GENTIAN ZYBERI
Çështja e delimitimit të kufirit detar me Greqinë vazhdon të mbetet e hapur, pasi me një vendim të datës 15 prill 2010, Gjykata jonë Kushtetuese rrëzoi Marrëveshjen e nënshkruar më 27 prill 2009 mes dy vendeve nga ministrat respektivë të Punëve të Jashtme. Arsyet që e çuan Gjykatën Kushtetuese deri në këtë përfundim ishin: a) mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrja parasysh e ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.
Ka një ngërç në këtë drejtim, pasi pala greke insiston në zbatimin e marrëveshjes së arritur, ndërkohë që pala shqiptare kërkon rihapjen e negocimeve. Është një insistim i pakuptueshëm nga pala greke. Nuk e di se çfarë reagimi do të kishte qeveria greke nëse do t’i kërkohej mosrespektimi i një vendimi të Gjykatës së saj speciale supreme, që mund të krahasohet nga ana hierarkike me Gjykatën tonë Kushtetuese? A mundet që një shtet, anëtar i Bashkimit Europian (BE) të na shantazhojë me bllokimin e procesit tonë të integrimit në BE, sikurse aludohet nga disa qarqe, dhe të kërkojë pikërisht mosrespektimin e parimeve themelore të respektimit të shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve? Ndoshta, por autoritetet tona shtetërore kanë detyrimin kushtetues që mos bien pre e shantazheve të tilla, të shprehura apo të nënkuptuara. Kufijtë shtetërorë nuk ndahen përditë, ndërkohë që integrimi ynë në BE, edhe sikur të fillojë këtë vit, do të marrë shumë vite, derisa të realizohet; me shumë gjasë, deri nga viti 2020.
Rinegocimi i Marrëveshjes si një zgjidhje e mundshme, në fakt, e ka humbur besimin në sytë e publikut të gjerë shqiptar, por edhe të disa aktorëve politikë me peshë. Çfarë na siguron se një ekip tjetër negociues do të mbrojë si duhet interesat tona shtetërore?
Ky i tanishmi është një ngërç, i cili zgjidhet vetëm me çuarjen e kësaj çështjeje para një Gjykate Ndërkombëtare apo paneli arbitrazhi ndërkombëtar. Sipas nenit 121(a) të Kushtetutës sonë, ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: a) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake. Përderisa kjo marrëveshje mes dy vendeve nuk është miratuar me ligj nga Kuvendi, vlera e saj brenda vendit dhe jashtë tij është sa vlera e letrës në të cilën është shkruar.
Ka tri mundësi për ta zgjidhur këtë çështje nëpërmjet mekanizmave ndërkombëtarë që garantojnë transparencë dhe paanësi. Mundësia e parë dhe ndoshta më pak e kushtueshme për vendin tonë dhe për Greqinë, është çuarja e çështjes me kompromis para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. Kjo Gjykatë, e përbërë nga pesëmbëdhjetë gjyqtarë, është një nga organet kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka zgjidhur shumë çështje të tilla. Pra, përveç garancisë së paanësisë, ajo ka edhe një ekspertizë të konsiderueshme në zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Një situatë e ngjashme deri diku me këtë tonën është ajo mes Sllovenisë dhe Kroacisë, ku Sllovenia kërcënoi se do të bllokonte integrimin e Kroacisë në BE. Në vitin 2007, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje në parim, në bazë të së cilës çështja do të çohej para GJND-së, ku të dyja palët mund të paraqisnin kërkesat e tyre dhe kufiri do të vendosej nga kjo Gjykatë. Megjithatë, në fillim të këtij viti këto dy vende ranë dakord që mosmarrëveshja të zgjidhej nga një panel arbitrazhi ndërkombëtar përbërë nga pesë veta. Pra, arbitrazhi ndërkombëtar mund të jetë edhe zgjidhja e dytë për këtë çështje. Që prej 27 dhjetorit 2011 Shqipëria është vend anëtar i Gjykatës Permanente të Arbitrazhit (GJPA) me seli në Hagë (edhe GJND edhe GJPA janë të vendosura në Pallatin e Paqes). Po kështu edhe Greqia. Në këtë rast, tre anëtarë të panelit zakonisht zgjidhen nga një person i caktuar nga sekretari i Përgjithshëm i GJPA (zakonisht nga presidenti i GJND-së), ndërsa vetë vendet kanë mundësinë që të caktojnë nga një anëtar. Arbitrazhi nga një panel i tillë është më i kushtueshëm, pasi vendet duhet të paguajnë jo vetëm ekipet e tyre ligjore, por edhe arbitrat ndërkombëtarë. Mundësia e tretë është Tribunali Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit me seli në Hamburg të Gjermanisë, i bazuar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit. Deri tani ky tribunal i krijuar në vitin 1996 ka zgjidhur vetëm një çështje lidhur me kufirin detar, atë mes Bangladeshit dhe Myjanmarit/Burmës, me një vendim të datës 14 mars 2012. Më datë 16 mars 2007, ky tribunal ka krijuar një dhomë të veçantë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me kufirin detar mes vendeve, në bazë të nenit 15(1) të Statutit të Tribunalit. Eksperienca e këtij tribunali është shumë më e kufizuar se ajo e GJND-së në lidhje me çështje të tilla. Megjithatë, kjo është një gjykatë e specializuar për të drejtën e detit.
Duket qartë se këmbëngulja në zbatimin e Marrëveshjes nga ana e Greqisë apo oferta për rinegocimin e saj nga Shqipëria janë dy opsione, të cilat nuk kanë mbështetje as nga publiku i gjerë, as nga disa prej aktorëve politikë me peshë në të dyja vendet. Mbetet për autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe të Greqisë që të zgjedhin me marrëveshje mënyrën që përmbush më mirë interesat e tyre për zgjidhjen sa më të mirë dhe më pak shpenzime të kësaj mosmarrëveshjeje.
*Profesor i Asociuar në Universitetin e Oslos, Norvegji
Koordinator i ekipit ligjor shqiptar në rastin e Kosovës para GJND-së
Lektor në universitetin “Luarasi”











