
Kamerat dhe dëshmitarët: Personi që plagosi Aleksandër Gocajn dhe vrau 25-vjeçaren doli nga ajo makinë.
Benzi që dyshohet se u përdor në vrasje, i djegur në Kombinat.
Një makinë e djegur është gjetur mbrëmë në Kombinat, ndërsa policia dyshon se bëhet fjalë për mjetin e përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur të enjten te “Komuna e Parisit”, ku u vra Megi Jokiçi dhe u plagos Aleksandër Gocaj. Policia e Tiranës tha se makina e djegur është e markës “Benz”, me ngjyrë të zezë, krejt e ngjashme me makinën që sipas dëshmive dhe filmimeve është filmuar në vendin e ngjarjes të enjten. Makina mësohet se është gjetur në periferi të Kombinatit në Tiranë. Ajo është sekuestruar nga policia, e cila ka kryer verifikimet dhe ekzaminimet e nevojshme me ekspertë kriminalistë. Burime kofidenciale nga policia e kryeqytetit thanë se makina ka ngjashmëri të madhe me atë që është filmuar nga kamerat natën e krimit te “Komuna e Parisit”. Për shkak të sekretit hetimor, policia nuk dha detaje për pronarin e saj dhe targat, por mësohet se personi në emër të cilit rezulton e regjistruar makina, ndodhet jashtë shtetit, ndërsa dyshohet se është përdorur në krim. Zyrtarët e Policisë thanë se makina tip “Benz”, me ngjyrë të zezë, është djegur në pjesën e përparme të saj, pasi është spërkatur me benzinë. Autorët, sipas Policisë, kanë pasur si qëllim djegien e plotë, por me sa duket, reshjet e shiut kanë arritur të shuajnë flakët, duke bërë që ajo të digjej pjesërisht. “Ka dyshime se ka shumë ngjashmëri me makinën e autorëve. Megjithatë, jemi në proces verifikimi dhe pa kryer të gjitha ekspertizat e nevojshme nuk mund të arrijmë në një konkluzion përfundimtar”, u shpreh mbrëmë një zyrtar i Policisë së Tiranës për gazetën “Panorama”.
MAKINA E KRIMIT
Paraditen e sotme ekspertët më të mirë kriminalistë do të kryejnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme në makinën tip “Benz” që u gjet e djegur mbrëmjen e djeshme në periferi të Kombinatit. Këqyrja e mjetit në brendësi do të kryhet me imtësi, pasi çdo objekt, gjurmë dhe ndonjë shenjë tjetër që mund të gjendet aty, ka një rëndësi të veçantë për grupin hetimor të ngritur për vrasjen 25-vjeçares Megi Jokiçi dhe plagosjen e Aleksandër Gocajt. Sipas burimeve, makina pjesërisht e djegur është e ngjashme me mjetin që është filmuar nga kamerat e sigurisë. Makina e autorëve të vrasjes së stomatologes së re është fokusuar nga kamerat që nga ora 21:30. “Benzi” me ngjyrë të zezë, i njëjtë me atë që u gjet dje, ka kaluar te vendi i krimit dhe pasi është afruar te fuoristrada ku ndodhej Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, nga Mati, personat që ndodheshin brenda saj kanë qëlluar me armë. Sipas pamjeve të regjistruara nga kamerat, identifikohet qartë edhe arma e përdorur në ngjarje, një automatik “Kallashnikov”. Por, personit që ka zbritur nga makina tip “Benz”, që gjatë gjithë kohës qëndronte dhe lëvizte me drita të fikura nuk i duket fytyra. Ai ka pasur një kapele ose kapuç në kokë dhe po kështu xhupin e kishte ngritur deri në pjesën e veshëve.
policia
Vrasja e Megi Jokiçit dhe Eleni Bashos u bë shkak për ndryshime rrënjësore në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, u shkarkuan drejtori i qarkut dhe dy zëvendësdrejtorët. Në drejtimin e Policisë së Tiranës ka ardhur Bernard Çaushaj, i cili së fundi ka drejtuar Policinë e Korçës, por më parë ka punuar si drejtor policie edhe në Shkodër, Fier dhe Berat.
I plagosuri Gocaj s‘ndihmon hetimin
TIRANE – Për dy herë me radhë hetuesit kanë tentuar të marrin në pyetje shtetasin Aleksandër Gocaj, personin që mbeti i plagosur me një plumb në shpatull nga ngjarja e ndodhur te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Hetuesit kanë këmbëngulur për të marrë dëshminë e 27-vjeçarit për shkak të fakteve që tregojnë se ai ka qenë objektivi i breshërisë së plumbave, e cila i mori jetën edhe shtetases Megi Jokiçi, e cila u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes. Gjatë kontaktit me të plagosurin Aleksandër Gocaj në spital, hetuesit nuk kanë arritur të mësojnë shumë në lidhje me ngjarjen. I plagosuri ka thënë se nuk ka mundur të shohë asgjë në vendin e ngjarjes, pasi është përkulur sapo ka dëgjuar krismat. Ndonëse një version i tillë duket i besueshëm për hetuesit, me dyshime shikohen deklarimet e 27-vjeçarit, i cili ka pretenduar se nuk ka pasur konflikte, ndërkohë që sipas hetuesve, i plagosuri rezulton se ka pasur precedentë penalë dhe mund të jetë sulmuar si për hakmarrje lidhur me ngjarje të mëparshme, ashtu edhe për çështje trafiqesh.
Kamera
Një kamer sigurie e një biznesi në vendin ku ndodhi ngjarja te “Komuna e Parisit” ka fiksuar momentet kryesore të ngjarjes. Kamera tregon se një person ka zbritur nga një automjet tip “Benz” dhe pasi ka ecur disa metra drejt fuoristradës ku ndodhej Aleksandër Gocaj, ka qëlluar me breshëri drejt saj. Si pasojë e këtyre breshërive mbeti i plagosur Aleksandër Gocaj, ndërsa u godit në nofull edhe shtetasja Megi Jokiçi, e cila dy orë më vonë, në 23:30 të së enjtes, gjeti vdekjen në spital. Filmimet e kamerës paraqesin një person me kapuç në kokë dhe me xhup të ngritur deri te veshët, i cili nuk identifikohet. Pasi qëllon me armë, hipën në makinën “Benz”, e cila ikën nga vendi i ngjarjes.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











