PANORAMA TV/ Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, ka komentuar në “Panorama TV” vendimin e qeverisë për rihapjen e lojërave të fatit, duke thënë se do të shërbejnë si në mënyrë ku të investohen paratë që vijnë nga korrupsioni.
“Unë nuk shoh një lidhje mes lojërave të fatit dhe buxhetit të shtetit e aq më pak tani që do të hapen sërish, unë shoh vetëm luftë për sektorin e tregjeve mes maxhorancës, shoh përpjekje për të gjetur sfera ku mund të investohen paratë që vijnë nga korrupsioni dhe nuk shoh lidhje me qytetarin”, tha ai.
AKCIZA
Gjithashtu, Preçi komentoi edhe vendimin e qeverisë për vendosjen e akcizës së birrës nga 1 janari, duke thënë se një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur janë arritur disa standarde. Sipas Preçit, ky sektor ka pasur informalitet dhe çdo lloj justifikimi që përdor qeveria se kjo akcizë është kërkuar nga BE, është një argument i dobët. “E vërteta është se përgjegjësia para shqiptarëve është e qeverisë së Shqipërisë nëse rregulloret në procesin e anëtarësimit synojnë hapjen e tregut kjo ndodh kur janë arritur disa standarde në prodhimin vendas pra ky është konkurrues me prodhimin e vendeve të BE. Çdo lloj nisme që përdor si justifikim është shumë i dobët si argument, por edhe në këtë sektor ka pasur informalitet. FMN thotë që janë bërë disa favorizime, por nuk keni qenë në gjendje t’i zbatoni ato dhe të shtoheshin të ardhurat në buxhet”, tha ai.
BORDI
Eksperti i Ekonomisë e konsideron bordin e transparencës së çmimit të karburanteve si një mekanizëm antikushtetues për të kontrolluar tregun vendas. Sipas tij, funksionimi i këtyre bordeve është një mënyrë “djallëzore” për të mbushur arkën e shtetit. Mekanizmi, shteti dhe biznesi janë vendosur “kundër” konsumatorëve. “Janë një numër mekanizmash që rëndojnë barrën ekonomike të familjeve shqiptare. Rreth 70% të familjeve shqiptare janë të kërcënuara nga varfëria. Problemet që lidhen me mekanizmat e kontrollit të çmimeve, janë probleme serioze. “Krijimi i bordit dhe funksionimi i tij është një mënyrë djallëzore. Mbart përgjegjësinë e qeverisë për rregullimin e taksave dhe të ardhurave, por që nuk kanë përgjegjësi shtetërore.
Ky bord shërben për të ndihmuar arkën e shtetit. Funksionimi i këtij bordi, për mendimin tim, ka qenë antikushtetuese. Deri në ditët e sotme, nuk jemi njohur se cila nga kompanitë që t’i jetë imponuar vendosja e çmimit. Në çdo ekonomi janë tre palë, shteti, biznesi dhe konsumatori. Nëse nuk ruhet balanca në treg, as shteti s’merr të ardhurat, as konsumatori nuk paguan aq sa duhet.
Nëse bëhen dy palë bashkë kundër një të trete, pra shteti me biznesin kundër konsumatorit, atëherë është e dëmshme. Janë qytetarët që janë varfëruar, ka evidenca se konsumi ka prirje të ngushtohet”, tha Preçi. Sipas ekspertit të ekonomisë, qeveria duhet të bëjë shumë kujdes me politikat e saj fiskale. “Duhet thënë që jo çdo ulje takse nuk ul çmimin fundor. Për të ulur çmimin duhet nxitur konkurrenca. Duhet parë si funksionojnë marrëdhëniet e kompanive, me shumicë me pakicë. Rama tha se do të hapë minierat e qymyrit. Ka ndonjë evidencë, ndonjë program qeveritar që të realizohet kjo? Kjo duhet thënë edhe për përpunimin e naftës. Këtu ka hapësirë për politika shtetërore që të përdorin naftën. Janë disa taksa që për mua janë parazitare, taksa e bashkisë dhe taksa e parangjyrosjes. Shkojnë afërsisht sa 20% e çmimit. Të merren një sërë politikash që merren me prodhimin vendas, me prodhimin e lëndëve alternative.
Bordi nuk ndalon rritjen e çmimeve Nafta rritet me 2 lekë dhe benzina me 3 lekë/litër
Bordi edhe dje rriti çmimin e karburanteve. Në mbledhjen e djeshme, u vendos rritja e çmimit të naftës me 2 lekë për litër, duke e çuar në 210 lekë litri dhe çmimin e benzinës me 3 lekë/litër, duke shkuar në 192 lekë/litër. Ndryshe nga çmimi i naftës dhe benzinës, gazi ka pësuar ulje me 2 lekë/litër, duke u shitur kështu me 69 lekë litri. Pas një pushimi 8-ditor, Bordi i Transparencës është mbledhur në datë 25.01.2023 për të publikuar çmimet e reja, të cilat kanë pësuar ndryshim në vlerat përkatëse për karburantin në Shqipëri.
“Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 24.01.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/ MED $ Ton) i Benzinës është 892, +50 nga data 16.01.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 978, +41 nga data 16.01.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 56 (-0.43 nga data 16.01.2023). Si rrjedhojë, çmimet e vendosura janë: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër”, thuhet në njoftimin e Bordit. Bordi i Transparencës sqaron se lëvizja e bursës Platts të Mesdheut ndikon në çmimin e hidrokarbureve. “Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”, qartëson Bordi. “Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 25 janar, (dje) ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, njofton Bordi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al