
Kryebashkiaku Gjika: Dukej qartë, gjithçka ishte e planifikuar më së miri
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, shpërthen në akuza ndaj institucionit të futbollit dhe drejtuesve të Skënderbeut. “Zeqo dhe Duka drejtojnë së bashku FSHF-në”,- është shprehur kryebashkiaku vlonjat për “Panorama Sport”. Gjika nuk ka lënë pas as ironitë për atë që ndodhi në Pogradec. “Së pari, të shkuara gjyqtarit që u gjakos dje. Së dyti, kam kërkuar ekspert nga FBI- ja për të zbuluar atë vlonjatin që na turpëroi dhe që nuk pati shënjestër për të gjuajtur me gurë portierin e ekipit të tij. Së treti, edhe pse ndodhem i shtruar në spital, mendoja se isha unë i sëmuri, por tani e them me bindje të plotë se me një sëmundje të pashërueshme dhe e pashpresë është Federata Shqiptare e Futbollit dhe dy bashkëpresidentët e saj, Zeqo dhe Duka.” Ndërkohë, në një prononcim gjatë mbrëmjes së djeshme për “Super Sport”, Gjika përsëriti akuzat. Ndër të tjera, ai u shpreh: “Drejtuesit e Skënderbeut e kanë pushtuar dhe dhunuar totalisht FSHF-në. Ata po bëjnë çfarë u do qejfi. Është për të ardhur keq që ndodhin të tilla gjëra të përsëritura, për më tepër që ndeshja e sotme (djeshme) nuk kishte as lloj rivaliteti. Ishte vetëm ndeshja e parë dhe sido që të dilte rezultati, nuk vendoste asgjë, pasi janë edhe 5 takime të tjera. Pra, cila është historia këtu? Ndoshta është ajo që thotë Shkëmbi, që e mposht gjithnjë ai Flamurtarin… Po me kë e mposht ai, me Boden?! Për sa kohë sportin do ta prishë politika, kështu do të vazhdojmë. Në një ndeshje në Bundesligën gjermane, anësori u godit me një gotë plastike dhe ndeshja u pezullua direkt. Po këtë herë ndaj Skënderbeut, pse nuk duhet të ndodhte kështu?! A bën pjesë FSHF-ja në UEFA? Tashmë ose do të pranojmë që rregullat janë të njëjta për këdo, ose të themi që këtu ka një Skënderbe që i ka hipur kalit dhe të vazhdojë futbolli në këtë formë. Nuk kishte asnjë shans që ndeshja të vazhdonte në Pogradec. Dy zotërinjtë që ishin delegatë dhe vëzhgues, Arsen Hoxha dhe Astrit Canaj, janë çnderuar me atë që kanë bërë. Këto që po bëhen janë gjëra të planifikuara dhe, për më tepër, Arsen Hoxha është hera e tretë që na e bën këtë. Ai që nga ky moment është në borxh me qytetarët vlonjatë. Më ka thënë se ndeshja ishte e përfunduar pas asaj që ndodhi. Nëse nuk i qëndron kësaj që ka thënë, atëherë zoti Hoxha konfirmon edhe një herë se kishte ardhur me mision për të na dëmtuar”.
Geri Çipi: Duam pikët në tavolinë
Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka kërkuar fitoren në tavolinë për shkak të incidenteve të djeshme. “U çudita që nuk pashë flamur të ngritur lart, në momentin kur dukej qartë që një prej futbollistëve korçarë ishte në pozicion jashtë loje. Në atë moment u godit anësori dhe vetëm për futboll nuk mund të flitej më. Në gjykimin tim, takimi duhej pezulluar, pasi nuk kishte kuptim që të vazhdohej më tej. Qëndruam në fushë, por e patë që nuk flitej më për ndeshje normale futbolli. Nisur nga ajo që u pa, ne si klub i kemi bërë reklamim vëzhguesit dhe delegatit të ndeshjes duke kërkuar marrjen e rezultatit në tavolinë”, ka shpjeguar Çipi.
© Panorama.alRasti në Gjermani
Ajo që ndodhi në Skënderbeu-Flamurtari me arbitrin, do kishte bërë që të ndërpritej menjëherë ndeshja nëse do kishte bërë vaki në një kampionat tjetër në Europë. Jo më larg se vitin e kaluar, në prill 2011, tri minuta para përfundimit të kohës së rregullt në St.Pauli-Shalke, takimi u ndërpre kur rezultati ishte 0-2 për mysafirët, pasi anësori u godit me një gotë birre plastike në shpinë, pa iu shkaktuar asnjë lloj dëmi.











