qendror dhe vendor. Programi merr në konsideratë realitetin politik e ekonomik të Shqipërisë, standardet dhe objektivat që duhen plotësuar për anëtarësim në BE, strategjinë e zhvillimit të BE “Europë 2020” dhe instrumentet e rekomanduara për kapërcimin e krizës së borxheve nga vendet e BE-së. Kur konceptet politike dhe metodat e drejtimit janë të zbrazura e të vjetruara nga përmbajtja demokratike dhe vlerat njerëzore quhen të tejkaluara, ndërsa shpërdorimi e abuzimi me pushtetin vlerësohen si zotësi! Kur funksioni zyrtar konsiderohet privilegj e mjet pasurimi e institucionet dobësohen çdo ditë! Kur elitat politike nuk qarkullojnë dhe autoritarizmi po venit demokracinë:
Kërkohet një “fillesë” e re, si lëvizje e njerëzve me mendime të freskëta e shikim vizionar nga e ardhmja, me veprime dinamike e institucionale, të cilët duhet të ndryshojnë situatën që pengon integrimin e shqiptarëve në institucionet europiane, me vlerat e tyre kombëtare.
Ne jemi “Lidhja për Drejtësi e Progres”!
Ne jemi “Lidhja” që do ta ndryshojë politikën aktuale.
Ne jemi kundër politikës së rrugës, jemi për politikë institucionale.
Ne jemi për institucione politike e juridike, kundër praktikave e sjelljeve atavike, anarkike.
Ne jemi për zgjedhje të ndershme elektorale, kundër kultit dhe posterave të kryetarëve.
Ne jemi për zgjidhje jo për konstatimin, jemi për drejtësi, kundër politikës së mashtrimit.
Ne jemi për progresin, jemi për zhvillimin, kundër politikave që kërkojnë ndryshimin.
Ne jemi për shanse të barabarta për të gjithë, kundër politikave që diskriminojnë gratë e fëmijët. Ne jemi për mirëqenien e moshës së tretë e rinisë, nuk jemi kundër të pasurve dhe pasurisë.
Ne jemi për standardet europiane të jetesës, kundër krahasimit me standardin e mbijetesës.
Ne jemi për shpërndarjen e buxhetit të shtetit, sipas kriterit të leverdishmërisë dhe efektivitetit.
Ne jemi kundër politikave preferenciale dhe abuzimit me të ardhurat kombëtare.
Ne jemi për ekonomi me rritje punësimi, kundër informalitetit, korrupsionit e abuzimit.
Ne jemi për turizëm të zhvilluar në bregdet, në zonat malore dhe turizmin familjar.
Ne jemi kundër politikave që nxitin turizmin spontan me mbeturinat si mal.
Ne jemi për politika akademike e arsimore që nxisin dijen e forcojnë vullnetin.
Ne jemi kundër praktikave masivizuese që prodhojnë dhe zhvillojnë mediokritetin.
Ne jemi për administratë me profesionistë, që nuk konsumojnë taksat e shqiptarëve çdo ditë.
Ne jemi për investime në sektorët strategjikë pa cenuar standardet që shkatërrojnë ekologjinë.
Ne jemi kundër patriotizmave anakronikë që nxitin e ushqejnë ndjenja nacionale.
Ne jemi për multikulturalizmin, mbështesim globalizmin dhe frymën kombëtare.
Filozofia Politike e LDP-së!
Filozofia politike e LDP-së buron nga traktati “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, dhe shkolla perëndimore e Demokratëve të Rinj. Sami Frashëri është përfaqësues i shquar i elitës së lëvizjes kombëtare shqiptare, që hartoi projektin e Shqipërisë politike, i cili përputhej me kufijtë e Shqipërisë natyrale. Ai përgatiti projektin politik të Republikës, si risi në hapësirat e Ballkanit monarkik, me institucione politike të pavarura, e kryetar kolektiv të shtetit, të cilin si Straboni e quante plakoni/pleqësi. Një pushtet legjislativ me 100 deputetë, me pushtet gjyqësor, me pushtet ekzekutiv e Ministrinë e Diturisë, Ministrinë e Begatisë, Ministrinë e Drejtësisë e Besimit, me administrim të decentralizuar, të lehtë e funksional, me 15 “ngastra” e 15 kryeqytetet e tyre, me Prishtinën e Yskypin (Shkupi), Shkodrën, Elbasanin… Janinën e Prevezën dhe me kryeqytetin e Shqipërisë, të cilin dëshironte të quhej Skënderbegas. Samiu është konstitucionalisti i parë i “botës intelektuale” shqiptare. Projekti i tij duhej të ishte themeli juridik kushtetues, mbi të cilën Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe burri i mençur Ismail Qemali duhej të themelonte institucionet politike të shtetit të ri shqiptar.
LDP mendon se kuptimi mbi politikën duhet të rishikohet tërësisht, duke filluar me demokratizimin e partive dhe me qarkullimin e “elitave”, për t’u çliruar nga autoritarizmi i kryetarëve. LDP-ja është e para parti politike që e kufizoi mandatin e kryetarit të partisë me statut. Mandati do të jetë katër vjet, me të drejtën e rikandidimit vetëm një herë. Risi është instituti i dorëheqjes nga mandati, si akt moral qytetërues ndaj përgjegjësive publike. LDP-ja do të iniciojë projektligjin për hapjen e dosjeve të politikanëve dhe heqjen e imunitetit kushtetues të deputetëve, gjyqtarëve e prokurorëve, si mbrojtje juridike që pengon hetimin nga organet e Drejtësisë.
Parti elektorale e organizuar!
Partia do të organizohet në të gjithë Shqipërinë, në qarqe, në rrethe, në bashki e minibashki, në komuna, në lagjet e qytetit e në fshatra dhe jashtë vendit, për të konkurruar në zgjedhjet e 2013-s në të gjitha zonat zgjedhore. Target-Grupi i anëtarësimit do të jenë subjektet që fitojnë të drejta sociale e politike nga Kushtetuta. Organe qendrore emërtohen Kuvendi Kombëtar, Këshilli i Përgjithshëm, Kryetari i Partisë, Kryesia e Partisë, Sekretariati i Partisë, Komisioni Qendror i Interpretimit dhe Zbatimit të Statutit të Partisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në parti dhe i zgjedhjeve politike e vendore.
Parti jo ideologjike, e jo klasore!
LDP deklaron se nuk është parti ideologjike, por post-ideologjike. Sociologët e politologët e famshëm të viteve 1970-2000 mendojnë se ideologjitë politike perënduan kur ekonomia fitoi mbi politikën; Demokracia Liberale fitoi mbi ideologjinë dhe ideologjitë konvencionale të së “majtës” e të “djathtës”, që u zëvendësuan nga globalizmi e multikulturalizmi. Ideologjitë politike po “rrudhen” përballë standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat janë burim i së drejtës për legjislacionin e çdo vendi që kërkon të anëtarësohet në institucionet politike të BE-së. Njerëzit nuk lindin as të “majtë” apo të “djathtë”, sepse nevojat e interesat e tyre nuk janë as të majta as të djathta dhe nuk mund të kushtëzohen nga ideologjitë dhe orientimi politik i qeverisjeve. Për jetësimin e filozofisë politike, LDP nga “flamuri” i Demokracisë Sociale merr vlerat e lirisë, barazisë dhe solidaritetit social. Nga “flamuri” i neo- liberalëve, do të përftojë vlerat e ekonomisë së tregut dhe nga neo-konservatorizmi vlerat që kanë lidhje me çështjen kombëtare, familjen dhe fenë.
Shteti Social i së Drejtës dhe ekonomia e tregut.
Shteti Social i së Drejtës do të ofrojë shanse dhe barazinë e së drejtës së çdo subjekti para ligjit. Ai do të nxisë dhe inkurajojë subjektet juridike në tregun e punës që të rrisin punësimin, prodhimin e shërbimin, për të krijuar shoqërinë e mirëqenies, ku dominuese të bëhet klasa e mesme dhe do të marrë në mbrojtje kategoritë sociale në nevojë, të cilat nuk integrohen në tregun e punës, nga pamundësi objektive dhe aftësitë e tyre të kufizuara, por jo nga dembelizmi. LDP nuk është kundër pasurisë dhe as kundër të pasurve, por është kundër mënyrave të padrejta dhe antiligjore të shtimit të pasurisë, si forma korruptive, që inkriminojnë shoqërinë dhe ndikojnë në varfërimin e grupimeve të tjera sociale. Ne jemi kundër ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të shtetit në ekonomi, që ajo të bëhet më dinamike dhe më e qëndrueshme. Ne do të inkurajojmë ridimensionimin e partneritetit social midis punëmarrësve, punëdhënësve dhe shtetit. Hartimi i legjislacionit të punës do të jetë kompetencë e Këshillit Kombëtar të Punës, i cili do të rikompozohet për të pasqyruar realitetet e reja të faktorëve realë në tregun e punës. Me iniciativë ligjore do të amendojmë Kodin e Punës, për t’i sjellë normat juridike në standardet e konventave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe legjislacionin më të përparuar që garanton, si të drejtat subjektive edhe detyrimet juridike të punëdhënësve dhe punëmarrësve. Ne u drejtohemi bashkëkombësve e jo bashkëkombësve shtetas të Republikës së Shqipërisë, që të udhëhiqen nga konceptet pluraliste të qytetërimit botëror, pa marrë parasysh origjinën, etninë, gjininë, besimin dhe mendimin dhe mos diskriminim, të zhvillojmë vetëdijen e shtetësisë dhe të ndajmë me krenari të qenët shtetas të Republikës së Shqipërisë. Përvoja historike na mëson se perandoritë dhe qeveritë i kanë rrënuar korrupsioni dhe dekadenca, parregullsia e spekulimi, favorizimet dhe pabarazia para ligjit, tendencat raciste e preferencat partiake, autoritarizmi e despotizmi. Ne besojmë se drejtësia dhe progresi do sigurohen, kur shqiptarët të vetëzgjohen nëpërmjet dijes, për t’u zgjuar nga mosbesimi shekullor dhe me punë të ndershme e me ndihmën e Zotit të ndërtojnë shtetin e vërtetë demokratik, model të cilin LDP e ofron.
© Panorama.al












