Pakti detar me Greqinë, zbulohet raporti sekret

Sep 13, 2012 | 11:12

komisioni i jashtem parlamentar

Zbardhet letra e Ministrisë së Jashtme që do lexohej në Kuvend.

Panariti: Mundësi e zbehtë për rinegocimin e Marrëveshjes, Greqia s’njeh vendimin e Kushtetueses.

Debat në Komisionin e Jashtëm. Replikat mes Bejës dhe Dades.

Panariti: Negociatat me Greqinë, pas zgjedhjeve të 2013.

Greqia nuk e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për shfuqizimin e marrëveshjes së ujërave midis dy vendeve. Një fakt i tillë mësohet nga dokumenti konfidencial i ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, i dorëzuar në Komisionin e Jashtëm parlamentar. Ministri Panariti kërkoi dje nga anëtarët e Komisionit të Jashtëm që materiali i vënë në dispozicion të mos bëhej publik, për shkak të të dhënave sekrete që përmbante. Ndërkohë, “Panorama” zbardh të plotë raportin me skenarët e hartuar nga Ministria e Jashtme për qëndrimet që mund të mbajë shteti helen në dëm të vendit tonë, në rast se nuk zgjidhet me konsensus çështja e kufijve detarë. Në raportin e Ministrisë renditen disa nga arsyet përse marrëveshja e ujërave detare duhet të rinegociohet dhe jo të lihet në heshtje, pasi pala greke e konsideron si të vlefshme marrëveshjen e firmosur më 27 prill të vitit 2009, e cila u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese më 15 prill të vitit 2010. Por një vendim i tillë për Greqinë konsiderohet si një çështje e brendshme dhe se marrëveshja e parë është hartuar në mirëbesim dhe vullnet të mirë. Ky qëndrim i shtetit helen i është përcjellë me notë verbale Ministrisë së Jashtme nga Ambasada Greke në Tiranë, më datë 25 shkurt të vitit 2010 dhe vendimi i Kushtetueses konsiderohet si një problem i njëanshëm i vendit tonë. Diplomacia shqiptare i druhet një prishjeje të mundshme të marrëdhënieve me shtetin grek, çka do të sillte pasoja dhe për bllokimin e integrimit të vendit. Në raportin e Ministrisë së Jashtme thuhet se Greqia mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare për të aktivizuar marrëveshjen e firmosur në vitin 2009, me argumentin se “legjislacioni i brendshëm nuk mund të jetë pengesë për zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare”.

(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura