Jemi në vitin e 100-të të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe çdo taktikë, strategji, ligjërim, akt apo zgjidhje politike duhet të jetë domosdoshmërisht përtej ngushtësisë së interesave partiake apo private të partive apo udhëheqësive politike. Kërkohet vënia e interesit kombëtar përmbi atë partiak, si edhe vendosja e interesit publik përmbi atë vetjak, në mënyrë që të përmbushet e gjithë panorama e gëzueshme festive që meritojmë të gjithë së bashku, e kurrsesi të synohet e mbillet konflikti, kumtohet kriza dhe paralajmërohet prishja e festës së të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo ku janë.
Gjithashtu jemi për herë të tretë përballë pikëpyetjeve të mëdha nëse do ta marrim statusin kandidat për në BE apo jo. 100-vjetori i gëzueshëm dhe marrja e statusit kandidat në BE janë dy arsye që mund të bëhen një, që festa e të gjithë shqiptarëve të jetë sa më e plotë, sa më e arrirë, sa më përfaqësuese e sa më përbashkuese.
Situata në Maqedoni është ditë pas dite e vështirë dhe plot të papritura, gjë që nënkupton nevojën për maturi dhe vëmendshmëri të lartë të klasës politike shqiptare në Maqedoni, por patjetër edhe në Tiranë e Prishtinë.
Pas fuqizimit elektoral dhe institucional të radikalëve të Tomislav Nikoliçit në Serbi, gjithashtu situata në Luginën e Preshevës dhe në Kosovë, por, mbi të gjitha, në Veriun e Kosovës, shndërrohet në një sfidë që kërkon miradministrim prej mendjeve të mençura dhe të sprovuara në Tiranë dhe Prishtinë.
Në Mal të Zi, shqiptarët gjithnjë e më tepër po forcojnë kërkesat e tyre për Komunën e Malësisë, respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave për pronën, simbolet kombëtare dhe përfaqësimin në qeverisje. Edhe këtu kërkohet ndryshim i arsyetuar dhe orientuar drejt nga institucionet zyrtare dhe klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë për t’i mbrojtur dhe mbështetur qartazi e fuqishëm interesat e shqiptarëve në Mal të Zi.
Greqia ka rënë në spiralen e krizave të njëpasnjëshme ekonomike, politike dhe elektorale, e po bëhet një shembull i drejtpërdrejtë se si nuk duhet të sillet klasa politike shqiptare, por edhe elektorati shqiptar. Leksioni i Greqisë na vlen të kuptojmë se si papërgjegjshmëria e udhëheqësive politike mund të na fusë në kriza të forta ekonomike e më pas politike, por edhe në rrëshqitje radikale të dëshirave dhe qasjeve të elektoratit. E në Shqipëri i kemi vërdallë radikalët, të cilët me sloganizma boshe po ulërasin televizioneve, sallave e shesheve për të peshkuar frymë të vdekura, si edhe të dëshpëruarit që bien lehtë pre e emocioneve pa arsyetim.
BE me fitoren e Holande në Francë, por sidomos nën trysninë e krizave ekonomike në Greqi, Spanjë, Itali etj., të cilat po tronditin fort eurozonën dhe institucionet e BE, ka hyrë në një momentum të ridimensionimit të të gjitha proceseve të zgjerimit apo edhe të konsolidimit të marrëveshjeve, procedurave e institucioneve politike dhe financiare ekzistuese.
SHBA janë të pranishme më shumë se kurrë në rajon për arsye dhe objektiva strategjikë që përputhen më së miri me interesat tona kombëtare.
E thënë drejtas dhe kthjellët, ky është 100-vjetori i Shqipërisë, por është edhe viti i nisjes së shekullit të ri të shqiptarëve. Jemi në kohën dhe rrethanat më të shëndosha gjeostrategjike të ngritjes dhe lartësimit të shqiptarisë dhe shqiptarëve. Vetëm ne mund ta dëmtojmë vetveten, askush nuk mundet ta bëjë më.
Ne mund të qëndrojmë në vend, kthehemi mbrapa, ose të vendosim të ecim bashkë me kohën dhe rrethanat në favorin tonë. Në këtë kontekst, zgjedhja e Presidentit të Republikës merr një vlerë tejet të veçantë dhe sipërisht të rëndësishme.
Së pari, për vetë kohën dhe rrethanat ku ndodhet Shqipëria dhe shqiptarët, kërkohet që rrethi i përzgjedhjes së Presidentit të mbahet i ngushtë, në nivelet më të larta politike, sepse sot më tepër se kurrë Shqipëria dhe shqiptarët, kudo që janë, kanë nevojë për të pasur në krye të shtetit një politikan të mençur, të sprovuar, parësor, komunikues të shkëlqyer, me vokacion të fortë kombëtar dhe euroatlantik, me sferë të lartë influence ndër të gjithë shqiptarët, si dhe me aftësi të afirmuara dhe konfirmuara përfaqësimi, partneriteti dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët.
Zgjerimi i hinkës përzgjedhëse drejt shoqërisë civile, niveleve dytësore politike, përfaqësuesve të Diplomacisë apo të Drejtësisë do të rrezikonte mu në zemër vetë rëndësinë e kohës, proceseve dhe rrethanave ku ndodhen shqiptarët. Zgjerimi i hinkës në këtë kah, në fakt do të ishte paradoksalisht ngushtim i hinkës sepse do të bënte që gjithçka të shkonte nga qëllimi i një zgjedhjeje me rëndësi kombëtare në një zgjedhje me rëndësi për kryetarokratët. Një orvatje e kësillojshme do të dëshmonte mungesë të respektit për pozicionin e Presidentit të Republikës duke ia zvogëluar peshën dhe vlerën publike që në mënyrën dhe mendësinë e përzgjedhjes. Nuk mund të bëhet zgjedhja e Presidentit lojë kungulleshkash me lista të gjata e të mbyllura që dalin nga xhepat e kryetarokratëve. Nuk mund ta marrin të gjithë rëndësinë, protagonizmin dhe peshën kryetarët e partive duke mbytur apo anashkaluar cilindo personalitet politik parësor që dëshiron, ka ambicie, vlera e vizion për t’u vetofruar për këtë detyrë që është detyra më e lartë e shtetit shqiptar. Nuk mund të kalojë kandidati për President nëpër hullitë apo shtigjet e vullneteve arbitrare dhe interesave të ngushta të kryetarëve të partive, në mënyrë që t’i tregohet kujtdo që e synon këtë detyrë se këtu në Shqipëri lojën dhe komandën e kanë në dorë vetëm kryetarët e partive. As mund të lejojmë që në lojën e kungulleshkave me listat e xhepave të vegjël të kryetarokratëve të na përzgjidhet si kandidat e ndoshta zgjidhet President një person që ne as e njohim fare, por edhe nëse e njohim, nuk e dimë ne e as ai/ajo nuk e ka ditur, nëse ai/ajo e ka dashur këtë detyrë e përgjegjësi, por janë kryetarokratët që papritur e papandehur pasi kanë vendosur vetë i thonë atij/asaj: “E bën ti, e bën”.
Një orvatje e kësillojshme do të anashkalonte frymën e Kushtetutës që kërkon që Presidenti i Republikës të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar, e do të zhvlerësonte parimin demokratik të konkurrimit dhe garës së lirë apo të marrëveshjeve transparente.
E patjetër do të anashkalonte e shpërfillte atë model, profil Presidenti që me aq ngul e kanë kërkuar partneret tanë euroatlantikë, ku më qartë nga të gjithë e ka zbërthyer ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Duke qenë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë është President i një vendi anëtar i NATO-s e do të jetë autoriteti, do të jetë njeriu që do të zgjedhë prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH, përfaqësuesit e lartë të Gjyqësorit, do të jetë kreu i sistemit të drejtësisë, e, mbi të gjitha, do të jetë kreu i shtetit ku do të ndihen të përfaqësuar dhe pikëbashkuar të gjithë shqiptarët kudo ku janë, por edhe të gjitha nevojat, strategjitë e projektet e partnerëve tanë euroatlantikë, asnjë eksperiment apo prirje për të përzgjedhur një figurë dytësore politike apo një figurë nga jashtë politikës nuk do të ishte e pjekur, madje do të ishte kundërproduktive dhe e dëmshme, e ndoshta cenuese e kapaciteteve të Shqipërisë për të pasur një President të denjë për një vend anëtar i NATO-s. Të gjitha figurat politike dytësore në të gjitha partitë politike janë personalitete e lojtarë të bindur të kryetarëve të tyre, gjë që do t’i shndërronte ata/ato në rrezik publik e burim partizanizmi, konflikti dhe krizash nëse do të zgjidheshin në detyrën e Presidentit. Por edhe në listat e shoqërisë civile apo të botës akademike nuk kemi shumë shpresa të motivuara për ndonjë peshkim të mbarë. Dy lista ekzistojnë sot në Shqipëri me intelektualë, akademikë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë shanse të dalin nga xhepat e kryetarokratëve. Nëse do të përdorim si simbolikë çadrën e grevës së urisë së PS në vitin 2010, që asokohe u përvijuan listat e intelektualëveoOrganikë pro çadrës dhe listat e intelektualëve organikë kundër çadrës. Njëlloj mund të gjykojmë edhe për ata që ne njohim si përfaqësues të Diplomacisë apo Drejtësisë, përfshirë edhe emrin e Prof. Zaganjorit apo të tjerë dinjitarëve të nderuar, të cilët ofrohen, propozohen, qarkullojnë apo shkëmbehen në tratativat e pranim–mospranimit mes kryetarëve. Listat e tyre kanë qenë shpeshherë aq politike dhe po aq të komanduara, ndërvarura, joshura apo trysnuara nga politika, sa vështirë se mund të gjejmë dikë që realisht mundet ta përballojë peshën e rëndë që mbart detyra e Presidentit të Republikës ku përplasjet, tensioni dhe furia e pushteteve të qeverisë dhe opozitës është e pamëshirshme. E vështirë se mund të gjejmë dikë mbi palët, të pathyeshëm, të fortë, kurajoz për ta përballuar “bishën” e pushteteve politike dhe ekzekutive të qeverisë dhe opozitës, apo joshjen e tyre apo të strukturave të tjera formale apo informale. Me pak fjalë, kudo që ta hedhim grepin, në cilëndo prej këtyre listave do të peshkojmë personalitete që trysninë e partive dhe kryetarëve e kanë të papërballueshme, për të mos shkuar deri edhe tek kriptopartizanizmi i tyre i pakonfirmueshëm me teserë partie, por lehtësisht i provueshëm me aktivizmin, qëndrimet, vendimet apo ligjërimin e tyre të derisotëm.
Së dyti, nuk mund të mbivendosen axhendat sipas interesave të kryetarëve të partive. Kjo nuk është lojë pushteti. Zgjedhja e Presidentit të Republikës është një proces me rëndësi kombëtare për dinjitet kombëtar. Loja politike e ngarkuar me trysninë e marifeteve dhe intrigave politike për pushtet për cenimin e maxhorancës, rrëzimin e qeverisë, testimin apo paralajmërimin e aleancave të reja politike me qëllime elektorale, nuk shkon për asnjë çast në favor të procesit më të shëndetshëm, më dinjitoz dhe më transparent për zgjedhjen e Presidentit. Aq më pak shkon në favor të zgjedhjes së personalitetit më të mirë në detyrën e Presidentit. Më tutje mund të themi se rrezikon drejtpërdrejt procesin të cilin e dëmton thellë e deformon, sikundër i jep udhë zgjedhjes së sforcuar ndoshta të gabuar të një personaliteti që nuk përmbush nevojat, vizionin, dëshirat, meritën, rrethanat dhe kohën e Shqipërisë, shqiptarëve, gjeopolitikës së rajonit dhe kërkesave të partnerëve tanë euroatlantikë. Trysnia, mosbesimi dhe kaosi që shkaktohet nga mbivendosja e axhendave politike apo vetjake të kryetarëve, rrënon e zhbën fatalisht çdo shpresë për marrjen e statusit kandidat në BE, ngase na rrëfen ne shqiptarëve përballë vetvetes, por edhe përballë partnerëve tanë euroatlantikë, krejt të pamatur politikisht, demokratikisht dhe kombëtarisht. Udhëheqësitë politike kërkohet të jenë tepër të pjekura e larg synimeve e emocinaliteteve që ngjizen tek interesat politike a vetjake të kryetarëve apo partive. Udhëheqësitë politike kërkohet të respektojnë hapat njëri pas tjetrit. Zgjedhja e Presidentit më të mirë me procedurë më të shëndetshme, mirëbesuese, gjithëpërfshirëse dhe më transparente, marrja e statusit kandidat në BE këtë vjeshtë e më pas krijimi i të gjitha kushteve dhe rrethanave për konkurrim e garë të lirë e të ndershme në zgjedhjet 2013. Me këtë nuk po themi se nuk duhen përmbyllur reformat elektorale dhe parlamentare. Le të mbyllen sa më parë të jetë e mundur, që nesër, pse jo, me bashkërendim dhe mirëbesim. Por kjo është krejt tjetër çështje në raport me atë që po synojmë të theksojmë e bëjmë me dritë ne. Fuzionimi i qëllimeve dhe interesave e fut Shqipërinë dhe shqiptarët në kaos dhe kriza të pafrytshme, dëmtuese, zhvleftësuese.
Së treti, dështimi i kryetarokratëve për të dhënë zgjidhje të pjekura politike sjell nevojën, madje domosdoshmërinë e një mendësie të re zgjidhjeje. Ndoshta ka ardhur momenti që t’u rrethohet demokratikisht pushteti kryetarokratëve nga politikanët e partive kryesore, të cilët janë ngritur në nivelin e shtetarëve ndërsa kanë shërbyer ndër vite si kryeministra, presidentë republike apo kryetarë Kuvendi, e ndoshta edhe ministra. Këta duhet të marrin rolin që u takon në debatin brendapartiak, por edhe në debatin publik për të udhëhequr drejt zgjidhjeve e zgjedhjeve të mençura e të pjekura, bazuar në interesin kombëtar dhe publik duke i sfiduar e ushtruar trysni të drejtpërdrejtë mbi kryetarët që ta zgjedhin kreun e shtetit mes personaliteteve parësore politike. Sfida e këtij lloj rrethimi demokratik të frymës dhe mendësisë së kryetarëve nga fryma dhe mendësia e shtetarëve kërkon mendjeçiltërsi, mendësi perëndimore të papolitizuar e të shkëputur nga interesat e këndvështrimet e politikës së palëve apo ditës. Para nesh shtrohet pyetjet: A më mirë kryetarokratët nën trysninë e shtetarëve, apo shtetarët nën trysninë e kryetarokratëve? Mendësia dhe kultura perëndimore, rregullat demokratike dhe një arsyetim i pjekur shtetdashës, Shqipëridashës dhe shqiptarëdashës na shtyn të pranojmë e kuptojmë se ky vend do të ishte shumë i vlerë, shumë më dinjitoz, shumë demokratik, shumë më i lirë, shumë më i shëndetshëm, shumë më i zhvilluar, shumë më europian, nëse në këtë vend do të mbivlenin shtetarët. Ftesa jonë është e thjeshtë dhe e sinqertë: Le ta zgjidhim me pjekuri shtetarësh këtë ngërç kryetarokratësh. Le të dëgjohet më shumë zëri i mençur dhe i papolitizuar i atyre që kanë qenë drejtuesit kryesorë të vendit apo së paku i atyre që kanë ndërgjegjësim e kurajë prej shtetari, për të mbërritur në zgjidhje e zgjedhje të qëndrueshme, të matura, qëllimlarta dhe transparente në të mirë të Shqipërisë, shqiptarisë, shqiptarëve dhe integrimit europian.
© Panorama.al












