Më 25 mars të vitit 1975, në qytetin e Patosit u arrestuan të ashtuquajturit sabotatorë të sektorit të naftës. Por cilët ishin këta njerëz dhe përse u arrestuan? Në fillim të vitit 1975, sektori strategjik i naftës në Shqipëri ndodhej përballë një sërë problemesh të theksuara organizative, teknike dhe ekonomike.
Në një kohë kur vendi ishte i izoluar dhe çdo dështim në prodhim interpretohej si kërcënim për vetë sistemin, çështja e naftës mori një rëndësi të jashtëzakonshme politike. Për këtë arsye, Enver Hoxha ngarkoi një grup drejtuesish të lartë Haki Toska, Abdyl Këllezi, Adil Çarçani dhe Koço Theodhosi për të analizuar situatën nga afër. Ky grup zhvilloi disa mbledhje në Patos, ku ndodhej Drejtoria e Përgjithshme e Naftës, si dhe në Fier, ku u mbajt një nga takimet kryesore. Në këtë mbledhje të rëndësishme morën pjesë si të deleguar kryesorë Adil Çarçani dhe Haki Toska. Pas përfundimit të analizave dhe diskutimeve, ata raportuan në udhëheqjen e lartë të Partisë për problemet ekzistuese dhe për masat që duhej të merreshin për përmirësimin e gjendjes. Në dukje, gjithçka u trajtua brenda kornizave të zakonshme të sistemit dhe çështja u konsiderua e mbyllur. Por në realitet, kjo “mbyllje” ishte vetëm e përkohshme. Në sfond vepronte një mekanizëm tipik i regjimit: roli i “zërit të masës”.
Një punëtor, ish-specialist i sektorit të naftës, i cili pas një invaliditeti ishte caktuar roje nate në një ndërmarrje, vendosi të ndërhyjë. I ndikuar thellë nga propaganda dhe nga thirrjet e vazhdueshme për vigjilencë revolucionare, ai i drejtoi një letër të gjatë personalisht Enver Hoxhës. Në këtë letër ai denonconte atë që e konsideronte si “gabime”, “sabotime” dhe madje “veprimtari armiqësore” brenda sektorit të naftës. Letrat e qytetarëve trajtoheshin si burime informacioni politik, kjo ndërhyrje pati pasoja të mëdha. Letra mbërriti në duart e Hoxhës dhe u mor seriozisht, ndoshta edhe më shumë sesa raportet zyrtare të strukturave shtetërore. Në vend që çështja të mbetej e mbyllur, ajo u rihap me një intensitet të ri. Sipas dëshmive dhe dokumenteve të kohës, përfshirë edhe shënimet në ditarin e tij të datës 3 shkurt 1975, Hoxha e konsideroi këtë letër si një “zbulim”. Ai filloi të rikthehej te problematika e naftës, duke i parë raportet e mëparshme si të pamjaftueshme ose të pasakta. Madje, në mënyrë të tërthortë, ai zhvillonte biseda me figura si Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, duke i vënë përballë dyshimeve që tashmë po formoheshin. Akuza për “sabotim” dhe “veprimtari armiqësore” filluan të marrin formë, duke çuar më pas në një nga goditjet më të rënda ndaj elitës teknike dhe politike të vendit.
GODITJA FATALE
Goditja e të ashtuquajturit “grupi sabotator i naftës” nisi që në vitin 1974 dhe është ndër tragjeditë më të mëdha gjatë sistemit komunist, sa i përket inteligjencës shqiptare. Inxhinierët e lartë Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli u pushkatuan. Të njëjtin fat patën edhe Abdyl Këllezi, anëtar i Byrosë Politike të PPSH, ish-ministër i Ekonomisë e zv.kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, si dhe Koço Theodhosi, anëtar i Byrosë Politike të PPSH dhe ministër i Industrisë e Minierave. Pushkatimi ndodhi në vitin 1976. Dhjetëra inxhinierë të tjerë u kalbën burgjeve me dënime maksimale, disa u internuan, u dëbuan, u ulën në detyrë. Ndërkaq, pati edhe prej atyre që vranë veten, përpara se t’i vriste sistemi, siç ishte rasti i Piro Gushos, Tomi Kristo etj.. Procesi ndaj tyre nisi më datën 11.06.1976 në Gjykatën e Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Në seancën hapëse thuhet: Sot më datë 11.06.1976 nisi procesi gjyqësor me kryetare seance Eleni Selenica, zv.kryetare e Gjykatës së Lartë, me ndihmësgjyqtarë: Mitat Goskova, Fehmi Legreta, të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e zv.prokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara. Kjo gjykatë mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale nr.12, që u përket të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar në bazë të nenit 72, në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal.
MOMENTET E FUNDIT
Takimet e fundit të prokurorit Rrapi Mino me të pandehurit zbulojnë një dimension njerëzor që shpesh mungon në dokumentet zyrtare. Të gjithë ata, përfshirë edhe Kiço Ngjela, shfaqnin shenja të qarta lodhjeje psikologjike dhe pritjeje të pashmangshme të dënimit. Ngjela, ndryshe nga të tjerët, ruante një lloj kthjelltësie ironike, ai e shihte veten si “kokë turku”, një viktimë e nevojshme për të justifikuar dështimet ekonomike dhe izolimin e vendit. Kjo vetëdije, e artikuluar në mënyrë të qetë, bie në kontrast me dramën që po zhvillohej. Procesi gjyqësor, i përshkruar si maratonë, kishte në fund një rezultat të paracaktuar. Kur u komunikua pretenca dhe më pas vendimi, reagimi i të akuzuarve ishte pothuajse inekzistent: një heshtje e rëndë, kokat ulur, një pranim i heshtur i fatit. Ky moment simbolizon jo vetëm fundin e një procesi gjyqësor, por edhe fundin e çdo iluzioni për drejtësi të pavarur. Pas refuzimit të faljes së jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, procedurat për ekzekutimin nisën menjëherë. Një urdhër i ministrit të Brendshëm përcaktonte vendin, kohën dhe personat përgjegjës. Por ajo që e bën këtë rast të veçantë është fakti se ekzekutimi nuk u krye natën, siç ndodhte zakonisht, por në mesditë, një detaj që thekson natyrën e pazakontë ose ndoshta urgjencën politike të rastit. Vendndodhja ishte një zonë e izoluar në rrethinat e Linzës, një kodër me shkurre që shërbente si vend i fshehtë për ekzekutime. Në këtë skenë të heshtur dhe larg syve të publikut, u realizua akti final. Të pranishëm ishin vetëm disa persona, prokurori, një mjek dhe efektivi që do të kryente pushkatimin. Para ekzekutimit, siç e kërkonte procedura, të dënuarve iu kërkua fjala e fundit, e cila regjistrohej në procesverbal, një formalitet i fundit në një proces ku vendimi ishte marrë prej kohësh. “Pushkatimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit është bërë në kodrat e Linzës dhe trupat e tyre i çuan në spital për eksperiment shkencor”, dëshmon ai, duke bërë indiferentin për sfilitjen e familjarëve në kërkim të eshtrave të tyre. Përtej këtij fakti, ish-prokurori më jetëgjatë i Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse me rezerva, tregon momentet e dialogut të fundit me dy të dënuarit me vdekje te vendi i ekzekutimit. “Fola veç me çdonjërin,- ka rrëfyer Mino. Në fillim nxora nga makina Abdylin, e afrova te pozicioni i pushkatimit dhe i komunikova vendimin e Presidiumit, që nuk i falte jetën. Përfundimisht,- i thashë,- mbetet në fuqi verdikti i Gjykatës, pra dënimi me vdekje. I kujtova ndërkaq se duhej të thoshte çfarë mendonte para ekzekutimit. Foli diçka dhe e mbylli. Pastaj, mora aty Koçon që kishte ndjekur çfarë ndodhi me shokun e tij. Foli dhe ai si nëpër dhëmbë. Dhe këtu u mbyll gjithçka”. Po çfarë kujton tjetër nga ato çaste të tmerrshme përfaqësuesi i akuzës, që i tregon si të fliste për një ngjarje të rëndomtë…
FJALIMI I ENVERIT
Fjala përmbyllëse e Enver Hoxha në Plenumi i 7-të i Komitetit Qendror të PPSH-së në vitin 1977 përfaqëson një nga dokumentet më domethënëse të retorikës politike dhe mekanizmave të pushtetit në Shqipërinë socialiste të viteve ’70. Ajo nuk ishte thjesht një analizë e situatës së brendshme të Partisë, por një akt politik me pasoja të drejtpërdrejta për fatin e individëve dhe drejtimin e vendit. Në planin formal, fjala ndërtohet mbi idenë e një Partie që kujdeset për njerëzit, që pranon gabimet dhe që kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Hoxha thekson se “Partisë i dhemb” për shqetësimet e individëve dhe se çdo veprim bëhet për të mirën e shoqërisë. Por kjo retorikë e butë ndërthuret menjëherë me një logjikë të ashpër ndëshkimi: gabimet nuk falen pa pasoja dhe autorët e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo dualitet – kujdesi paternalist dhe ndëshkimi i rreptë – është tipik për diskursin politik të regjimit. Një nga boshtet kryesore të fjalës është koncepti i “vigjilencës revolucionare”. Sipas Hoxhës, armiku është gjithnjë i pranishëm dhe përpiqet të depërtojë në çdo hallkë të shtetit dhe shoqërisë. Kjo justifikon një klimë të përhershme dyshimi, ku çdo individ duhet njëkohësisht “të besojë dhe të kontrollojë”. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për zbulimin e armiqve shpërndahet në të gjithë strukturën, duke krijuar një sistem ku askush nuk është plotësisht i sigurt. Në këtë kontekst, kritika ndaj figurave të larta të Partisë merr një dimension të veçantë. Koço Theodhosi paraqitet si një drejtues që jo vetëm ka dështuar në detyrat e tij, por që dyshohet se është përfshirë në një veprimtari të organizuar armiqësore. Akuza shkon përtej paaftësisë, ajo nënkupton tradhti të vetëdijshme ndaj sistemit. Po kështu, Abdyl Këllezi portretizohet si një figurë me “miopi politike” dhe prirje oportuniste, që sipas Hoxhës ka kontribuar në dobësimin e pushtetit popullor dhe në përhapjen e ideve revizioniste. Fjala nuk kufizohet vetëm te këta dy emra. Kiço Ngjela kritikohet për liberalizëm dhe mungesë kontrolli, ndërsa figura të tjera si Ramadan Xhangolli apo Thoma Deliana paraqiten si shembuj të dobësive ideologjike dhe organizative. Kjo zgjeron spektrin e përgjegjësisë dhe tregon se “pastrimi” nuk ishte i kufizuar, por pjesë e një procesi më të gjerë spastrimi politik. Hoxha përshkruan një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh dhe sabotatorësh, të lidhur me interesa të huaja dhe që veprojnë kundër ekonomisë socialiste, veçanërisht në sektorin e naftës. Kjo narrativë shërben për të legjitimuar masat e rënda ndëshkuese dhe për të konsoliduar idenë se Partia është nën rrezik të vazhdueshëm. Pas kritikave dhe dënimeve, Hoxha bën thirrje për bashkim forcash, rritje të prodhimit dhe forcim të disiplinës. Ai e paraqet situatën si një provë që duhet kapërcyer përmes angazhimit kolektiv dhe besnikërisë ndaj vijës së Partisë.
Vendimi për ekzekutimin e inxhinierëve të naftës në 1977
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË/PRESIDIUMI I KUVENDIT
POPULLOR
Tiranë, më 31.11.1977 / Nr. 512/1
MINISTRISË SË PUNËVE TË
BRENDSHME
– Drejtorisë së Hetuesisë –
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË
TIRANË – Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 31.5.1977 refuzoi t’u fali jetën:
1. Abdyl Mehmet Këllezi, dtl. 1920, nga Tirana, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
2. Koço Llambi Theodhosi, dtl. 1913, banues në Tiranë, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73 në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
3. Xhavit Ymer Sallaku, dtl. 1929, lindur në Tiranë dhe banues në Fier, dënuar me vendimin nr. 67 datë 25.3.1977 të Gjykatës së Rrethit Fier me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor.
4. Shaban Muslim Lilka, dtl. 1907, lindur dhe banues në fshatin Miras të rrethit Korçë, dënuar me vendimin nr. 65 datë 10.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Korçë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për shkaqe të dobëta Zaim Lilkën dhe ka tentuar të vrasë Pema Lilkën, si dhe ka kundërshtuar me dhunë përfaqësuesin e pushtetit.
5. Osman Ymer Zalla, dtl. 1938, lindur dhe banues në fshatin Bruz-Zallë të rrethit Krujë, dënuar me vendimin nr. 26 datë 13.4.1977 të Gjykatës së Rrethit Krujë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për motive të dobëta Hajdar Shehun; për përvetësim të pasurisë socialiste në bashkëpunim e në përpjesëtime të mëdha; për përvetësim të pasurisë së qytetarëve, për përvetësim të pasurisë së gjetur, për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzimin e një krimi të rëndë.
Vendimet për personat e mësipërm të ekzekutohen me pushkatim.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
TELO MEZINI
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Ekzemplar i vetëm Nr. 367/1 Prot Tiranë, më 31.5.1977 LËNDA: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dy të dënuarve.
MINISTRISË SË PUNËVE TË
BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
Për njoftim: PROKURORIT TË
PËRGJITHSHËM TË RPSSH
TIRANË – Në bazë të vendimit nr. 4 datë 17.5.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH, janë dënuar me vdekje(pushkatim), personat e poshtëshënuar:
1. Abdyl Këllezi 2. Koço Theodhosi. Meqënëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 512/1 datë 31.5.1977, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre;
URDHËROJ:
Që të dënuarit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datën 31.5.1977 ora 15:00.
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.
Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërm se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të mbajë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
KADRI HAZBIU
Ekzemplar i vetëm
PROCESVERBAL
Në Tiranë, më 31.5.1977
Në bazë të urdhrit të Ministrit Punëve të Brendshme Nr. 367/1 datë 31.5.1977 ora 15:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Rrapi Mino dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Idriz Seiti i ngarkuar i Drejtorisë së Hetuesisë u ekzekutua vendimi me vdekje (pushkatim) për armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.
Para ekzekutimit, secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës. Pas kësaj ata thanë:
1. Abdyl Këllezi: Nuk kam gjë për të thënë. 2. Koço Theodhosi: S’kam gjë. Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre nga unë Idriz Seiti dhe u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani i cili konstatoi vdekjen e tyre. I ngarkuari për ekzekutim: Idriz Seiti/ Prokurori: Rrapi Mino/Mjeku: Nevzat Vigani
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












