Zgjedhjet e 2009, Prokuroria: Burg komisionerëve të Ruzhdies

Jun 21, 2011 | 10:14

FIER – Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burg për komisionerët e Ruzhdies, ndërsa u dënuan me gjoba komisionerët e Portëzës. Nga një vit kërkoi dje organi i akuzës për 5 komisionerë dhe gjobitjen e 3 të tjerëve dhe të një shtetasi nga komuna Ruzhdie. Gjyqi maratonë ka pasur dje seancën e fundit të tij, nisur pak kohë pas zgjedhjeve të qershorit 2009. Gjyqtari Roland Jaupaj, pas çeljes së procesit gjyqësor, i ka dhënë fjalën prokurorit të çështjes, Çlirim Sinaj. Përballë trupit gjykues, prokurori Sinaj ka lexuar edhe akuzat ndaj komisionerëve: shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve zgjedhore dhe shkelje të procesit të votimit. Ai kërkoi nga trupi gjykues që komisionerët të dënohen nga Gjykata e Fierit me njç vit burg dhe 600 mijë lekë gjobë shtetasit: Bujar Kararaj, kryetar i Komisionit, Pëllumb Myrtaj, zv.kryetar dhe anëtarët e Komisionit: Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj, përfaqësues të PD-së. Ndërsa me nga 1 milion lekë gjobë Akuza kërkoi për tre anëtarët e tjerë të Komisionit nga PS-ja, Qazim Aliaj, Pëllumb Fejzaj dhe Ervin Myftaraj, për braktisje të detyrës. E njëjta masë u kërkua dhe për një shtetas, i akuzuar për votim disa herë.
Po dje u dha vendimi për komisionerët e një tjetër zone në Fier, asaj të Portëzës. Gjykata e Fierit mori vendimin për 6 komisionerët, duke kërkuar dënimin me 500 mijë lekë gjobë për secilin, pasi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ata bojkotuan procesin e votimit. Lefter Kallashi, në cilësinë e kryetarit, Abedin Çobo me detyrën e nënkryetarit dhe Mane Goxhaj, sekretar në QV Nr. 3119, së bashku me Kastriot Hoxhën, kryetar, Tajar Beharin me cilësinë e nënkryetarit së bashku me Riza Metaj, sekretar të QV Nr. 3120, akuzohen për kundçrvajtje penale, braktisje të detyrës sipas nenit 169 të Kodit Zgjedhor. Pas më shumë se 50 seancash gjyqësore në ngarkim të 6 komisionerëve që sipas ligjit duhet të merrnin pjesë në procesin e votimit, në fshatrat Plyk, Kraps dhe Lalar, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Pirro Sota vendosi ndaj tyre masën e gjobës prej 500 mijë lekësh për secilin. Veprimi i 6 komisionerëve për mosparaqitje në qendrën e votimit erdhi pas vendimit të marrë në bllok së bashku me banorët e zonës, pas protestave që u bënë për rrugën e fshatit. Banorët në të vërtetë kishin deklaruar herë pas here se nëse nuk do të rregullohej rruga tejet e amortizuar, atëherë ata do t’i braktisnin votimet. m.r

© Panorama.al

Te lidhura