Zela: Do zgjeroj hapësirat për intelektualët në PS

Feb 23, 2012 | 12:52

Ilir Zela

Kandidati për kreun e PS-së së kryeqytetit.

“Nuk është e domosdoshme që kryetari i Tiranës të jetë anëtar Kryesie apo deputet”

Kandidati për kreun e PS-së së kryeqytetit, Ilir Zela, shprehet se në platformën e tij për këtë post do të vendosë zgjerimin e hapësirave për intelektualët.
Ringritja e FRESSH-it dhe Forumit të Gruas do të jenë prioritet i punës së tij nëse do të zgjidhet në krye të këtij forumi.
Zoti Zela, ju jeni një nga kandidatët e miratuar nga Kryesia socialiste për kreun e PS-së së Tiranës përballë zotit Tahiri. Cilët mendoni se ishin cilësitë që ju dhe zoti Tahiri u kualifikuat për në garën finale ndaj 12 kandidaturave të propozuara nga Asambletë e minibashkive?
Institucionet e Partisë Socialiste kanë vepruar në ushtrim të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, sigurisht në konsultim edhe me anëtarësinë socialiste të kryeqytetit. Në këtë moment të evoluimit të proceseve politike në vend, kjo ka qenë vendimmarrja e Kryesisë së PS-së dhe besoj të jetë orientuar nga nevoja për vitalizimin e mëtejshëm strukturor dhe organizativ të forcës më të madhe politike në vend, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët e Tiranës dhe përfaqësimi gjithnjë e më i zëshëm i interesave të tyre, përçimi i programit të ri të PS për një rilindje kombëtare dhe përthyerja e tij sipas specifikave të kryeqytetit. Njëkohësisht, besoj se opozita jonë duhet të jetë insistuese dhe e drejtpërdrejtë edhe në shfryrjen e tullumbaceve të Bashkisë së Tiranës, kur po plotësohet një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të dhunuara të 8 majit.
Cila do të jetë kryeçështja e platformës suaj në këtë garë, e cila do të finalizohet më 3 mars?
Bashkim i të gjithë socialistëve dhe opozitarëve kryeqytetas në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme dhe më gjerë, në funksion të një misioni atdhetarist e europianist për të cilin historia na ka ngarkuar ta mbajmë! Unë besoj se është plotësisht e mundur që në Partinë Socialiste dhe në të gjithë opozitën shqiptare të harmonizohen talentet, kontributet, përvoja dhe mundësitë individuale të të gjithëve. Ndaj është koha që të përtërihet dhe të marrë krahë shpirti opozitar në Shqipëri, të bashkohen në mënyrë organike vlerat me të mira të së majtës, sakrificat dhe përvoja e opozitës së parë socialiste të 1992-1997-s me kontributet më të mira të opozitës së dytë, të mirëpërdoret përvoja qeverisëse e 1997-2005-s dhe t’u jepen kryeqytetasve dhe të gjithë shqiptarëve garancitë e plota se Partia Socialiste si sot në opozitë, ashtu dhe nesër në qeverisje, do të jetë tërësisht në funksion të qytetarëve dhe të zhvillimit të vendit. Personalisht mendoj se pas dy mandateve shumë problematike në të gjitha aspektet e qeverisjes së Partisë Demokratike, realizimi i rrotacionit politik është bërë një domosdoshmëri historike. Këmbëngulja e kësaj maxhorance të panatyrshme për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht përmes atyre formave që shqiptarët i panë live gjatë numërimit të votave të 8 majit, apo edhe përmes shpikjeve të tjera manipulative, do të ishte fatale për ringjalljen e demokracisë në Shqipëri. Unë këmbëngul që është plotësisht e mundur që intelektualët të gjejnë hapësira gjithnjë e më të mëdha në veprimtarinë e Partisë Socialiste të Tiranës, ndaj do të punoj pa pushim për t’i zgjeruar këto hapësira.
Ju jeni një nga drejtuesit e parë të FRESSH-it. Si e vlerësoni për momentin këtë forum që ka qenë shumë vital në PS dhe çfarë kërkohet për t’i kthyer shkëlqimin e dikurshëm?
Edhe në takimin e 15 janarit 2012 kam bërë thirrje që 20-vjeçarët e 2012-s dhe 20-vjeçarët e 1992-shit duhet të jenë të gjithë më këmbë për bërë të mundur afirmimin e demokracisë në Shqipëri. Unë besoj që Forumi i Rinisë Eurosocialiste të Tiranës do të mund të bëhet një platforme e shkëlqyer e angazhimit politik të rinisë, veçanërisht asaj universitare. Për mua do të jetë privilegj i veçantë të ndihmoj me të gjitha mundësitë organizimin e FRESSH-it dhe vitalizimin e strukturave të tij kudo, në nivel të njësive bashkiake, të bashkisë së kryeqytetit, apo edhe në nivel universitar. Unë besoj që të rinjtë duhet t’i bëjnë vetë zgjedhjet e tyre, ndaj kam mbështetur dhe mbështes riorganizimin e FRESSH-it dhe mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha strukturat e tij.
Ishin cilësitë e FRESSH-it apo mentaliteti i lidershipit të PS-së që e bënë këtë forum pararojë të politikës së majtë dhe të PS-së, e cila në ato kohë kishte dhe vulën e partisë së vjetër, të Partisë së Punës?
Mendoj se arsyeja kryesore pse Partia Socialiste dhe FRESSH kanë qenë efektivë gjatë opozitës së parë, lidhet me idealizmin dhe dashurinë e madhe të të gjithëve për Shqipërinë, alternativën e majtë dhe afirmimin e vlerave të demokracisë. Një shpirt i tillë jeton te të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste dhe unë besoj se është plotësisht e mundur që të forcohet dhe afirmohet akoma më tej. Unë besoj se 20-vjeçarët e 2012-s janë shumë më të aftë për të ushqyer atdhedashurinë dhe vlerat e së majtës progresiste, ndaj do të jem vazhdimisht një përkrahës i zjarrtë i tyre.
Cila do të jetë filozofia juaj lidhur me raportin mes të rinjve që kanë hyrë apo kanë aspirata të hyjnë në PS, dhe brezit të vjetër apo të mesëm të kësaj partie? Si mendoni t’i nxisni dhe alternoni?
Besoj se ekziston harmonia e brezave në PS, pavarësisht specifikave të veçanta. E rëndësishme është që instrumentet statutore që garantojnë garën e hapur dhe konkurrencën e ndershme të vihen plotësisht në punë, që të gjitha prirjet dhe tendencat të mund të respektohen dhe të përfaqësohen në mënyrë të denjë dhe po ashtu, mendimi i anëtarësisë të mund të ndikojë në vendimmarrjen e forumeve. Unë synoj ta gjallëroj akoma më tej komunikimin dhe diskutimin e pikëpamjeve në PS të kryeqytetit për ta bërë atë një makineri politike të papërballueshme nga çdo marifet manipulativ i maxhorancës aktuale.
Forumi i Gruas Socialiste duket se është inekzistent që pas largimit të Majlinda Ketës nga drejtimi i tij. Si do ta ngrini këtë forum për ta bërë konkurrues brenda PS-së tani që kemi dhe kuotën 30% të përfaqësimit të grave në përballjet politike?
Pa dyshim që vitalizimi i mëtejshëm i veprimtarisë së grave në Partinë Socialiste kalon nga specifikat përkatëse. Ndaj jam shumë i lumtur që Kryesia e Partisë Socialiste i ka kushtuar rëndësinë e duhur kësaj çështjeje dhe riorganizimi i Forumit të Gruas Socialiste sipas Statutit do të jetë një nga aksionet tona politike imediate. Partia Socialiste e Tiranës ka privilegjin që shumë kontribute në të vijnë pikërisht prej shoqeve, dhe unë do të jem shumë i lumtur të punoj ngushtësisht me drejtueset e Forumit të Gruas Socialiste të Tiranë, të cilat do të dalin nga procesi zgjedhor që do të mbahet në kuadër të këtij riorganizimi.
Vazhdimisht kryetari i PS-së së Tiranës ka qenë përfaqësim i lartë politik në këtë parti, deputet dhe anëtar Kryesie. Nisur nga kjo traditë, mendoni se jeni jo shumë i favorizuar në këtë garë?
Nuk janë detyrat e tjera publike, apo jo, të cilat ia japin staturën pozicionit të kryetarit të PS-së së kryeqytetit. Statura e këtij pozicioni vjen nga rëndësia elektorale dhe politike e territorit të Bashkisë së Tiranës, por edhe nga cilësitë individuale të mbajtësve të këtij mandati. Ka një panteon shumë të nderuar të kryetarëve të Partisë Socialiste të Tiranës. Po përmend vetëm disa prej tyre: Halil Lalaj, një ekselencë e politikës shqiptare, Luan Shahollari, një intelektual i klasit më të lartë dhe me një modesti për t’u marrë shembull, Musa Ulqini, një legjendë e gjallë e të gjitha fitoreve të Partisë Socialiste në kryeqytet. Disa kanë qenë deputetë, disa jo! Zoti Shahollari, për shembull, e ka drejtuar PS në kohën e opozitës së parë me shumë efikasitet, pa qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Besnik Baraj gjithashtu, gjatë drejtimit të Partisë Socialiste të Tiranës, nuk ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë. Sigurisht që zgjedhja i takon trupës votuese përkatëse, Asamblesë Socialiste të Bashkisë së Tiranës. Unë kam besim dhe respekt të plotë në zgjedhjen e tyre.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura