
Zgjedhjet për kreun e PS së Tiranës do të mbyllen brenda muajit
Ilir Zela pritet të jetë kandidat potencial për kreun e PS-së së Tiranës. I kontaktuar në telefon, Zela, anëtar i Asamblesë Kombëtare, tha se do të jetë në garë nëse do të propozohet nga strukturat socialiste të kryeqytetit. “Jam i disponueshëm për t’i ndihmuar socialistët e Tiranës që të kenë një organizatë luftarake dhe që do të fitojë zgjedhjet e radhës. Unë jam ofruar si një vlerë më shumë në garën që Partia Socialiste do të zhvillojë përmes parimit ‘një anëtar, një votë’ për të zgjedhur kryetarin e organizatës më të madhe socialiste në vend”, u shpreh Zela. Sipas tij, do të jenë organizatat socialiste dhe asambletë e njësive vendore që do të propozojnë kandidaturat për këtë post. Kryetari i PS-së së qytetit të Tiranës pritet të përfundojë brenda këtij muaji, si një vendim i marrë nga mbledhja e fundit e Kryesisë socialiste dhe e Asamblesë Kombëtare. Kryetari i komanduar në këtë degë, Sajmir Tahiri, pas dorëheqjes së menjëhershme që dha Besnik Bare, kur PS humbi Bashkinë e Tiranës, pritet të propozohet nga strukturat socialiste të kryeqytetit. Pas përfundimit të të gjitha mbledhjeve të asambleve, do të mblidhet Kryesia e PS-së, e cila do të miratojë kandidaturat bazuar në kriteret e vendosura më parë. Edhe deputetë të tjerë kishin shprehur më parë preferncën e tyre për të kandiduar për kreun e PS-së së Tiranës. Andis Harasani, muaj më parë ka shprehur dëshirën për të qenë një nga kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës, por pas zgjedhjes së Kryesisë së re dhe Sekretariatit të ri, Harasani nuk ka bërë asnjë deklaratë, madje ai ndodhet jashtë shtetit prej disa javësh.
Tahiri, i komanduar në krye të PS
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, i cili është dhe nënkryetar i Grupit të deputetëve, u komandua nga kryetari Rama për të përgatitur zgjedhjet në strukturat e kësaj dege. Tahiri u komandua në këtë post pas dorëheqjes së Besnik Bares, i cili u largua nga kreu i PS-së së Tiranës kur kjo parti humbi Bashkinë e kryeqytetit. Në zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor, Tahiri mbuloi Njësinë Nr. 6 në Kombinat, ku kandidati i PS fitoi me një avantazh të dukshëm përballë kandidatit të PD-së, duke marrë shumë vota dhe për Edi Ramën si kandidat për Bashkinë e Tiranë.
Zgjedhjet e PS në 117 njësi vendore
PS do të zgjedhë drejtuesit e saj në 117 njësi vendore, zgjedhje që nuk arritën të zhvilloheshin para Kongresit të 5 nëntorit 2011. Përveç degës së Tiranës qytet, zgjedhje nuk janë bërë në këtë qark edhe në bashkinë e Kavajës, të Rrogozhinës e Vorës. Po ashtu edhe në 11 minibashkitë e 4 komuna. Zgjedhje do të zhvillohen në tri bashkitë dhe 17 komunat e qarkut të Kukësit. Do të votohet për kreun e PS-së në bashkinë e Lezhës, Rubikut dhe 12 komunat e këtij qarku. Zgjedhje do të bëhen në disa njësi vendore të qarkut Shkodër e Vlorë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











