Zgjerohet harta e zjarrit, prek edhe Parkun Kombëtar të Lurës

Jul 23, 2012 | 11:33

DIBËR – Pesë vatra zjarri janë ende aktive në rrethet e qarkut të Dibrës, ndërkohë që vatra më e fuqishme është ajo e Lurës, ku po digjen masive të mëdha me pisha. Banorë të Lurës thonë se janë djegur të paktën 300 hektarë me pyje në Pregj Lurë, ndërkohë që burime pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Dibër bëjnë me dije se janë djegur deri tani 40 hektarë me pishë të bardhë dhe robull. “Në 24 orët e fundit janë shtuar disa vatra të tjera, të cilat janë aktive. Situata më problematike është në komunën Lurë, ku janë tri vatra të fuqishme zjarri. Në fshatin Pregj Lurë, edhe pse është punuar nga ora katër e mëngjesit të djeshëm nga një togë ushtarësh, ende zjarri është aktiv, duke djegur mbi 40 ha pyje halorë”, thanë zyrtarë të DSHP Dibër. Masivi Pregjë Lurë-Prroi i Lanit-Bakullenë është rrafshuar, ndërsa dje pasdite zjarri ka nisur “udhëtimin” Zgjorgjë-Rec-Titar, duke djegur dhjetëra hektarë të tjerë me pyje të lartë të komunës Lurë. Forcat e ushtrisë nuk kanë mundur të disiplinojnë vatrat e zjarrit në Lurë, pasi atyre u mungojnë mjetet e nevojshme për një gjë të tillë. Ndërkaq, terreni është mjaft i thyer. Një tjetër vatër gjendet prej tri ditësh brenda Parkut Kombëtar të Lurës, te Liqeni i zi, ku është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ah dhe bredh. Në Vanas vazhdon të jetë aktive një tjetër vatër zjarri duke djegur rreth 9 ha pyje të llojeve të ndryshme. Në komunën Sllovë të Dibrës janë djegur rreth 7 hektarë dhe fatmirësisht me ndërhyrjen e banorëve të zonës dhe Drejtorisë së Pyjeve vatra e zjarrit është dobësuar ndjeshëm. Në fshatin Kacni të komunës Selishtë janë përshkuar nga flakët rreth 2 hektarë me kullota, ndërsa në Bulqizë problematike është një vatër zjarri në Martanesh, e cila vazhdon të jetë mjaft aktive. Sipërfaqja e djegur është mbi 20 hektarë pyje pishe. Në ndihmë të drejtorive të shërbimit pyjor janë vënë banorë të zonave edhe dy toga ushtarësh të Kompanisë së Mbështetjes Rajonale në Burrel. Kjo drejtori u ka kërkuar ndihmë njësive vendore, por deri tani ato nuk u janë përgjigjur kërkesës së tyre. Ndërkaq, komisariatet e policisë të këtyre rretheve kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e vërteta të zjarreve.             h.pasha

© Panorama.al

Te lidhura