Te Mjekësia incident me kutitë. Votimi zgjatet dhe 4 orë pas afatit.
Kërcënohen vëzhgueset e kandidates për rektore, Hafizi.
Stafi akademik, studentët dhe administrata e universiteteve publike dhanë dje verdiktin e tyre. Se cilët do të jenë kandidatët që do të mbajnë postin e rektorëve, dekanëve dhe shefave të departamenteve për 4 vitet në vijim, do të mësohet brenda këtyre tri ditëve. Në disa universitete të rretheve, madje janë shpallur fituesit. Dje procesi zgjedhor përgjithësisht kaloi i qetë dhe me pak incidente. Pak orë pas nisjes së procesit, te Mjekësia u shënua një incident. Një kuti votimi u zbulua se nuk ishte e vulosur dhe ishte e hapur në pjesën e poshtme. Nga sa na konfirmuan vëzhguesit pas rreth 20 minutash, nën masa të rrepta sigurie, të mbikëqyrur nga forcat e rendit, kutia u vu në përdorim. Ndërkohë një tjetër incident është denoncuar tek fakulteti i shkencave. Tre persona të paidentifikuar kanë kërcënuar vëzhguesen e kandidates për rektore Mimoza Hafizi pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Tre personat i janë afruar vëzhgueses dhe i kanë kërkuar të largohet nga vendi i vëzhgimit pasi kjo ishte dhe porosi e kandidates. “Kemi regjistruar gjithçka dhe bëhet fjalë për mbështetës të kandidatit tjetër. Madje njëri prej tyre me ka kapur edhe nga krahu dhe me lëshoi vetëm pasi i thash se nëse se bënte do të bërtijsa”,tha për gazetën vëzhguesja e cila nuk pranoi të bënte publik emrin. Sipas saj,kandidatja Mimoza Hafizi ka njoftuar dekanatin dhe Komisionin e Zgjedhjeve që të largojnë personat që bëjnë presion dhe të shoqërojnë vëzhguesen deri në rektorat për të mos bërë presione mbi të. Mimoza Hafizi kandidon përballë rektorit në detyrë, Dhori Kule.
Procesi
Ajo që u vu re në pjesën më të madhe të fakulteteve, ishte interesi i lartë i studentëve për të marrë pjesë në votime. Pranë fakulteteve të UT ka pasur dyndje dhe radhë gjatë gjithë ditës. Në disa prej tyre, ndonëse afati i parashikuar nga rregullorja për mbylljen e procesit ishte ora 16:00, votimi ka vijuar edhe disa orë më pas. Në Fakultetin e Mjekësisë, i cili ka qenë i vetmi që ka pasur 4 kandidatë për dekanë, është votuar deri në orën 20:30. Deri pasdite dera e Fakultetit ishte e bllokuar nga turma studentësh dhe nga vëzhguesit e shtabeve elektorale të të gjitha kampeve. Pedagogët duket se ishin trupa më pak e përfshirë emocionalisht në këtë proces, ndonëse vota e tyre është vendimtare, pasi ka peshë në masën 75% në formulën e llogaritjes së fituesit. Rreth orës 13:00, jo vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe në fakultete të tjera, trupa akademike kishte përfunduar votimin. Rezultatet
Nga sa na konfirmuan burime të sigurta nga komisioni qendror i zgjedhjeve, rezultatet paraprake pritet të dalin sot. “Nuk i kemi ende fletët e votimit, pasi në një pjesë të fakulteteve procesi është mbyllur vonë. Për rezultate nuk mund të flitet sot, pasi aktualisht po administrohen materialet zgjedhore”, thanë burimet. Sipas informacionit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, në zgjedhje marrin pjesë 10 universitete, 60 fakultete dhe mbi 250 departamente. Në total kanë votuar rreth 5 mijë pedagogë, 140 mijë studentë dhe 3 mijë punonjës të administratës. Pjesëmarrja, sipas burimeve në fakultete, kapërcen 90% të të gjithë trupës votuese. Votat përllogariten sipas një formule që i ndan në përqindje. Votat e gjithë stafit akademik përbejnë 75% të procesit, 20% e zë vota e studenteve dhe 5% ajo e administratës. Pothuajse të gjithë dekanët dhe rektoret, kandidatë në zgjedhje, synojnë një mandat të dytë, të drejtë që ua jep ligji i sapondryshuar i arsimit të lartë. Mandatet e drejtuesve të shkollave të larta janë 4-vjeçare. Rektori dhe dekani nuk mund të qëndrojnë në këtë post më shumë se dy mandate radhazi. Konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.
Raundi i dytë dhe ankimimi Kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas përcaktimeve të brenda dy javëve nga dita e votimit, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë. Data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Rregullorja e zgjedhjeve për UT njeh të drejtën për ankimim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve.
DURRES: Fitues rektori Mit’hat Mema Fiton garën e Durrësit rektori aktual, Mit’hat Mema. Pas një konkurrence prej 3 kandidatësh dhe një gare që nisi e tensionuar, Mema ka siguruar shumicën e votave, edhe pse në një diferencë të ngushtë me kandidatin Bardhyl Çeku. Mbrëmë u mësua rezultati:49% për Memën, 45% për Çekun dhe 5 për qind për kandidatin e tretë, Arben Dushi. Procesi i votimit nisi vetëm rreth orës 11:30, pas akuzave të Çekut për manipulim të fletëve të votimit. Me zgjidhjen e çështjes dhe vulës u vendos nisja e procesit, në të cilin pati një pjesëmarrje prej 85 për qind. l.m
Rektorët në rrethe, konfirmohen të vjetrit Në të gjitha universitet e tjera të vendit, veç atij të Durrësit ka munguar konkurrenca në garën për rektor. Kështu, në universitetin e Gjirokastrës është konfirmuar Gëzim Sala, në atë të Shkodrës Artan Haxhi, në Korçë Gjergji Mero dhe në Elbasan, Liman Varoshi. Madje, rivaliteti ka munguar dhe për dekanë, ku në pak raste ka pasur më shumë se një kandidat. Pritet që sot të dalin rezultatet me tabela mbi të dhënat e sakta të votimeve.
Universiteti Mesdhetar nderon Gianni Pittella-n
Gjatë dorëzimit të titullit "Doctor Honoris Causa", Pittella-s
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë i jep titullin “Doctor Honoris Causa” Gianni Pittella-s, zëvendëspresident i Parë i Parlamentit Europian. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës akademike, politike, shoqërore, intelektuale të vendit. I pranishëm ishte dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Në fillim të ceremonisë e morën fjalën dy recensentët, rektori i UMSH, prof. dr. Anastas Angjeli dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. dr. Gudar Beqiraj. “Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë e konsideron dhënien e titullit ‘Doctor Honoris Causa’ edhe si një shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që zoti Pittella ka dhënë për vendin tonë gjatë rrugës së integrimit në familjen e madhe europiane”, tha rektori Anastas Angjeli. Ne recencën e tij, prof. dr. Gudar Beqiraj e konsideroi ceremoninë një ditë të veçantë edhe për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, institucion të cilin ai e përfaqësoi si kryetar i saj. Pas dorëzimit të titullit, Pittella e vlerësoi Shqipërinë në hapat e progresit të saj: “Shprehem entuziast për arritjet në arsimin shqiptar dhe për të ardhmen e sigurt të tij. Shqipëria ka ecur me hapa të mëdhenj në këtë drejtim, duke treguar dhe një herë vullnetin për të përkrahur zhvillimin nëpërmjet edukimit dhe arsimimit”, tha Pittella.