Zgjedhjet lokale të 8 majit nuk kanë përfunduar ende zyrtarisht, pasi pritet që në 9 komuna të vendit të ketë zgjedhje nga fillimi. Teksa pritet shpallja e datës së votimit në këto komuna, procesi i certifikimit përfundimtar të rezultateve do të finalizohet. Në këto komuna ka pasur problematika të ndryshme, që nga pamundësia për të zhvilluar zgjedhjet e deri tek problemet në proces, të cilat detyruan Kolegjin Zgjedhor të kthejë rezultatin dhe të vendosë që procesi të fillojë nga fillimi. Kështu, në komunën Shllak nuk u arrit të zhvillohet procesi, ndërsa në dy komuna të tjera, në Papër dhe Pishaj, pati gabim në printimin e fletëve të votimit, ku kandidati i PD-së ishte vendosur si kandidat i “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas. Në këto kushte, KQZ vendosi ndërprerjen e procesit të votimit dhe bërjen e një procesi nga fillimi. Në komunën Mollaj do të ketë votim vetëm për këshilltarët e komunës, pasi nuk u votua dot për këtë kuti, ndonëse tashmë atje ka një kryetar të ri komune. Më pas, gjatë procesit të shqyrtimit të mbi 120 ankesave nga subjektet politike në KQZ për procesin, u vu re që pati probleme në pesë komuna të tjera, ku tashmë është vendosur për përsëritje zgjedhjesh. Në komunën Zall-Dardhë, KQZ i shpalli zgjedhjet e pavlefshme, sepse nuk ishte votuar në një qendër votimi e cila ndikonte në rezultat. Në katër komuna të tjera ka pasur vendim përfundimtar nga Kolegji Zgjedhor. Në komunën Armen, Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve, pasi dolën më shumë vota se votues. Në komunën e Kolshit, Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve, pasi në tabele dilnin 8 vota më shumë se votues. Kjo komunë u fitua fillimisht nga Partia Demokratike me 5 vota më shumë. Edhe në komunën e Shallës do të ketë zgjedhje nga e para, pas një vendimi të formës së prerë nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Komuna e fundit ku do të ketë përsëritje zgjedhjesh do të jetë Finiqi. Në këtë komunë fitoi partia MEGA me 4 vota më shumë se PBDNJ, por u vu re se 60 për qind e votuesve nuk kishin shënuar numrin e kartës së identitetit në qendrën e votimit.
Ankesat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar shqyrtimin e ankesave të ardhura nga partitë politike, me përjashtim të një kërkese të fundit të PD-së, ajo për komunën Fshat Memaliaj. Në këtë komunë, PD pretendon se për shumë votues është votuar nga një person në mënyrë të qëllimshme. Libri i zgjedhësve është dërguar në laboratorin e kriminalistikës për t’u hetuar. Kandidati i PS-së fitoi në këtë komunë me 34 vota më shumë.
Komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet
• Shllak (nuk u votua më 8 maj)
• Paper (kandidati i PD në fletën e votimit ishte me siglën “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas). KQZ e shpalli votimin të pavlefshëm
• Pishaj (kandidati i PD në fletën e votimit ishte me siglën “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas). KQZ e shpalli votimin të pavlefshëm
• Zall-Dardhë (KQZ i shpalli zgjedhjet të pavlefshme, sepse nuk ishte votuar në një QV që ndikonte në rezultat)
• Armen (Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve, pasi dolën më shumë vota se votues)
• Kolsh (E vendosi Kolegji. Në tabelë dilnin 8 vota më shume se votues. Ka fituar PD me 5 vota më shumë)
• Shalë (Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve)
• Finiq (E vendosi Kolegji. 60% e votuesve nuk kane shënuar numrin e kartës se identitetit. MEGA fitoi me 4 vota ndaj PBDNJ)
• Mollaj (Zgjedhje vetëm për Këshillin e komunës)











