Zgjedhjet, shtyhet rezultati përfundimtar

Aug 9, 2011 | 11:04

Dështimi i votimit në komunën Shalë të Shkodrës dhe padia e MEGA-s për komunën e Finiqit shtyjnë sërish shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja.Pas ripërsëritjes së zgjedhjeve në 31 korrik ishte parashikuar që tabela përfundimtare të miratohej në mesin e muajit gusht, por tani, burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur zgjedhjet nuk do të quhen zyrtarisht të mbyllura, të paktën deri në fund të këtij muaji. Në këto kushte duket se është shtyrë edhe nxjerrja e raportit përmbledhës të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, për shkak se zyrtarët e saj kanë deklaruar që fjala e fundit do të thuhet vetëm pasi të dalë rezultati përfundimtar. Nga ana e tij, institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve, KQZ, duhet të presë edhe pak ditë për të shpallur datën kur do të votohet në Shalë. Kjo sepse më parë duhet të jepet vendimi i Kolegjit për komunën e Finiqit. Partia MEGA pritet të ankimojë në gjykatë vendimin e KQZ-së, e cila për shkak të mosarritjes së kuorumit, nuk shpalli dot fitues kandidatin e kësaj partie. Pas rivlerësimit të votave të kontestuara, të cilat KZAZ-ja përkatëse nuk i kishte futur në rezultatin përfundimtar, KQZ-ja mori vendim t’i hapte kutitë, por në fund për ndryshimin e tabelës duheshin të paktën pesë vota. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan kundër shpalljes fitues të kandidatit të MEGA-s, Ziso Lluci dhe do të jetë ky i fundit që duhet të apelojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Në këto kushte, KQZ-ja pret të jepet vendimi i Gjykatës dhe, nëse kjo e fundit nuk kërkon që të ribëhen zgjedhjet, procesi do të zhvillohet vetëm në Shalë, ku nuk është votuar ende për herë të parë.
Ndarja e mandateve
KQZ-ja do të mblidhet sot për të miratuar ndarjen e mandateve për tri komuna ku u zhvilluan zgjedhjet në 31 korrik. Në komunën Mollas të qarkut të Korçës, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka fituar rreth 320 vota më shumë se koalicioni “Aleanca për të ardhmen”. E përkthyer në mandate, e djathta ka marrë 9 vende në këshillin komunal, ndërsa e majta katër vende. Për sa u përket partive të mëdha, PS-ja ka marrë 2 mandate, ndërsa PD-ja 5. Koalicioni i drejtuar nga demokratët ka fituar këshillin komunal edhe në komunën Pishaj, ku për shkak të gabimit në shpërndarjen e materialeve zgjedhore, nuk ishte votuar në 8 maj. Në këtë komunë të qarkut të Elbasanit, aleanca e majtë ka marrë rreth 390 vota më pak se e djathta. Në këshillin komunal, PS-ja dhe aleatët kanë fituar gjashtë mandate, ndërsa PD-ja dhe aleatët 9 mandate. Njësia e tretë vendore ku u zhvilluan zgjedhje për këshillin komunal në 31 korrik ishte Shllaku në qarkun e Shkodrës, ku sërish ka fituar koalicioni i djathtë. Aleanca për të Ardhmen ka marrë 235 ose 4 mandate, ndërsa koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka marrë 455 vota ose 9 mandate. Nga e majta të gjitha mandatet i ka marrë PS-ja, ndërsa nga e djathta forcë e parë në këtë komunë ka dalë PAA-ja me katër mandate, PD-ja 3 dhe nga një mandat kanë fituar LSI-ja dhe PR-ja.

4 MUAJ Pas vendimit që do të marrë KQZ-ja për përsëritjen e zgjedhjeve në komunën Shalë, rezultati përfundimtar për procesin e mbajtur në tetë maj pritet të dalë katër muaj nga dita kur qytetarët iu drejtuan kutive të votimit. Në zgjedhjet e 2009-s, rezultati doli rreth dy muaj pas mbajtjes së tyre.

3 KOMUNA Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja do të miratojë ndarjen e mandateve për këshillat e tri komunave. Në të gjitha këto njësi vendore (Mollas qarku i Korçës, Pishaj në qarkun e Elbasanit dhe Shllak në qarkun e Shkodrës) ka fituar koalicioni i djathtë. Në Shllak forcë e parë nga e djathta ka dalë PAA-ja.

KQZ hapi kutitë e  Finiqit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi pak ditë më parë të hapë kutitë e komunës së Finiqit për të numëruar votat e kontestuara, që KZAZ-ja nuk i kishte përfshirë në tabelën përfundimtare. Pas hapjes së kutisë për kryetarin e komunës, rezultoi se kandidati i mbështetur nga partia MEGA fitoi me pesë vota ndaj rivalit të PBDNJ-së. Ky i fundit, sipas tabelës së miratuar në KZAZ, ishte shpallur fillimisht fitues me një votë më shumë. Por, gjithsesi KQZ-ja nuk arriti ta miratojë vendimin për të nxjerrë fitues Ziso Llucin e MEGA-s, për shkak se duheshin pesë vota dhe anëtarët e opozitës votuan kundër.

Zgjedhjet në Shalë, dështoi dy herë votimi
Brenda këtij muaji, KQZ-ja do të tentojë për herë të tretë të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e komunës së Shalës në qarkun e Shkodrës. Fillimisht në tetë maj komisionerët e majtë sipas KQZ-së nuk u paraqitën për të tërhequr bazën materiale. Edhe në 31 korrik u pengua zhvillimi i zgjedhjeve. Për pasojë, policia arrestoi pesë persona, nga të cilët tre u dënuan me dhjetë ditë burg dhe dy të tjerë me “detyrim paraqitjeje”. Policia tha se arrestimi i tyre erdhi pasi në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, ata janë vërsulur në drejtim të komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e tyre dhe të rrugë-kalimeve për tek qendra e votimit.

Botohet buletini i 8 majit

Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, KQZ-ja do të botojë edhe buletinin zyrtar për këtë proces zgjedhor. Vendimi për botimin e këtij dokumenti do të merret në mbledhjen e sotme. Buletini do të përmbajë pjesën hyrëse, ku përfshihet edhe organigrama e KQZ-së, pjesën e parë që ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve, pjesën e dytë për rezultatin e zgjedhjeve dhe pjesën e tretë, ku është raporti për shpenzimet zgjedhore.

 

ADI SHKEMBI

 

© Panorama.al

Te lidhura