Zgjedhjet në Kosovë, Osmani për CNN: Qytetarët treguan se duan kompromis, mesazhi i tyre duhet lexuar siç duhet nga forcat politike! S’ka vend për ‘one man show’

Jun 9, 2026 | 14:01

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila synon një tjetër mandat në këtë post, deklaroi në një intervistë për CNN se mesazhi i qytetarëve në zgjedhjet e së dielës ishte i qartë, që ata duan kompromis mes palëve.

vjosa osmani

Ajo theksoi se mesazhi i tyre duhet lexuar në mënyrën e duhur nga forcat politike, ndërsa shtoi se nuk ka vend për një politikë të llojit “one man show”, duke nënkuptuar kryeministrin Albin Kurti, me të cilin “ndau rrugët” pasi nuk e mbështeti për të kandiduar sërish për presidente.

Osmani tha se bashkëpunimi mes palëve është i rëndësishëm jo vetëm për të zgjidhur ngërçin e presidentit por edhe për të formuar qeverinë.

“Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe s’ka vend për një politikë të llojit “onë man show”. Se ndërsa vendet e tjera në rajon mund të zgjedhin atë lloj rruge ku dikush kontrollon gjithçka, Kosova gjithmonë ka qenë një model për demokracinë kur sa herë forcat politike janë bashkuar mbi çështjet e interesit kombëtar, kanë punuar së bashku, gjithmonë ka pasur zgjidhje që kanë sjellë përfitime për vendin tonë, brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.

Prandaj shpresoj që ky mesazh i qytetarëve të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjithë forcat politike. Sigurisht që nga ana jonë do të lexohet në mënyrën e duhur. Dhe çdo përpjekje nga ana jonë do të fokusohet në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me disa vendime shumë të rëndësishme për interesin e vendit. Në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit.

Pra për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri. S’mendoj se kompromisi duhet të shihet si një fjalë e keqe, ose diçka negative. Përkundrazi, kompromisi është vlera më e mirë që mund ta kesh në politikë. Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë”, tha Osmani.

 

© Panorama.al

Te lidhura