Zgjedhjet në Shalë, Olli: Po pengohet procesi

Aug 19, 2011 | 13:56
Zedhenesi i KQZ-se, Leonard Olli

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka denoncuar sot rrezikun e mos mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme në komunën Shalë të Shkodrës. Në një dalje për mediat, zëdhënësi, Leonard Olli tha se KZAZ-ja e kësaj komune, e cila kryesohet nga anëtarë të opozitës po pengon qëllimisht procesin e mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas Ollit, PD dhe LSI-ja kanë propozuar kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk e ka kryer emërimin e tyre, duke shtuar se PS dhe PBDNJ ende nuk kanë propozuar anëtarët e tyre.

Baza materiale për zgjedhjet e së dielës në komunën Shalë ende nuk ka mbërritur në qendrat e votimit, tha Olli, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të pastër për pengimin e zgjedhjeve.

Olli shtoi se gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve të 8 majit, është vërejtur një papërgjegjshmëri dhe mosrespektim ligji nga ana e partive politike, ndërsa me publikimin e raportit të OSBE/ODIHR kanë rendur për të hedhur peshën e fajit tek KQZ-ja.

Zgjedhjet në komunën Shalë të Shkodrës pritet të mbahen këtë të diel, më 21 gusht.

© Panorama.al

Te lidhura